Kah mesi i nëntorit të vitit 1912, Sait Hoxha arrestohet nga pushtuesit serbë. Arrestimi i tij u bë në afërsi të Shkupit, ku bënte përpjekje maksimale për ta ndalë valën e shpërnguljes së shqiptarëve nga frika e barbarisë sllave. Ai u burgos së bashku me Hasan Prishtinën dhe 12 patriotë tjerë, ndër të cilët ishin edhe Idriz Seferi, Nexhip Draga…, të cilët u internuan në burgun e kalasë së Beogradit. Pikërisht ky arrestim ishte shkaku kryesor që këta figura të shquara shqiptare nuk morën pjesë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë
Nga Qerim LITA
Sait Hoxha lindi në vitin 1877 në Shkup. Rrjedh nga një familje e njohur atdhetare shqiptare të Shkupit. Babai i tij, Idriz efendi Shkupjani, ishte udhëheqësi i manifestimeve kombëtare në Shkup, të mbajtura gjatë muajt shkurtë-mars 1900 dhe pikërisht për këtë shkak, me urdhër të Valiut – Hafëz Pasha, së bashku me djalin e tij, Saitin, internohet fillimisht në Bitlisë në Kurdistan, ndërsa më pas në Konje të Anadollit. Pas vdekjes së babait, në korrik të vitit 1905, Sait Hoxha, nga dëshira e madhe për t’u kthyer në vendlindje, përmes një telegrami drejtuar Vezirit të Madh, Ferit Pashë Vlorës, kërkoi leja për t’u kther në Shkup. Përmbajtja e telegramit ishte për sa më pëoshtë vijon:
“Telegram deri te Veziri i madh, prej Seidit, biri i merhumit Shkupjan, Idriz efendiut, në lidhje me punën zyrtare tash më të ndjerit babait tim, i cili ndërroj jetë pak më herët ashtu që jam në Konjë pesë vjet dhe kërkoj prej Madhërisë së Juaj që të lejoni kthimin tim zyrtarisht dhe ligjorë në Vilajetin e Kosovës. 15 gusht 1321/ 28 gusht 1905, e diel, Seid djali i merhumit Idriz efendi Shkupjanit”.
Një ditë më pas, nga ana e kabinetit qeveritarë, lëshohet telegrami kthyes, i nënshkruar nga vetë Veziri i madh, në të cilin thuhej:
“Telegram prej Vezirit të madh, me të cilin konfirmon se e ka pranuar telegramin prej Seidit, djalit të të ndjerit, Shkupjanit Idriz efendiut, në lidhje me kërkesën e tij që të lejohet kthimi i tij në vilajetin e Kosovës. Në lidhje me kthimin e Seidit, djalit të Idriz efendiut, njërit prej ulemasë së Shkupit në vendin e vet. Nëse nuk ka as një pengesë sipas autorizimit zyrtarë, ndërsa shihet që nuk ka, atëherë lejohet kthimi i tij”.
Posa lejohet kthimi i tij në Shkup, ai njëkohësisht i vazhdon studimet e ndërprera në Stamboll, që me sukses i kryen në vitin 1906. Deri në vitit 1908 ishte imam në xhaminë “Murat Pasha” në Çarshinë e Shkupit. Përveç kësaj, filloi ta studiojë gjuhën arabe, historinë si dhe do të shkruajë poezi në gjuhën shqipe me alfabet arab. Në korrik të vitit 1908, ishte një ndër organizatorët kryesor të Lëvizjes Xhon Turke në Shkup dhe si rezultat i kësaj, në zgjedhjet e nëntorit, bashkërisht me Nexhip Dragën, zgjedhet deputet i Parlamentit Osman. Sipas asaj që deklaron në procesin e hetuesisë, zona e tij shtriheshe nga Kaçaniku e deri në Radovish.
Në Parlamentin Osman do të dallohet si një orator i mirë dhe gjithmonë ka mbajtur krahun opozitarë. Me rastin e veprimeve të pahijshme e represive të Xhavit Pashës kundër shqiptarëve në krahinat e Pejës e të Gjakovës gjatë pranverës së vitit 1909, Sait Hoxha së bashku me Hasan Prishtinën dhe tre deputetë tjerë shqiptarë, më 31 korrik 1909, Kryesisë së Parlamentit i dorëzuan një mocion për interpelancë, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:
“Kryesisë së Parlamentit
Në gazetat e vendit, me keqardhje po shihet se Xhavit Pasha ka bërë shumë luftime kundër shqiptarëve në kazanë e Gjakovës. Në të vërtetë, këto lajme duhen marrë me rezervë, po disa shenja dhe fjalët e përhapura janë në atë shkallë që konfirmojnë të vërtetën. Për të formuar një mendim të plotë mbi këtë çështje, propozojmë që të jepen shpjegime nga ministri i Punëve të Brendshme mbi shkakun e djegies dhe të shembjes me top të shtëpive në Pejë para dy muaj e gjysmë.
