Në organizim të Habitat Maqedoni dhe organizatës qytetare Roma S.O.S, në Shkup u mbajt konferenca përfundimtare e projektit “të drejtat e strehimit të romëve për zhvillim të qëndrueshëm urban”. Objektivi kryesor i këtij projekti, siç theksojnë organizatorët, është rritja e përfshirjes dhe pjesëmarrjes së komunitetit lokal në procesin e përfshirjes sociale në strehim, me çka do të avancohen dhe zbatohen të drejtat e njeriut dhe prioritetet e BE-së për strehim, shëndetësi, arsim, punësim, dhe mbrojtje ligjore dhe sociale.
Kryetarja e sektorit për koordinim dhe ndihmë teknike në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Mabera Kamberi, tha se nevojitet shumë punë në mënyrë që për romët të përmirësohet e drejta e strehimit. “Është e një rëndësie jetike përgatitja e një ligji për banim social, sepse ne besojmë se kështu do të zbatohen disa masa të veçanta për kategoritë më të rrezikuara sociale me çka do tu mundësohet një vend më i mirë për të jetuar”, tha Kamberi.
Sipas organizatorëve, ky projekt ka arritur rezultate të rëndësishme të cilat përfshihen edhe tre studime fillestare të përgatitura për strehim të romëve në komunat Prilep, Shtip dhe Çair. Bazë për këtë studim ka qenë një anketë e realizuar në terren, ku kanë qenë të përfshirë 1.672 banorë të lagjeve rome, ku janë marrë të dhënat për kushtet në të cilat jetojnë ata, për kushtet në komunitet me çka janë përcaktuar prioritetet për zhvillim lokal. Projekti “Të drejtat e strehimit të romëve për zhvillim të qëndrueshëm urban”, filloi të zbatohet më 15 dhjetor 2015 dhe ka përfunduar më 20 qershor 2017.