Së paku 14 persona janë vrarë më 4 dhetor në një seri sulmesh ajrore në krahinën veriperëndimore siriane të Idlibit, njofton organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut. Kjo organizatë thotë se sulmet ajrore e kanë goditur qytezën, Maaret al-Numan, ndërsa sulmet duket se janë kryer nga aeroplanët rusë. Idlibi kryesisht mbahet nën kontroll nga një koalicion i rebelëve që përfshinë edhe grupin ekstremist, Jabhat Fateh al Sham i njohur më parë me emrin Fronti Al Nusra, një degë e Al Kaidës siriane. Sulmet janë kryer në një kohë kur qeveria ka intensifikuar ofenzivën në zonat që po kontrollohen nga rebelët në Alepo. Zëdhënësi i ushtrisë siriane i ka thënë Associated Press se ushtria është duke iu ofruar luftetarëve rebelë mundësinë që të largohen nga qyteti lindor, Alepo i rrethuar nga forcat qeveritare. Samir Suleiman është cituar duke thënë se ata që vendosin të qëndrojnë, e zgjedhin “vdekjen e pashmangshme”. Suleiman ka thënë se forcat qeveritare dhe grupet aleate kanë rimarrë mbi 50 % të lagjeve në pjesën lindore të Alepos. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë derisa të kthejmë stabilitetin dhe sigurinë në të gjitha lagjet” e Alepos, përfshirë edhe qarkun historik të Alepos së vjetër, ka thënë Suleiman. Alepo lindore ka qenë i rrethuar nga forcat qeveritare prej muajit korrik, ndërsa zona është përballur me mungesë të ushqimeve, naftës dhe furnizimeve mjekësore.