Bujar KURTAJ
Shkup, 4 nëntor – Ashtu siç paralajmëruam një ditë më herët, java e 13 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, do të luhet sot (e shtunë) në vend së të dielën. E gjithë kjo për shkak të obligimeve të përfaqësueses së Maqedonisë, e cila më 12 nëntor do të luan ndeshjen kualifikuese për KB Rusi 2018 kundër Spanjës. Do të luhen gjithsejtë pesë sfida, ku tre prej tyre zgjojnë interesim dhe cilësohen si derbi ndeshje. Pa dyshim, më interesante pritet të jetë në Tetovë, ku në stadiumin e qytetit do të luhet derbi shqiptar mes Renovës dhe Shkupit. Të dyja ekipet synojnë tre pikët në tentim për të ruajtur hapin për kreun e tabelës, respektivisht pozitës së tretë e cila qon në Evropë. Dhe kjo garanton se aktorët e të dyja skuadrave, do të ofrojnë futboll cilësor. Ndryshe, kjo do të jetë përballja e katërt mes këtyre dy skuadrave, ku Shkupi nuk ka pësuar disfatë (dy fitore dhe dy barazime). Kapiteni i skuadrës tetovare Fisnik Nuhiu respekton Shkupin, por beson se fitorja në fund do tu takojë atyre. “Respekt për Shkupin, pasi ata janë në formë të mirë dhe në Tetovë vijnë me një vetëbesim të madh. Por, në mendjen tonë edhe vetëm fitorja, pasi që opsion tjetër nuk kemi. E dimë se do të jetë vështirë, sepse Shkupi din shumë mirë të luajë në rezultat, por unë dhe shokët e skuadrës, besojmë se do të arrijmë fitore”, deklaroi Nuhiu. Derisa, në anën tjetër, Fisnik Zuka, thotë se nuk duhet ti kap euforia e dy ndeshjeve të fundit, dhe se në Tetovë shkojnë për të nxjerr rezultat pozitiv. “Mendoj se kemi punuar mirë ditëve që kishim në dispozicion dhe do të jemi të gatshëm për të dalë në përballjen e radhës ndaj Renovës. Mendoj se nuk duhet të na prek euforia e dy ndeshjeve të fundit dhe të mendojmë se kemi mbaruar punën, sigurisht se ndeshjet të cilat do të vijnë do të jenë edhe më të vështira se përballjet me Vardarin dhe Shkëndijën, andaj ne duhet të kërkojmë suksesin pikërisht në duelet direkte me skuadrat që janë në mesin e tabelës dhe ato në pjesën e poshtme. Sigurisht se edhe ekipi i Renovës është në formë të mirë dhe do të kërkojë pikët maksimale, andaj do të futemi në ndeshje me mentalitet të njëjtë, të nxjerrim rezultat pozitiv dhe nëse na jepet shansi, të ndëshkojmë kundërshtarin për ti marrë edhe tri pikë”, deklaroi Zuka, i cili ka treguar një lojë shumë të mirë në dy duelet e fundit ndaj Shkëndijës së Tetovës.
Alimi: Në Manastir shkojmë për tre pikë
Pas kiksit ndaj Shkupit dhe humbjes së hapit me Vardarin, skuadrën e Shkëndijës e pret edhe një detyrë e vështirë, pasi në Manastir do të takohet me skuadrën e papërshtatshme Pobedën. E themi këtë pasi skuadra e Vardarit në javën e kaluar, në minutat e fundit arriti ti mposht ata, andaj edhe djemtë e trajnerit Jeton Beqiri, gjenden para një sfide shumë të vështirë. Njëri prej futbollistëve më të mirë Armend Alimi e pranon se ekipi nuk ka qen në nivelin e duhur në ndeshjet e kaluara. Ai thotë se kanë punuar maksimalisht ditëve të fundit, për të ngritur ekipin në të gjitha aspektet, ndërsa në Manastir thotë se shkojnë për të arritur fitore. “Jemi të vetëdijshëm se sado që kemi dashur nuk kemi qenë në nivel në ndeshjet e kaluara. Ditët që lëmë pas, kemi punuar maksimalisht për tu ngritur në të gjithat aspektet, pasi ky ekip ka potencial të madh dhe ne jemi të obliguar këtë ta dëshmojmë në teren e jo vetëm me fjalë. Secilit i ndodh të mos jetë në formën më të mirë, por kolektivet kualitative si puna e Shkëndijës, janë të afta të reagojnë si duhet. Respektojmë Pobedën që ka ekip të mirë, por ne shkojmë për të marrë tre pikë”, tha për KOHA, Armend Alimi.
Rabotniçki beson në fitore ndaj Pelisterit
Derbi tjetër i javës së 13 do të jetë ai mes Rabotniçkit dhe Pelisterit, e cila do të zhvillohet në arenën “Filipi i dytë” në Shkup. Të dyja ekipet këtë sezon po luajnë mirë dhe me të drejtë mbajnë pozitën e tretë (Rabotniçki), respektivisht të katërt, por dallimi mes tyre para kësaj ndeshje është vetëm një pikë. Kapiteni i “romantikëve” Dushko Trajçevski paralajmëron hakmarrje për mysafirët nga Manastiri, pas asaj disfate të thellë në ndeshjen e parë me 3:0. “E kujtoj në disfatën në Manastir. Ishte i thellë, mirëpo sipas asaj që e demonstruam në fushë, merituam më shumë. Dëshirojmë tu hakmerremi atyre dhe do të japim maksimumin për ti fituar tre pikët. Do të ishte fitore me vlerë”, tha për faqen e klubit, Trajçevski.
Në ndeshjet tjera, Vardari nuk pritet të ketë probleme në përballjen me Bregallnicën në Koçani, kurse përballje interesante pritet të zhvillohet ndërmjet Makedonija Gj.P. dhe Sileksit. Të gjitha ndeshjet e javës së 13 në LPFM do të zhvillohen të shtunën në ora 13:30.
- Dyshet:
- Renova – Shkupi
- Bregallnica – Vardari
- Rabotniçki – Pelisteri
- Mak.Gj.P. – Sileksi
- Pobeda – Shkëndija