Patriot LUMANI
Strugë, 20 prill – Abdulla Qazimoski në seancën e së enjtes me votim nominal të të 18 këshilltarëve, është shkarkuar nga pozicioni i kryetarit të Këshillit. Për shkarkimin e Qazimoskit kanë votuar të gjithë këshilltarët, përveç dy këshilltarëve të BDI dhe disa të VMRO-së, shkruan gazeta KOHA. Qazimoski e kualifikoi si jostatutor dhe të kundërligjshëm shkarkimin, duke thënë se këtë që po e bëjnë këshilltarët, pavarësisht faktit që ai nuk do të jetë në krye të Këshillit, nuk shkon në hullinë e shtetit të së drejtës, ashtu siç e proklamojnë partitë, por është jolegale, duke shkelur me dy këmbët statutin dhe rregullat në fuqi. Ndërkohë koordinatori i Grupit të këshilltarëve të LR-PDSH-së, Din Istrefi, pasi arsyetoi iniciativën për shkarkimin e Qazimoskit, potencoi se ai, sidomos gjatë kohës së fundit, i ka bërë një sërë instruksionesh punës së Këshillit Komunal të Strugës dhe vendimeve të cilat janë dashur të votohen në këtë organ, si në funksion të interesit të funksionimit të organeve, ashtu dhe në dobi të qytetarëve. Istrefi pasi i ftoi edhe këshilltarët e grupeve të tjera të votojnë për këtë iniciativë, nënvizoi se kjo iniciativë votohet pa debat. Ndërkohë koordinatori i Grupit të këshilltarëve të VMRO-së, pasi arsyetoi votën e abstenimit të këshilltarëve të kësaj partie, nënvizoi se duhen edhe disa javë deri në përfundimin e mandatit të kësaj përbërje dhe kjo çështje nuk duhet të vinte në konsideratë. Dame Lozhankoski nga LSDM, pasi tha se ata si parti edhe kur u zgjodh Qazimoski ishin kundër, edhe në këtë seancë do të votojnë për shkarkimin e tij, duke thënë se ky vendim duhet të merret me sportivitet dhe jo me shumë teatralitete. Ndërkohë, Fitni Dalip nga BDI, pasi paralajmëroi votimin kundër nënvizoi se kjo që po ndodh në këtë seancë tregon edhe njëherë se koalicioni ndërmjet LR-PDSH-së dhe VMRO-së në Strugë funksionon për mrekulli, gjë që provokoi një debat ndërmjet tij dhe përfaqësuesve të dy partive maqedonase diskutime të cilat prekën edhe zhvillimet në rang shteti. Pro shkarkimit të Qazimoskit votuan 18 këshilltarë, pesë ishin abstenim dhe dy kundër. Pro-shkarkimit, gjykuar nga votat, votuan pothuajse këshilltar nga të gjithë partitë.
Pas këtij momenti, Abdulla Qazimoski lëroi karrigen e të parit të Këshillit të Strugë,s duke ftuar këshilltarin më të vjetër, Qurkoski, të drejtojë seancën. Qazimoski përafërsisht katër vite drejtoi me Këshillin e Komunës së Strugës si propozim i ardhur nga ish kryetari Ziadin Sela.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara