Shqetësimi qëndronte në faktin se ata të cilët ishin transportuar jashtë Maqedonisë, nuk kishin qenë të regjistruar askund dhe se UNHCR-së nuk i ishte dhënë asnjë informatë për identitetin e tyre. Ajo më tej theksonte se deri më 6 prill, 65.000 refugjatë të ngujuar me ditë të tëra në Bllacë, në tokën me baltë të quajtur “toka e askujt” në kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës, duke pritur të hyjnë në Maqedoni, refugjatët mbaheshin aty në kushte të tmerrshme, pa mbulesë mbi kokë, pa ndihma humanitare dhe pa përkujdesje mjekësore
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Duhet të vëmë në dukje faktin se po në këtë kohë, rreth 5000 shqiptarë tjerë të fshatrave të Kaçanikut, ishin detyruar t’i lëshonin vatrat e tyre për t’u vendosur në fshatin Glloboçicë, 1 km në afërsi të kalimit kufitar Jazhincë. Sipas zëdhënëses së UNHCR-së, Xhudi Koman, nga tetori i vitit të kaluar (1998), kur ishte arritur marrëveshja e armëpushimit, në Kosovë ishin regjistruar mbi 100 mijë të zhvendosur, ndërsa nga Konferenca e Rambujes e deri më 18 mars 1999, regjimi serb kishte “dëbuar nga shtëpitë e tyre mbi 60 mijë civil shqiptarë”. “Flaka” më 23 mars njoftonte se një ditë më parë, nëpërmjet kufirit të Bllacës e kishin kaluar mbi 600 refugjatë shqiptarë të Kosovës dhe se ky numër ishte në rritje e sipër. “Refugjatët, thuhej në njoftim, pjesa më e madhe gra, fëmijë e pleq, kufirin në grupe të vogla e kalojnë në këmbë ose me automjete. Refugjatët e rinj që po arrijnë në Maqedoni tani më nuk janë nga rajonet kufitare…, por kryesisht nga Kosova qendrore dhe rajonet tjera të Kosovës”, të cilët po e braktisnin Kosovën, për shkak “frikës nga konfliktet e reja” dhe nga prania gjithnjë e më e madhe e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
Dy ditë më pas, përkatësisht më 25 mars 1999, “Flaka” në faqen e parë njoftonte opinionin e gjerë shqiptarë dhe jo vetëm, për sulmet e para të NATO-s, ndaj caqeve serbe: “Mbrëmë rreth orës 20.00 NATO qëlloi caqet serbe në afërsi të Beogradit dhe Prishtinës. Klintoni deklaroi se qëllimet e sulmit ushtarak të aleancës janë dy – demonstrimi i seriozitetit të NATO-s dhe pagimi i çmimit nga ana e Millosheviqit për dhunën që ka bërë në Kosovë”. Në numrin e njëjtë, gazeta njoftonte për një takim të krerëve politik shqiptarë në Maqedoni me kryetarin e R. Maqedonisë, Kiro Gligorov, me ç’rast kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferi para gazetarëve vuri në dukje se “Maqedonia është e obliguar t’i respektojë konventat ndërkombëtare për një trajtim të gjithanshëm dhe human të të gjithë refugjatëve”. Sipas tij, ishte qasja e gabueshme që “refugjatët të shihen si shqiptarë”, e jo thjesht si të ikur nga terrori i soldateskës serbe, sepse refugjatët gjithnjë janë refugjatë dhe “në këto momente” nuk duhet të ketë përkatësi etnike. Lidhur me qëndrimin e opozitës maqedonase dhe të kryetarit Gligorov, rreth problemit me të dëbuarit shqiptarë nga Kosova, Arbër Xhaferi para gazetarëve u shpreh se “ qëndrimi i PDSH-së është i qartë dhe e mbështet angazhimin e NATO-s për zgjidhjen e krizës kosovare, mbështet praninë e forcave të NATO-s në Maqedoni dhe mbështet trajtimin human dhe të gjithanshëm të refugjatëve në Maqedoni…”.
