Mënyra e porosive “delivër” sidomos është dinamizuar gjatë muajit të Ramazanit. Dibranët preferojnë që për në syfyr të porosisin gatime speciale nga restorantet edhe atë pas iftari për t’i patur të gatshme për syfyr
Vjollca SADIKU
Dibër, 26 mars – Kohëve të fundit dibranët pa probleme mund të kërkojnë shërbime nëpërmjet porosive qofshin për ushqime apo edhe shërbime të tjera. Në Dibër është në “modë”, që familjet të bëjnë porosi tek restorantet, piceritë, ëmbëltoret, byrektoret e të tjerë me qëllim që të mos “maltretohen” që ata të shkojnë deri tek afaristët në fjalë. Dukuria ka marrë përmasa të gjëra, gjë që është pranuar edhe nga ana e pronarëve të objekteve shërbyese. Ndoshta ka ndikuar edhe jeta e dibranëve në diasporë të cilët kur vijnë në Dibër tregojnë se në SHBA lulëzon shërbimi i porosive “delivër”.
Në krahasim me të kaluarën tani në Dibër praktikohet furnizimi i ushqimeve edhe me porosi. Shpesh herë ndodh që nga mëngjesi e deri në darkë të porositen ushqime të ndryshme për racionet e ditës për familjet. Ashtu, qysh në orët e mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes, nëpër qytet mund të takohen persona të cilët transportojnë ushqime të ndryshme nëpër shtëpi. Në bisedën me dibranët u informuam se me qëllim të përfitohen mjete, tani pronarët e restoranteve dhe objekteve të tjera shërbyese, ofrojnë ushqimin pothuajse me të njëjtin çmim për t’ua sjell familjeve atë në shtëpi. Tani është një dukuri e përditshme që nëpër familje të transportohen pica, donerë, hamburger, tosta, byrek, ëmbëlsira të ndryshme dhe ushqime të tjera. Si shkaqe kryesore për pranimin të kësaj dukurie, dibranët përmendin angazhimin e bashkëshortëve të cikët janë në marrëdhënie pune, pastaj në familje të cilët ka të moshuar por edhe praktikimin të mënyrës të jetesës të cilën e përshkruajnë mërgimtarët tanë që jetojnë sidomos në SHBA.
Vesel. Sh. i cili më se një dekadë ka jetuar dhe punuar në SHBA, është një dibran i cili praktikon shumë shpesh porosinë e ushqimeve në mënyrën “delivër”. “Jetoja në SHBA në Nju Jork. Kam punuar atje me një piceri ku pjesa dërmuese e picave dërgoheshin nëpër shtëpitë e atyre që bënin porosi. Kjo metodë atje funksiononte shumë mirë. Nuk shoh asgjë të keqe që tani edhe dibranët porosisin ushqim nëpër restorante dhe atë e konsumojnë në shtëpitë e tyre. Normalisht ndoshta paguajnë pak më shtrenjtë, por edhe këtu në Dibër në shumë familje punojnë të dy bashkëshortët. Kjo do të thotë se ata nuk kanë shumë kohë të përgatisin ushqime për vete dhe për anëtarët e familje”, thotë bashkëbiseduesi i jonë. Biseduam edhe me një pronar të një picerie të njohur në Dibër. I.S. tha se tani më afro 2 vite ka porosi nëpërmjet telefonit për të dërguar picet nëpër shtëpi. “Kam person i cili merret me transportin e piceve edhe atë brenda orarit të punës. Pothuajse 40 për qind e gatimeve që bëjmë përfundojnë nëpër shtëpitë e dibranëve me sistemin e porosive”, thotë ky pronar.
Një nga të rinjtë të cilët transportojnë ushqimet e që deshi të ngelën anonim, tha se një pjesë e porositësve japin edhe bakshishe. Janë para të cilët janë të mirëseardhura për mua meqë pronari i restorantit më paguan 20 mijë denarë në muaj.
Mënyra e porosive “delivër” sidomos është dinamizuar gjatë muajit të Ramazanit. Dibranët preferojnë që për në syfyr të porosisin gatime speciale nga restorantet edhe atë pas iftari për t’i patur të gatshme për syfyr. Nga kjo mënyrë e shitblerjes të ushqimeve janë të kënaqur si porositësit ashtu edhe pronarët. (koha.mk)