Rafineria e naftës në qytetin Ballsh në Republikën e Shqipërisë, u përfshi nga flakët. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës. Rreth orës 22:00 shpërthimi i një valvule të një pompe hidrogjeni bëri që në rafineri të ketë edhe flakë të mëdha.
Nga informacionet zyrtare të policisë deri në orët e para të mëngjesit, një punëtor ka humbur jetën. Ai është Shkëlqim Muça. Pesë punëtorë të tjerë u plagosën, një prej tyre në gjendje të rëndë, bën të ditur Top Chanel.
Dy nga tre të plagosurit ndodhen në Spitalin e Ballshit, një në Spitalin e Fierit ndërsa dy u dërguan në Tiranë për një mjekim më të specializuar.
Në momentin që ndodhi shpërthimi mësohet se në turn kanë qenë 11 punëtorë. Sipas informatave paraprake dyshohet për viktima të tjera. Sipas informatave nga terreni edhe 3 punëtorë të tjerë kanë humbur jetën në repartin e hidro-pastrimit, duke e çuar numrin e viktimave në 4, ndërsa edhe numri i të plagosurve ka shkuar në 7, informon TCH.
Bllokimi i valvulës së njërës prej pompave të hidrogjenit që shkaktoi shpërthimin, mësohet se është një rast i përsëritur, pasi edhe në të kaluarën kanë ndodhur aksidente të tilla, por jo në këto përmasa. Shumë familjarë të personave që punojnë në uzinë rrethuan hyrjen duke pritur mes ankthit për të afërmit e tyre.
Forcat e policisë shkuan në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që grupi hetimor po kryen veprime në vendin e ngjarjes për shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë. Atje mbërriti edhe ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.
Rafineria e Ballshit rifilloi nga puna javë më parë. Atje janë të punësuar rreth 1200 persona, të cilëve iu paguan edhe pagat e prapambetura me rifillimin e punës në këtë uzinë, që është edhe sektori i vetëm ku mbështetet qyteti i Ballshit.