Gjithnjë duke u mbështet në të burimet e “Flakës”, vala e të dëbuarve shqiptarë nga Kosova në Maqedoni sa vinte e shtohej. Kjo gazetë, duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, shkruante se në Maqedoni, deri më 28 mars ishin vendosur mbi 14.000 shqiptarë nga Kosova, prej të cilëve, 8.000 e kishin statusin e personave me kujdesje humanitare.
Ndërkohë, në shkrimin me titull “Ekzodus i kosovarëve në drejtim të kufirit Bllacë”, botuar më 30 mars 1999, gazeta informonte se në kalimin kufitar të Bllacës, disa mijëra shqiptarë të Kosovës, kryesisht gra, fëmijë e pleq, ishin futur në Maqedoni, duke lënë pas vetes “një kolonë disa kilometërshe të bashkëkombësve të vet”, të cilët edhe në orët e vona të mbrëmjes bënin përpjekje të hynin n ë Maqedoni. “…Qytetarët nga Kosova, thuhej në shkrim, shumica prej të cilëve me dhunë janë dëbuar nga soldateska serbe, rrëfejnë për shumë masakrime çnjerëzore që njeriu normal nuk mund t’i bëjë. Jehona e vajit të fëmijëve dhe të foshnjave që me orë të tëra me nënat e tyre pritnin në kufi, ishin të vetmit zëra që dëgjoheshin…”. Një ditë më pas, gazeta njoftonte se si pasojë e terrorit serb, disa dhjetëra mijëra kosovarë prisnin për të hyrë në Maqedoni. Sipas saj, gjendjen e vështirësonin edhe më shumë autoritetet policore maqedonase, të cilët edhe pse nuk e kishin mbyllur kufirin “duke e zvarritur me orë të tëra hyrjen e këtyre njerëzve, edhe më shumë e nxisin katastrofën e vërtetë humanitare”.
Për rrjedhojë, kryetari i Shoqatës humanitare “El Hilal”, Abdurauf Pruthi, më 31 mars 1999, akuzoi policinë maqedonase se po bën obstrucion ndaj të dëbuarve shqiptarë nga Kosova, të cilët pritnin më shumë se 3-4 ditë në kufirin e Bllacës për të hyrë në Maqedoni. Sipas tij, kufiri ishte i hapur vetëm formalisht “sa për sy e faqe” dhe se në pikën kufitare “të Bllacës” po ndodhte një katastrofë e vërtetë humanitare. Në të njëjtën ditë doli me komunikatë edhe Arbër Xhaferi, i cili ndër të tjerave demonstrat e organizuara ditë më parë para Ambasadës së SHBA-së, nga disa organizata, individ dhe parti politike maqedonase dhe serbe i cilësoi si të dirigjuara nga Beogradi, të cilat për qëllim kishin destabilizimin e Maqedonisë dhe rajonin, dhe në këtë mënyrë ta fajësojnë “NATO-n dhe sulmet e saj për acarim të marrëdhënieve ndëretnike këtu. Çdo demonstratë, vazhdon komunikata, çdo manifestim kujdoqoftë sot në Maqedoni, por edhe në botën krijon huti, përhapë frikë dhe i acaron objektivisht marrëdhëniet ndëretnike. Në këtë mënyrë me vetëdije apo pa të, njerëzit e pafajshëm instrumentalizohen në kuadër të projektit anti NATO të Milloshefiqit…”. Nisur nga kjo, Xhaferi, përveç se kërkoi nga organizatori, të heq dorë nga manifestimet e tilla, ai njëkohësisht u apelonte qytetarëve të Maqedonisë, që në vend se të dalin në ato demonstrata të kota, të dalin “krahëhapur për t’i pritur kosovarët”.
