Përveç intervenimeve për shuarjen e zjarreve, hidrantët janë të nevojshëm edhe për pastrimin dhe larjen e rrugëve në Tetovë. Dy hidrantë janë vendosur tashmë me rikonstruimin e rrugëve, në “Strasho Pinxhur” dhe në rrugën “Sami Frashëri”
Urim HASIPI
Tetovë, 9 maj – Në disa rrugë të Tetovës edhe pse ekzistojnë hidrantë me ujë teknik, me qëllim që t`i përdorin zjarrfikësit në raste të zjarreve, megjithatë pjesa dërmuese e tyre nuk janë funksional. Nuk janë funksional hidrantët që janë në rrugët e vjetra, ndërsa në rrugët e reja që rikonstruohen hidrantët janë funksional. Kështu bëjnë të ditur nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, prej nga bëjnë të ditur se edhe autoritetet e komunës së Tetovës janë të interesuar që në të gjitha rrugët të ketë hidrantë. “Në Tetovë kemi të vendosur hidrantë që janë funksionalë. Ka disa prej tyre që ne si zjarrfikës i shfrytëzojmë në raste të zjarreve, kur duhet që cisternat tona të mbushen me ujë. Kështu që kemi në disa pika, dihet se hidrantët duhet të kenë ujë teknik. Në të gjitha rrugët ose rrugicat që ndërtohen tash, në bashkëpunim me komunën e Tetovës, pikërisht nga kryetari I komunës i cili insiston që në çdo rrugë të ketë hidrantë”, deklaroi Avni Ameti, komandant i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë.
Përveç intervenimeve për shuarjen e zjarreve, hidrantët janë të nevojshëm edhe për pastrimin dhe larjen e rrugëve në Tetovë. Dy hidrantë janë vendosur tashmë me rikonstruimin e rrugëve, në “Strasho Pinxhur” dhe në rrugën “Sami Frashëri”. Krahas kësaj, sipas njësisë së zjarrfikësve hidrante ka edhe në bulevardin e ri që është ndërtuar respektivisht bulevardi “Bllagoja Toska” por do të funksionalizohen pasi që të ndërtohet edhe pjesa tjetër e bulevardit.
“Ka shumë hidrante të cilët duhet të riparohen, duhet të lidhen me ujin teknik. Kemi rrugën Bllagoja Toska, e cila është ndërtuar e re, kemi hidrantë mirëpo nuk i kemi funksional dhe kur do të ndërtohet tërë rruga deri ne rrethrrotullimin që bashkëngjitet me bulevardin e Ilindenit do të kyçet uji teknik dhe do të ketë hidrante funksional. Në rrugën Sami Frashëri kemi një hidrantë nëntokësorë, pra insistohet që në çdo rrugë të ketë hidrante. Në rrugën që është ndërtuar në lagjen e Cetinskës kemi dy hidrantë, pra edhe këtu janë nëntokësorë.Vendosen nëntokë sepse shpesh herë të njëjtat dëmtohen nga persona të pandërgjegjshëm”, theksoi Ameti.
Krahas kësaj, në Tetovë mungon regjistër dhe mosazhurim i të dhënave të ekzistencës së hidrantëve dhe ka vende ku nuk ekzistojnë aspak hidrantë në rrjetin e ujësjellësit në brendi të qytetit si dhe në zonat përreth. Problem në vete është se hidrantët që janë vendosur në të kaluarën janë dëmtuar dhe janë jofunksional për arsye se nuk janë mirëmbajtur.
Nga komuna e Tetovës thonë se vendosja e hidrantëve do të jetë një zgjidhje e mirë që në të ardhmen intervenimi të bëhet në kohë në rast të zjarreve. (koha.mk)