Andrea Agostinelli ka lavdëruar tifozët kuqezi, për të cilët tha se janë të zjarrtë dhe e përkrahin Kombëtaren me çdo kusht. Ish trajneri i Partizanit dhe Skënderbeut, Andrea Agostinelli tha se tifozët shqiptarë do ta kishin pushtuar Italinë në rast se ndeshja nuk do të zhvillohej në Palermo.
Ai lavdërojë tifozët shqiptarë se si e mbështesin Kombëtaren dhe foli mirë për futbollin shqiptar, ku tha se është rritur shumë pas pjesëmarrjes në Euro 2016. “Shqiptarët janë tifozë të zjarrtë dhe e ndjekin Kombëtaren e tyre pa kushte. Jam i sigurt që do të ketë shumë edhe në Palermo, por do të kishte më shumë nëse ndeshja do të zhvillohet në ndonjë nga qytetet e veriut. Igli Tare kishte shumë të drejtë kur e tha këtë gjë dhe unë do ta mbështes mendimin e tij”, tha Agostinelli gjatë një interviste në një radio italiane.
Më tej, ai foli edhe për rritjen që ka pësuar futbolli shqiptar dhe, mbi të gjitha, skuadra e De Biazit. “Janë të fortë dhe luajnë për fanellën. Shqipëria është rritur shumë dhe këtë e tregoi me pjesëmarrjen në Evropian. Do të bëjë ndeshjen e jetës, por Italia i ka të gjitha mundësitë për ta vënë në vështirësi”.