Prodhimtaria organike e ushqimit në Maqedoni mund të jetë e suksesshme, por vetëm me kushte që të orientohet në eksport. Përvojat e disa prej eksportuesve tregojnë se tregjet evropiane dhe botërore kërkojnë prodhime organike dhe të shëndosha që mund të prodhohen tek ne.
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 maj – Prodhimtaria organike e ushqimit në Maqedoni mund të jetë e suksesshme, por vetëm me kusht që të orientohet në eksport. Përvojat e disa prej eksportuesve tregojnë se tregjet evropiane dhe botërore kërkojnë prodhime organike dhe të shëndosha që mund të prodhohen tek ne. Aktualisht vetëm 0.5 për qind e tokave bujqësore në Maqedoni janë të mbjella me prodhimtari organike, shkruan gazeta KOHA. Kjo paraqet një sasi shumë të vogël në raport me mundësitë dhe kërkesat e tregut sidomos atij të huaj për një ushqim të shëndoshë organik. Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Maqedonisë, në shtet janë të regjistruar vetëm 533 fermerë të prodhimtarisë organike që më së shumti kultivojnë kultura të perimeve dhe të drithërave në një tokë prej afër 3200 hektarë.
Në ndërkohë, agronomët thonë se një nga alternativat e zgjidhjes së problemit të përvitshëm të plasmanit të prodhimeve bujqësore, në treg është tek prodhimtaria organike që se vjen e më shumë do të kërkohet në treg për çka Maqedonia ka kushte ideale . Prodhuesit organik thonë prodhimet e tilla kanë një treg të garantuar , por me kusht që fermerët të respektojnë rregullat rigoroze të kultivimit dhe të kenë durim që pas disa vitesh të presin fitimin.
“Nuk paraqet ndonjë problem të madh të eksportohen prodhimet organike nga Maqedonia jashtë shteti në rast se keni një prodhimtari të standardizuar, i posedoni sertifikatet e nevojshme , kushtet e magazinimit etj . Megjithatë duhet shtuar se prodhimtaria organike kërkon edhe më shumë investime që edhe kthehen me kalimin e kohës. Rekomandohet që së paku 80 për qind e totalit të prodhimtarisë të jetë e orientuar në eksport për të pasur sukses në treg”, thotë Suzana Dimitrievska nga koperativa “Lipa”, prodhues e ushqimit organik që nga viti 2005, që eksporton groshën e saj organike në Zvicër.
Nga ana tjetër , Qeveria e Republikës së Maqedonisë është fuqishme angazhuar të krijojë kushte të volitshme për prodhimtarinë organike në vend, duke marrë parasysh kërkesën e madhe të tyre në tregjet e jashtme. Andaj edhe Ministria e Bujqësisë me më shumë masa përkrah prodhimtarinë organike në vend.
“Në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm do të publikohet shpallja e vlefshme 1.2 milion euro për fermerët e rinj , ku përparësi do të kenë prodhuesit e organik të ushqimit që do të fitojnë grante prej 10 mijë euro. Gjithashtu, për herë të parë do të shpallet thirrje publike për ndarjen e tokës shtetërore të dedikuar vetëm për prodhimtarinë organike”, theksoi ministri i bujqësisë Ljupço Nikollovski, duke prezantuar një pjesë të masave të dedikuara vetëm për prodhuesit organik. Masat u prezantuan në tryezën e rrumbullakët kushtuar nxitjes së prodhimtarisë organike të ushqimit në Maqedoni.
Sipas tij, një vëmendje e veçantë do ti kushtohet edhe prezantimit të prodhimit organik vendor në shtetet e jashtme, ku në panairin slloven në Gornja Radgona që mbahet në fundin e muajit gusht, Maqedonia do të ketë stendën më të madhe dhe do të jetë partnere e panairit.
Njëherazi do të përgatitet edhe karta e rajoneve organike, ndërsa në përgatitje e sipër është edhe regjistri i prodhuesve organik që do të përmbajë të dhënat për të gjithë prodhuesit organik në Maqedoni , lidhur me sertifikimin, llojin e kulturave bujqësore, lokalitetet e prodhimtarisë si dhe sasitë që prodhohen . Ndryshe, në vitet e fundit tregu i prodhimeve organike është rritur në mbi 90 miliardë euro që kryesisht furnizohet nga Evropa Lindore dhe juglindore. Kjo duhet të paraqesë një stimulim edhe për prodhuesit vendor të orientohen në prodhimtarinë organike , për shkak se kanë plasman të sigurt të prodhimeve të tyre. (koha.mk)