Pas Lazër Krasniqit, ndërhyri Burhan Kavaja, i cili kërkoi fillimisht që si parim në diskutimin e të pranishmëve patjetër të bazohen në konkluzionet e 7 shtatorit dhe të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se nuk ka nevojë tani të nxitet ndonjë procedurë ose përsëri emërtimi se populli shqiptar është popull e jo pakicë ose kombësi, pasi kjo çështje, sipas Kavajës, është e definuar, andaj çdo herë në terminologjinë e tyre duhet manipuluar me të dhe nuk ka nevojë më të potencohet. “Më lejoni pra, për këtë pjesën e dytë, rreth strategjisë së veprimit të themi disa fjalë. Është e njohur se minatorët qysh në nëntor të vitit 1988, ia filluan me reagimet e tyre të cilat i shprehën në mënyrë të denjë pa dhunë, duke i treguar opinionit kosovar dhe jugosllav si dhe botës, se është duke u përgatitur ose është në fazën e përgatitjes një procedurë për ndërrimin e kushtetutës. Me gjithë aktivitetin e cila shihej se do të çon në dhunë, ishte një veprim i cili nxiti shumicën e intelektualëve, jo vetëm të Kosovës, por edhe në botë se diç ishte duke u përgatitur e ajo ishte ndërrimi i Kushtetutës së Kosovës”, tha Burhan Kavaja para të pranishmëve në takimin mbarëkombëtarë në Stubiçke Toplice.
Çështja tjetër të cilën e elaboroi Kavaja ishte çështja e shfrytëzimit të lëndëve të para minerale të Kosovës. “Këtë e them për arsye të përgatitjes së strategjisë dhe nuk është lehtë. Ne mundemi të shpallim lloj-lloj forma të strategjisë, por duhet të dimë se ata zhvillimin e vetë ekonomik e bazojnë në pjesën e Kosovës dhe të Vojvodinës. Mirëpo kjo neve aspak s’duhet të na dëshpërojë dhe që tani duhet të shikojmë dhe të ndërmarrim masa të nevojshme. Delegati Bujar Gjurgjeala këtë takim e vlerësoi si një rast ku pas një kohe shumë të gjatë të takohen me të vetmin qëllim që hallkat të cilat janë këputur të lidhen dhe të bëhet një koordinim në mes partive politike që veprojnë në Kosovë dhe delegatëve si dhe Qeverisë e cila është jashtë Kosovës. “Duhet të themi se sikur të kishim kushtet normale për punë, sikur mos të na kishin suspenduar, na sigurisht do ta kishim përgjegjësinë më të madhe si Kuvendi ashtu edhe Qeveria për gjendjen si dhe detyrat. Mirëpo pasi kushtet nuk janë normale, ne kemi dal të veprojmë jashtë Kosovës, por në çdo moment të gatshëm për të dhënë kontributin maksimal. Pra, duhet lidhur të gjitha hallkat, ato të Kosovës, që janë në Kosovë, me ato të Kuvendit dhe Qeverisë që janë jashtë Kosovës”, tha Gjurgjeala, i cili më tej shtoi se tentime të tilla kanë pasur qysh kur kanë dalë, mirëpo në asnjë moment nuk kanë qenë ato hallka të lidhura si duhet. Ai mendonte se këtë moment duhet ta shfrytëzojnë që gjërat të koordinohen dhe t’i ndajnë detyrat të cilat duhet t’i kryejnë delegatët, qeveria, partitë politike në Kosovë, mirëpo të gjitha këto koordinuara. Gjurgjeala vlerësoi se shumë pak është bërë për lëvizjen gjithëpopullore. “Unë i kam, në këtë kuptim, disa mendime të mija, por nuk po hy më gjerë. Më duket se aktiviteti mund të jetë shumë më i madh, nëse me të vërtet bëhen kontakte dhe lidhjet e përhershme për shkëmbim të informatave dhe koordinim. Nëse nuk do të ekzistojnë ato lidhje, atëherë më duket se aktiviteti do të ishte më i vogël, sepse askush nuk dëshiron të marrë përsipër barrën që nuk i takon. Neve do të na kishte takuar, sikur të kishim vepruar poshtë (në Kosovë), mirëpo meqë nuk po mundemi të veprojmë poshtë, nuk mund të marrim një barrë, sepse as që mundemi ta dimë se si është situata poshtë”, shtoi më tej Gjurgjeala, i cili apeloi që partitë politike, kryetarët e partive politike që veprojnë poshtë, gjithsesi të definojnë format e bashkëpunimit me Kuvendin dhe me Qeverinë, për hir të aktivitetit më të gjallë dhe më të frytshëm. Ai tha se është pritur më tepër prej Qeverisë, sepse delegatët nuk mund të tubohen të gjithë për të sjellë vendime të ndryshme. “Nga ana tjetër duhet të jemi objektiv se në Qeveri kemi vetëm katër veta, prej të cilëve, deri para pak ditëve dy ishin në burg. Në Qeveri janë formalisht 11 anëtarë, nga të cilët shumica janë në Kosovë, të tërhequr. Pra, bëhet fjalë për kooptim të njerëzve të ri për të formuar resorët të cilët janë më të nevojshëm për këto kushte. Natyrisht duhet të shikojmë ata anëtarë që dëshirojnë të futen