Një nga vokalet më të mira shqiptare, gjithmonë një zonjë në skenën muzikore, Rovena Dilo tregon për muzikën dhe jetën e saj, fillimet dhe karrierën që e ka ndërtuar. Në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA, ylli i muzikës shqipe thotë se i përshtatet shumë mirë skenës
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Muzika është bë pjesë domethënëse e jetës tuaj?
Ndodh ndonjëherë që njeriu lind bashkë me muzikën brenda qenies së tij. Madje mendoj se edhe muzika i zgjedh njerëzit që do, jo gjithmonë ti e zgjedh muzikën.
KOHA: Vini nga ndonjë familje muzikantësh apo nevoja, koha dhe dëshira për muzikën?
Mamaja ime këndon shumë bukur, ka një vesh absolut, ka mbaruar Liceun Artistik të Tiranës dhe ka kënduar shumë në atë kohë. Por edhe im atë ka pasur një zë të bukur pavarësisht se nuk është marrë me këngën.
KOHA: Na tregoni për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një këngëtarë si ju, e bën të jetë i vetëdijshëm, se si ka qenë zëri i saj dhe kur keni filluar të këndoni?
Kam filluar të këndoj shumë herët, ndoshta qe në moshën 3 vjeç, prindërit e mi dhe njerëzit e mi të afërm, psh halla ime shpesh më ngjisnin mbi sipërfaqe të larta dhe që atje unë këndoja këngë të ndryshme që jo gjithmonë ishin këngë fëmijësh. Mbaj mend një nga këngët e “repertorit” tim atëherë që ishte një këngë për të rritur ka qenë “Vajzë me kaçurrela” e kompozitorit Avni Mula. Ndoshta sepse edhe unë isha një fëmijë me flokë kaçurrel kjo këngë më pëlqente shumë.
KOHA: Keni debutuar në skena të ndryshme çfarë iu është dashur për t’u përshtatur në të gjitha këto vende?
Nuk ka vend më të bukur se skena. Por, njëkohësisht është vendi më i rëndësishëm nga ku ti përcakton rrugën tënde jo të lehtë artistike. Dhe ka vetëm një mënyre për mua ti përshtatem çdo skene, të bëhem njësh me këngët, me zërin tim dhe me dashurinë e madhe që kam për të kënduar.
KOHA: Jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë të bukura shqipe, nuk keni eksperimentuar shumë, pse?
Megjithatë, nuk besoj se ka diçka më shumë se kënga e bukur shqipe për publikun shqiptarë. Unë mendoj se kam eksperimentuar mjaft. Mendoj se sot nuk para eksperimentohet nga këngëtarët, sepse mungon shumë filozofia dhe fraza muzikore dhe sepse gjithçka varet nga efektet dhe bitet.
KOHA: Gjatë kësaj karriere tejet mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?
Sigurisht që edhe jam lodhur edhe jam bërë nervoz, jeta nuk është vetëm kënga dhe arti nuk është e gjithë jeta. Ka edhe gjëra të tjera në jetën tonë. Kam dëgjuar shumë muzikë, nuk përzgjidhja, gjithçka që më pëlqente e dëgjoja e ridëgjoja qindra herë, pastaj e këndoja vetë duke u munduar ta përshtatja në variantet e mia. Muzika e viteve 80 ka qenë më e mira e krijuar në shekullin e 20, sidomos muzika britanike dhe amerikane. Gjithashtu letërsia më ka ndihmuar në formimin tim artistik. Artisti është një qenie njerëzore shumë e ndjeshme prandaj i përjeton gjërat shumë fortë.
KOHA: Në ç’raport është lidershipi me muzikën e lehtë kundrejt asaj popullore?
Për mua lidershipi ka qenë, është dhe do të jetë muzika e lehtë. Por për një pjesë të popullit shqiptarë kam frikë se ndodh ndryshe, ata parapëlqejnë populloren. Madje një pjesë e mirë duan tallavanë e ca gjëra të tjera që as muzikë nuk janë (qesh). Gjithmonë kam kënduar në kushtet që kam dashur, pra nëse s’kam qenë e lirë nuk këndoja më mirë fare. Kështu e kam pasur unë marrëdhënien me këngën gjithmonë.
KOHA: Keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Shumë nga këngët e mia, pra tekstet e tyre janë shkruar nga unë. Si “Ante”, “Dorëzohem”, “Jeta është e shenjtë” etj por qe prej dy viteve kam shkruar edhe tekste për këngëtarë të tjerë. Që nga Kënga Magjike vjet tekstet e Klint Çollakut, Klejdi Mahmutajt, Enson Brahës, Classic Boys, kënge për Eli Farën, sivjet tekstin e Marko Strazimirit, Gjon Jeskut etj dhe kam në proces 3 a 4 tekste të tjera.
KOHA: Jeni një nga këngëtarët artist më të preferuar të muzikës shqiptare?
Të falënderoj për fjalët kaq të mrekullueshme!
KOHA: Çfarë repertori këndoni më së shumti, si e fillon një koncert Rovena dhe si e mbaron?
Në koncertet e mia nuk kam një formulë të përcaktuar. Më pëlqen të filloj me një nga këngët e mia dhe në varësi të publikut vendos për cilën nga ato. Prandaj s’di të të them tituj apo këngë në veçanti.
KOHA: Cili është sekreti tuaj, që në skenë ti je energjik, këndon 5-6 orë pa pushim fare?
Vokali dhe energjia janë pjesë të gjenetikës, mendoj se të dyja janë më tepër karakteristika të fizikut dhe karakterit tim sesa të një stërvitje apo regjimi profesional.
KOHA: Jetoni në ….?
Tiranë, qytetin më të dashur në botë!
KOHA: Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Çfarë mendimi keni për këtë?
Muzika është reflektimi i dashurisë, ankthit, padurimit, mentalitetit e shumë proceseve të tjera që i ndodhin një brezi të tërë mbarë botëror. Shqipëria nuk është në rezonancë të drejtë me botën. Pse? Sepse shqiptarët në lirinë e tyre për të konsumuar dhe krijuar muzikë përzgjedhin të pëlqejnë dhe krijojnë shumë banalitet. Pra ka shumë muzikë banale, gjithmonë për shijet e mia. Ky banalitet është shumë më keq se komercialiteti.