Prej disa vitesh sytë e mbarë botës janë fokusuar tek ai, por Mick Schumacher, 17 vjeç, nuk djali i legjendës së Formula 1, Michael Schumacher nuk trembet nga ky fakt. Ai shprehet se nuk nxitohet në hapat që bën dhe se do të presë momentin e duhur për të bërë hapin e madh. “Nuk jam ende gati për të garuar në Formula 1”, tha sot Mick Schumacher për mediat, ndërkohë që këtë vit do të debutojë në Formula 3. “Ka nga ata që kanë vendosur të debutojnë shumë shpejt në Formula 1, si Verstappen (19 vjeç) apo Stroll (18 vjeç), por unë nuk jam ende gati për të bërë këtë hap të madh”, tha më tej piloti i ri gjerman.
“Deri më tani nuk kam fituar ende asnjë titull në kampionatet e tjerë, ndaj nuk kam ende përvojën e duhur për të qenë aty lart, mes më të mirëve. Shpresoj që këtë vit të fitoj një titull”, tha më tej 17-vjeçari Mick Schumacher, që ka vendosur t’i ngjitë shkallët një e nga një. Vjet ai garoi në Formula 4, në kampionatin italian dhe atë gjerman me makinën Prema, ndërsa këtë vit do të provojë Botërorin e Formula 3. “Të shohim se si do të shkojnë gjërat, pasi kam ende shumë për të mësuar dhe synoj të fitoj kampionatin e debutuesve. Duhet ende të tregoj aftësitë e mia si pilot, ndaj jam përqendruar në disa gjëra të rëndësishme”, tha Mick, që e vlerëson faktin se Mercedes dhe Ferrari ia kanë vënë syrin. “Do të thotë që kam bërë diçka të mirë, ndaj dua që kur të shkoj në Formula 1 të jem në maksimumin e aftësive, pasi do të garoj me më të mirët”, tha Mick Schumacher.