në aktivitet më të gjallë. Këtu duhet të them se nuk mendoj se duhet ndonjë anëtarë i Qeverisë të largohet, sepse një gjë e tillë do të na kishte futur në provokacione tjera dhe në rreziqe tjera”, u shpreh Gjurgjeala. Ai tha se po e brengos çështja e cila po lexohet në gazeta, se a është dashur apo jo të dalin delegatët jashtë apo të ngelin dhe të veprojnë në Kosovë. Ai vlerësoi se këtu ka vend për diskutim, por jo përmes shtypit, sepse shtypi, sipas tij, krijon huti. “Ata që diskutojnë në atë mënyrë nuk e njohin situatën e Kuvendit edhe detyrat që kanë patur delegatët. Sepse po të ktheheshin delegatët në Kosovë, jam i bindur se do ta kishin eliminuar komplet Kuvendin”, tha mes tjerash në fjalën e tij, Bujar Gjurgjeala, i cili shtoi se Forumi demokratik duhet të funksionojë. Për çështjet kombëtare Gjurgjeala tha se duhet të inkuadrohen kapacitetet intelektuale të pa shfrytëzuara, pasi mendonte se ka mjaft intelektualë që duhet të japin kontributin e tyre. “Dua të them edhe një gjë: çdo njeri i cili mund të japë kontribut, pa marrë parasysh në çfarë pozita ka qenë në sistemin monist, duhet të angazhohet dhe të kyçet. Nuk guxojmë të merremi me ato gjëra të sistemit monist, se ky ka qenë ashtu ose kështu. Neve na nevojitet çdo njeri i cili mund të japë kontributin e vet”, tha para të pranishmëve Bujar Gjurgjeala. Prandaj, sipas tij, lypset mobilizimi i çdo individi, sepse është frika që dikush tjetër të mobilizon në shërbim të armikut. “Më duket se tash duhet bërë një renditje të lëvizjeve. Po frikohem se mos po futemi në disa gjëra që janë kafshatë e madhe dhe që të mos mundemi ta përpijmë. Nëse bukën e copëtojmë në kafshata, mund ta përpijmë nëse jo atëherë nuk mund ta përpijmë. Ndoshta kam qenë pak jo i sistematizuar, mirëpo edhe në këtë mbledhje, kur erdhëm, faktikisht nuk e kemi ditë as vendin se ku po mbahet dhe as rendin e ditës”, tha në fund Gjurgjeala. Në diskutim u inkuadrua edhe Veton Surroi, i cili vlerësoi se disa prej mendimeve të shprehur gjatë debatit janë shumë të afërta dhe nëse përsëriten atëherë janë pjesë e konsensusit. Ai vlerësoi se kanë të bëjmë me veprimin e tyre politik jashtë institucional midis një pjese të vendit dhe të viseve shqiptare të okupuara, të cilat janë në një mjedis dhe milje politike që nuk njeh kushtetutë dhe i cili kërkon përgjigje jokushtetuese dhe jo ligjore. “Dhe së dyti, kemi të bëjmë me veprimin tonë politik institucional, për një pjesë të elitës politik, e cili kërkon përgjigje ligjore, kushtetuese, intelektuale, politike në radhë të parë. Në pjesën e parë të aktivitetit tonë, ashtu edhe si ka filluar Lëvizja e jonë politike, më duhet të përkujtojë që ne nuk jemi iniciator të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ne jemi eksponent, ne jemi njerëz që njihemi në mjedise të ndryshme, po pikërisht në këtë dekadën e fundit që prej demonstratave gjithëpopullore e që kryesisht janë rrumbullakësuar në Lëvizjen e vitit 1988-89 e këndej, ku piqet një lëvizje e tërë”, tha mes tjerash Surroi. Rezistenca, sipas Surroit, në këtë veprim duhet të mbështetet në dy parime. Parimi i parë është e drejta natyrore e njeriut që të mbrohet nga dhuna, është e drejta të cilën nuk duhet urdhëruar, por ajo konsumohet personalisht. Kjo e drejtë, tha Surroi, nuk kërkon kujdestari politike nga askush dhe kjo duhet t’ju thuhet njerëzve haptazi, pasi presin që edhe për atë të drejtë natyrore duhet konsultuar partitë politike. “Për shembull, nëse ndodhë që polici me armë hynë në shtëpinë time, të maltretojë familjen time, unë kam të drejtë natyrore ta mbroj familjen time, integritetin tim, integritetin e shtëpisë time. Kjo është e drejta e cila duhet shfrytëzuar.”, tha Veton Surroi. Veprimi i dytë në këtë rezistencë, sipas Surroit, është shkallëzimi i formës së organizuar të qëndresës, pra shprehja e padëgjueshmërisë qytetare. “Ky është nocion i fundit i shekullit të kaluar dhe është i njohur në gjithë botën e civilizuar. Mosdëgjueshmëria qytetare, e cila shkon prej mohimit të obligimeve shtetërore, të shtetit autoritar, shteti i cili i jep detyra qytetarit e ai nuk i pranon, e deri te format kolektive të shprehjes së mospajtimit me atë shtet”, tha ndër të tjera Veton Surroi. (Vijon)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara