Mbi 6.8 milionë bullgarë me të drejtë vote, të dielën do të votojnë në zgjedhje për president të ri të Bullgarisë, i cili do ta trashëgojë shefin aktual të shtetit, Rosen Plevneliev, i cili vendosi të mos kandidojë për mandat tjetër presidencial. Në garën për funksionin e presidentit marrin pjesë 21 kandidatë të propozuar nga partitë politike, koalicione dhe nisma të pavarura qytetare. Anketat e mendimit publik tregojnë se presidenti i ri bullgar, sipas të gjitha gjasave, nuk do të dihet të dielën, por se pasuesi i Plevnelievit do të zgjidhet madje në rrethin e dytë, që do të duhej të mbahet më 13 nëntor. Sipas hulumtimeve të fundit të mendimit publik, të dielën do të zhvillohet betejë e paqartë dhe e ngushtë ndërmjet kandidatit të partisë në pushtet Qytetarë për zhvillim evropian të Bullgarisë (GERB), kryetares aktuale të Kuvendit popullor bullgar, Cecka Caçeva dhe kandidatit të pavarur, gjeneralit Rumen Radev, i cili e ka mbështetjen e forcës më të madhe opozitare në shtet, Partisë socialiste bullgare (BSP). Pothuajse është e sigurt se këta dy kandidatë do ta kenë përballjen e tyre finale më 13 nëntor, por mbetet mjaft e paqartë se cili prej tyre do të mund të bëhet presidenti i ri bullgar.