Aliu, deputet i Gjakovës, Hasani, deputet i Prishtinës, Hasani, deputet i Sjenicës, Hysejn Fuadi, deputet i Prishtinës, Saiti, deputet i Shkupit”.
Lidhur me këtë, ministri i Punëve të Brendshme, Ferit Pashë Vlora, në fjalimin e tij para deputetëve, veç tjerash theksoi se veprimi i Xhavit Pashës “ka qenë i moderuar dhe operacioni duhet shikuar si një veprim vetëm kundër atyre që nuk duan të paguajnë taksat dhe kundër atyre që kanë shprehur kundërshtime”. I pakënaqur me përgjigjen e Ferit Pashës, Sait Hoxha kërkoi të dërgohej një komision hetimor në Shqipëri, duke u shprehur se “fjalët e shkëlqesisë së tij, pashait, nënkuptojnë se ato që kemi dëgjuar në janë të pavërteta”. Edhe pse kryetari i parlamentit tha se “fjala e ministrit të Brendshëm është zyrtare dhe mjafton”, Sait Hoxha u përgjigj se “ndoshta edhe ministrit të Brendshëm mund t’i kenë dhënë informacion të gabuar. Informacioni që kemi ne vjen nga një burim tjetër i besueshëm” dhe shtoi se ishte djegur shtëpia e Zenel Beut, i cili nuk ishte “reaksionar”, por “liridashës”.
Një ditë pas interpelancës, deputetët dhe senatorët shqiptarë botuan një deklaratë të tyre në Gazetën zyrtare (Takvimi Vekaji), të cilën në vazhdim po e paraqesim të plotë:
“Sipas disa gazetave evropiane, janë botuar herë pas here komente se shqiptarët kanë qëllime për pavarësinë dhe se aty këtu kanë ngjarë lëvizje, kryengritje. Me keqardhje po shihet se këto lajme, përmes përkthimeve, kanë kaluar në fletët e shtypit osman. Shqiptarët kanë qenë të njohur për zgjuarsi, veprimtari, qëndrueshmëri dhe vendosmëri; mosqytetërimi dhe mosarritja e tyre në shkallën e aftësisë së tyre natyrore, e ka burimin veçse nën ndikimin e dëmshëm të absolutizmit. Sigurimi i ekzistencës së Shqipërisë është i mundur vetëm në saje të një bashkësie osmane të bazuar nga të gjithë. I vetmi qëllim i shqiptarëve, që janë adhurues të lirisë, ka qenë rrënjosja e lirisë dhe e Kushtetutës në vendet osmane që janë atdheu ynë i përbashkët. Se në ç’shkallë kanë shërbyer shqiptarët, për këtë do të flasë historia.
Pasi të kenë arritur këtë qëllim, që siguron jetën kombëtare të tyre, të vësh në gjendje të vështirë politikën e brendshme me pretendime për pavarësi e autonomi, çdo shqiptar e di mirë se kjo punë përfundon në zhdukjen e atdheut tonë të dashur bashkë me kushtetutën, që janë fituar me gjakun tonë. Duke lënë mënjanë lidhjet materiale e morale që ka formuar vëllazërimi, i bazuar në një nivel të shëndoshë në mes turqve e të shqiptarëve gjatë një kohe prej pesë shekujsh, pozita gjeografike dhe situata e bëjnë të pamundur jetën e shqiptarëve në gjendje të vetmuar dhe është e qartë se një gjë e tillë është e padëshirueshme edhe nga pikëpamja e ardhmërisë së jetës së tyre kombëtare.
Pra, meqë për askënd nuk është e fshehtë se këto lajme të rreme janë të fabrikuara me kujdes të madh nga keqdashës, me qëllim përfitimi nga drejtime të tjera, i hedhim poshtë krejtësisht, duke deklaruar me mburrje se pavarësinë dhe autonominë nuk e ka hequr nga mendja asnjë shqiptar i ndershëm e atdhetar, se në asnjë vend të Shqipërisë nuk ekziston ndonjë gjendje shqetësuese dhe se në çdo anë po priten veprat shpëtimtare të kushtetutës. Lutemi për botimin e kësaj deklaratës sonë.
