Ndihmës sekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd D. Robinson, ka potencuar se SHBA-të dëshirojnë të përkrahin punën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Meqë në vlerësimin e zyrtarit amerikan rëndësia e përkrahjes së këtyre institucioneve buron nga fakti se këto institucione dëshirojnë t’i bëjnë jetët e qytetarëve më të lehta e më transparente.
Në një intervistë për Televizionin A, Robinson i cili gjatë qëndrimit në Kosovë ka takuar edhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese e anëtarë të KGJK-së ka njoftuar se në bisedë e sipër me ta është prekur edhe tema e domosdoshmërisë së mos-ndërhyrjes së politikës në drejtësi.
“Mendojmë se për këtë kanë nevojë për përkrahjen tonë. Ata po bëjnë punë të madhe në shumë aspekte. Ta respektojmë ligjin, të reformojnë institucionet të lehtësojnë jetët e njerëzve dhe ne mendojmë që duhet të përkrahen, kështu mendon edhe bashkësia ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Ndryshe në intervistën e tij të fundit të dhënë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar prokurorët duke thënë se “po i përndjekin ministrat e kabinetit të tij”.
Ndërkaq teksa ka folur për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kryeministri ka ftuar atë të angazhohet në garën për zgjedhjet e ardhshme, meqë sipas tij, Kushtetuesja nuk do të duhej të pranonte të trajtojë ligjet që po dërgohen në këtë gjykatë nga opozita.
”Gjykata Kushtetuese praktikisht është duke e zëvendësuar Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Unë nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do duhej ta trajtonte secilin ligj që tejkalon Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Në këtë kuptim, unë i ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata”.