Rainer SOLLICH
Pas sulmeve ndaj dy kishave kopte të dielën, Egjipti po përjeton një valë jashtëzakonisht të madhe solidariteti: qytetarë myslimanë shprehin mbështetjen për minoritetin kristian, përbetohen në tweeter për unitetin e vendit dhe dhurojnë gjak për viktimat e terrorit. Mesazhi është sa ngushëllues aq edhe i qartë: ne jemi egjiptianë. Ne nuk lejojmë të na përçajnë me dhunë e duke nxitur urrejtjen! Egjipti meriton edhe solidaritetin tonë! Kjo është përgjigja më e mirë që mund të japin egjiptianët ndaj terrorit. Sepse qëllimi i terroristëve është pikërisht që të përçajnë myslimanët dhe krishterët dhe që ta destabilizojnë nga brenda shoqërinë egjiptiane. Solidariteti, që të krishterët e Egjiptit po përjetojnë prej myslimanëve tani pas dy sulmeve, është një sinjal i rëndësishëm në adresë të të gjithë aktivistëve dhe simpatizantëve të “Shtetit Islamik” (IS), që e ka pranuar me krenari të neveritshme autorësinë për të dyja sulmet. Myslimanët protestojnë duke thënë qartazi: terrori kundër atyre që kanë një besim tjetër nuk ka të bëjë aspak me besimin tonë!
Tani duhet të veprojë politika. President Abdelfatah Al-Sisi ka dekretuar tre muaj vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ka shpallur masa të përforcuara sigurie. Krishterët e Egjiptit kanë nevojë urgjente për këtë mbrojtje. Atyre nuk u mbetet asnjë alternativë, veçse të kenë besim tek qeveria e tyre dhe të bashkëpunojnë sa më shpejt të jetë e mundur – edhe pse për këtë ata mund të vihen më shumë në shënjestër të islamistëve radikalë, të cilët i shohin ata si vasalë të regjimit të urryer të Al-Sisit. Megjithatë qeveria deri tani nuk është preokupuar të mbrojë të krishterët dhe të ndalë vrasjet e dëbimet e koptëve nga gadishulli i Sinait. Në këtë drejtim Al-Sisi duhet të bëjë më shumë, edhe me mjete ushtarake. Por ai duhet që edhe të veprojë me maturi. Një veprim edhe më i ashpër kundër kritikëve ndaj qeverisë dhe opozitarëve e veçanërisht shkeljet e mëtejshme të të drejtave të njeriut do të ishin fatale. Me të tilla veprime mund të përçahet shoqëria dhe gjendja për të krishterët mund të përkeqësohet edhe më shumë. (dv)