Deputeti i Prizrenit: Sherif
Senatori, gjeneral i Divizionit I: Sulejman
Deputeti i Beratit: Aziz (pashë Vrioni)
Deputeti i Durrësit: Esat (pash Toptani)
Deputeti i Shkupit: Nexhip Draga
Deputet i Korçës: Shahin (bej Kolonja)
Deputeti i Prishtinës: Fuad (pasha)
Deputeti: Gani Frashëri
Deputeti i Pejës: Bedri (Pejani)
Deputeti i Manastirit: Mehmet Vasif
Deputeti i Prizrenit: Jahja
Deputeti i Pejës: Ahmet Hamdi
Deputeti i Prishtinës: Hasan (Prishtina)
Senator Ismail Haki Manastiri
Deputeti i Dibrës: Ismail (pashë Zemreku)
Deputeti i Sjenicës: Hasan
Deputeti i Prevezës: Ahmet Hamdi
Deputeti i Shkupit: Sait (Hoxha)
Deputeti i Prizrenit: Emin
Deputeti i Shkodrës: Myrteza
Deputeti i Gjakovës: Ali
Deputeti i Korçës: Doktor Mishe
Deputeti i Dibrës: Mamopol
Deputeti i Pejës: Ibrahim”.
Duhet theksuar se gjatë viteve 1908-1910, Sait Hoxha ra në konflikt edhe me deputetët shqiptarë, të cilët mbronin qëndrimin se gjuha shqipe duhet të shkruhet me alfabetin latinë e jo arabë. Këto kontradikta u paraqitën menjëherë pas revolucionit, ku Sait Hoxha së bashku me disa përkrahës të tij, bënë përpjekje të hapin shkolla shqipe në Shkup, por me alfabetin arab, ndërsa Nexhip Draga dhe anëtarët e klubit Bashkimi, u angazhuan për shkollat shqipe me alfabet latinë. Kundërthëniet sa vinin e thelloheshin, ku tashti nga radhët e deputetëve shqiptar u krijuan dy rryma: rrymën e parë që e mbronin alfabetin latin e udhëhiqte Nexhip Draga, ndërsa si përkrahës të tij ishin: Esat Pasha, deputet i Shkodrës, Hasan bej Prishtina, Prishtinë, Hafiz Ibraim efendiu – Kosovë, Sherif Efendiu, Prizren, Ismail Qemali, Vlorë, Azis Pasha, Vlorë, Hamdi Beu, Vlorë, Shahin Beu, Kolonjë dhe Biri i Riza Beut, Gjakovë; ndërsa rrymën që mbronin alfabetin arab e përbënin këta deputet: Haxhi Ali efendiu, Elbasan, Sait efendi Hoxha, Shkup, Shaban Emin Efendiu, Prishtinë, Fuat Pasha, Prishtinë, Ali Vasfi efendiu, Taslixhe, Sait Jahja efendiu, Riza efendiu, Shkodër, Murteza efendiu, Shkodër, Mehmet Vasif efendiu, Manastir, Mahmut Bedri, Pejë, Ahmet Hamdi, Pejë, Hasan Basri efendiu, Dibër dhe Hasan Mydin efendiu, Sjenicë…
Më vonë, Sait Hoxha do ta kuptojë se e tërë kjo ishte një skenar mirë i përgatitur nga ana e Xhon Turqve, me qëllim të përçarjes brenda shqiptare dhe përfundimisht gjatë vitit 1911 ai tërhiqet nga qëndrimet e mëparshme sa i përket çështjes së alfabetit. Si duket kjo “dobësi” e Sait Hoxhës, do të jetë si shkas që disa studiues tanë, personalitetin e këtij veprimtari ta paraqesin si “antikombëtare”, “turkomane” e shpifje dhe trillime tjera të ngjashme, mirëpo aktiviteti i tij i mëvonshëm do t’i demantojë ata.
Në mbarim të vitit 1911, me iniciativë të Ismail Haki Pashës, Mustafa Sabri efendiut dhe Hasan Prishtinës, formohet “Partia për Liri dhe Marrëveshje”. Themelimi i kësaj partie erdhi pasi qeveria Xhon Turke në mënyrë permanente luftonte çdo lëvizje shqiptare apo arabe. Kësaj partie së shpejti i bashkëngjitet edhe Sait Hoxha.
Nga ky moment, Sait Hoxha do të jetë krahu i djathtë i Hasan Prishtinës, sidomos gjatë Kryengritjes së përgjithshme kombëtare të vitit 1912 që shpërtheu në Vilajetin e Kosovës. Këtë kryengritje, sipas kapitenit të artilerisë së ushtrisë Osmane, Hamdi beu, e nxitën autoritetet xhonturke, të cilët dëshironin me çdo kusht që ta pengonin rizgjedhjen për deputet të Sait Hoxhës, Hasan Prishtinës, Myfit bej Libohovës etj. Në raportin e tij me titull: “Shkaqet e disfatës së armatave Osmane”, të hartuar më 10 maj 1913, ndër të tjerave shkruan:
“…Më 1328/1912 Shqipnija u mbyt prap në gjak. Këtë herë lufta bahej për zgjedhje. Dhunohej e drejta ma e shenjtë qi i qe njoftë popullit me Statut, dhe pengohej populli me përdorë lirisht votën e tij. Të mallkuemët e Ittihadit thojshin: Sikuer t’a dijmë se shembet Perandorija nuk do të nxjerrim deputet Sait Hoxhën nga Shkupi, Hasan bejnë nga Vuçitërni dhe Myfit bejnë nga Libohova. Ittihatçinjvet për me zhdukë nga sqena rivalët e tyne politik prap bajshin vegël ushtrinë? Prap fillojë të punojë në Shqipni topi, pushka e mitraljozi. Plasi kryengritja. E kjo këtȇ herë nuk qe si të parët, pati karakter të përgjithshëm. Shqiptarët kishin vȇndosë me mprojtë me armë të drejtat e tyne të ligjshme. Pse s’qe mȃ e mundun me ia qa hallet kujt me fjalë e me pȇndë. S’u jepej as lȇja Shqiptarëvet t’i drejtoheshin drejtazi Sulltanit…”.
Kah mesi i nëntorit të vitit 1912, Sait Hoxha arrestohet nga pushtuesit serbë. Arrestimi i tij u bë në afërsi të Shkupit, ku bënte përpjekje maksimale për ta ndalë valën e shpërnguljes së shqiptarëve nga frika e barbarisë sllave. Ai u burgos së bashku me Hasan Prishtinën dhe 12 patriotë tjerë, ndër të cilët ishin edhe Idriz Seferi, Nexhip Draga…, të cilët u internuan në burgun e kalasë së Beogradit. Pikërisht ky arrestim ishte shkaku kryesor që këta figura të shquara shqiptare nuk morën pjesë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Pasi lirohet nga burgu (1913), ai udhëton për në Vjenë ku do të qëndrojë deri në vitin 1916, për t’u kthyer përsëri në Shkup, ku formoi shoqatën bamërëse “Shefqet”. Me rëndësi është për tu theksuar fakti se, në kuadër të kësaj shoqate vepronte “Shkolla e Zejtarisë për Vajza”, për mirëmbajtjen e së cilës kjo shoqatë ndante mjete nga buxheti i saj vjetor. Për shkak famës dhe autoritetit që gëzonte, ai gjatë viteve 1934-1937, zgjedhet anëtar i Kuvendit Merarif të Mexhlisit të Ulemsasë së Shkupit.
Sait Hoxha, nëpërmjet Abaz Ilmi Pashës, mbante lidhje të përhershme me krerët e shteteve arabe(Abaz Ilmi Pasha ishte me prejardhje shqiptare, përkatësisht, nipi i Muhamet Ali Pashës, themeluesit të Egjiptit, ku një periudhë kishte qenë Mbret i këtij shteti. Me të, Sait Hoxha njihej që nga periudha e Perandorisë Osmane). Madje, në vitin 1930 qëndroi plot dy muaj, ku krahas Egjiptit, pati takime zyrtare edhe në Jordani, Jemen, Arabi Saudite etj. Veçmas duhet veçuar takimin e tij me Emirin e Jordanit, Abdullahun, i cili, siç pohon Sait Hoxha para organeve të hetuesisë, ishte i nivelit më të lartë diplomatik. Gjithnjë sipas tij, takimi ishte mbajt në Oborrin Mbretëror në Aman, ku për nder të mysafirit të lartë, krahas Emirit, morën pjesë të gjithë ministrat si dhe Kryemiftiu i Jordanisë.
Me ndihmën e Abaz Ilmi Pashës, Sait Hoxha një vit më vonë viziton Turqinë dhe me këtë rast ai takohet me Qemal Ataturkun. Më vonë ai lidhet me konsullin e Republikës së Turqisë në Shkup, Erdogan Shefki, me të cilin, siç deklaron Sait Hoxha para organeve të hetuesisë, “mbante lidhje të ngushta dhe miqësore”.
Ministri dhe i deleguari i fuqiplotë i Qeverisë Mbretërore shqiptare në Beograd, Rauf Fico, gjatë muajit shtator 1935 vizitoi Shkupin, me ç’rast pati takime të rëndësishme me dy figurat e shquara shqiptare të kohës, Ferhad bej Dragën dhe Said Hoxhën. Me të kthyer në Beograd, Fico, përmes një relacioni dërguar Mbretit Zog, shprehte një optimizëm shumë të madh për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë, sepse siç vë në dukje, paria shqiptare, nën udhëheqjen e Ferhat bej Dragës e të Sait Hoxhës, tashmë kishte filluar t’i konsiledonin radhët e veta. Në relacion, Fico shkruante se, Ferhat bej Draga, edhe pse ishte “tepër egoist”, ai megjithatë ishte një patriot i madh shqiptarë, i cili “nuk kurcehet kurr që të çfaqi lirisht e botnisht mendimet e tija kombëtare..”.. Përveç, Dragës, Fico, në relacion lartësonte edhe figurën e Sait Hoxhës, për të cilin ai shprehet për sa më poshtë vijon:
“…Natën me 21 Vjesht në odën e shtëpis ku banon sekretari i Kryekonsullatës Z. Sofo Çomora u poqa me Z. Sait Hoxhën dhe i komunikova përshëndetjet e Naltmadhnis s’Uej u mallëngjue për së tepërti e iu mbushën syt me lot. Ky njeri zotnon karakter të fortë, tepër i ndershëm dhe mjaft i ditun, por edhe ky si i pari mjaft egoist. Në udhëtimet gati të përjavshme që bën në rethet e ndryshme të Kosovës, me raste dasme mevlude, vdekje dhe me autoritetin që i nep çallma, me cilsi të tija të dituna e posaçërisht e kaluemja e tij e pastërtë, bën nji shërbim të math. Kudo këshillon, durim qëndrim e besim në t’arthmen. Si nji njeri i zgjuar gjen mënyrën e kombinimit me ndjenjat fetare me ato të kombësis. Si në fillim të jetës së tij edhe sot ka mbet plotësisht nji (softa), vobeksia dhe nevojat e jetës nuk kan mujtur ta trembin as pak. Kur i thash se Madhënija e Juej ishit gati për me i ndihmue me sa qe të dëshironte, më tha: Ju falem nderit shumë, por unë shërbej për atë që besoj, nuk jam nga kategoria e Halim Dragës (ndoshta bëhet fjalë për Ferhat Dragën – Q. L.). Unë Madhënin e Tij e njoh që në vegjeli e nashti që esht i pari i kombit tem, e kam për detyrë t’i shërbej atdheut dhe Ati me sa fuqi që të kem deri sa të vdes. Unë nuk kam nevojë për kur gjë, janë të tjerë që do të kenë nevojë kur të vijë koha u them që t’i ndihmoni.
Zotnija e tij në një mënyrë madhështore shkëlqen me sinqeritetin e thjeshtësin e tij.
Dy vjet ma parë bashk me Abas Hilmi Pashën (ish Kidivi i Egjyptit) shëtiti në Kosovë e në Mal të Zi. Simvjet ësht i ftuar për me e shoqërue në udhëtimin që do të bëjë në Palestin, pra në të kthyem pa tërheq vërejtjen e të huajve me kalue nga Tirana posaçërisht për me parashtrue homazhet e tija në Këmbë të Naltmadhnis s’Uej.
Zotnija e tij më tregoi se, kosovarët në çështjen e organizimit fetar do të insistojnë që të sigurojnë interesat e tyne e do të mundohet që mos të bëhen koloni e boshnjakve… Z. Sait Hoxha më foli me kënaqësi nga ndihmat që po Ju bëhet nga ana e Kryekonsullatës disa njerzve që mund të shërbejnë ose që shërbejnë. Z. Sait Hoxha në ditët e fundit kishte qen në Prizren, Gostivar e Tetovë, dhe në ato vise esht munduar për ngrefjen e shoqërive mirëbërëse. Në Prizren ësht siguruar ngrefja e nji shoqënies nën emnin (Merhamet). Edhe kjo shoqëni, po si ajo e Shkupit do të mundohet të ndihmojë të mjeruemit. Me Zotërin e tij kemi lidh fjalë që në rast nevojeje të piqemi edhe në Belgrad…”.
(vijon nesër)