Reagimi i Pruthit dhe i Xhaferit, por edhe të partive politike, të shoqërisë civile dhe të shoqatave tjera humanitare shqiptare e ndërkombëtare, si duket e detyroi policinë maqedonase që më 31 mars pas orës 14,00, të lejoj kalimin e kufirit të mijëra qytetarëve nga Kosova, të cilët për shkak se nuk posedonin dokumente të udhëtimit mbi tridhjetë orë kishin qëndruar brenda zonës kufitare. Numri i saktë i qytetarëve shqiptarë që e kishin kaluar kufirin e Bllacës deri në mbrëmjen e asaj dite, siç raportonte gazetari i “Flakës”, B. Ajdini, nuk mund të dihej, por supozohej të ishte mbi 10 mijë. “Këta persona, shkruante B. Ajdini, edhe përkundër obstruksioneve të shumta nga ana e zyrtarëve të kufirit para dite, u ndihmuan nga ana e organizatave humanitare El Hilal, Catolic realife service, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar si dhe të aktivistëve të PDSH-së dhe vullnetarë nga Shkupi, të cilët me një vetmohim dhe trimëri të rrallë, arritën që të dërgojnë disa ndihma në ushqim dhe barëra për vëllezërit dhe motrat tona që kishin mbetur të ngujuar në meszonën kufitare më shumë se tridhjetë orë…”.
Ndërkohë, zv. ministri i Shëndetësisë, Muharem Nexhipi, i përgënjeshtroi lajmet që asaj kohe qarkullonin në opinion se, gjoja në mesin e refugjatëve, në zonën ndërkufitare ishte “përhapur sëmundja e kolerës dhe meningitisit”, duke theksuar se këto dezinformata “po zgjerohen nga njerëz dashakëqinj të cilët me shpalljen e këtyre dezinformatave, dëshirojnë që mos të lejojnë pranimin e refugjatëve nga Kosova dhe dëshirojnë të hapin karantinë në vendkalimet kufitare të Maqedonisë ose dëshirojnë deportimin e refugjatëve”. Më 7 prill 1999, “Flaka” përcillte deklaratën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, përmes së cilës ajo shprehte zhgënjimin lidhur me qëndrimin e Qeverisë së Maqedonisë ndaj vërshimit të refugjatëve nga Kosova. “Me shtimin e numrit të të ardhurve, theksohet në deklaratë, Maqedonia nuk po bën sa duhet për të ndihmuar refugjatët të regjistrohen, për t’i mbrojtur ata nga të ftohtit dhe për t’i hequr nga kampet tërë baltë të kufirit ku disa prej tyre kanë vdekur…”.
Në numrin e së shtunës (3-4 prill 1999), “Flaka” njoftonte se në “fushën e gjerë në meszonën kufitare Kosovë-Maqedoni, për rreth lumit të Lepencit”, duke filluar nga 31 marsi të atij viti, me tren kishin filluar të zbarkonin mijëra refugjatë nga Prishtina, Ferizaji dhe qytetet tjera të Kosovës, numri i të cilëve siç thuhej mund të arrinte nga 20 deri më 30 mijë njerëz, të cilët për dy ditë rresht qëndronin në ato hapësira të hapura. Ky numër, sipas nënkryetares së Qeverisë së Maqedonisë, Radmilla Kiprijanova ishte mbi 50 mijë. Këtë shifër ajo e paraqiti në konferencën për shtyp e cila u mbajt më 5 prill 1999 në objektet e Qeverisë, ku tha se në “Maqedoni janë regjistruar 57.530 refugjatë nga Kosova ndërsa mbi 50 mijë në zonën kufitare” të Bllacës. Më pas ajo njoftoi se në Maqedoni, ishte vendosur “urë ajrore për bartjen e refugjatëve nga Kosova në vendet tjera”. Ndaj kësaj, reagoi kryetari i organizatës humanitare EL Hilal, Abdurauf Pruthi, i cili në konferencën për shtyp që e mbajti më 5 prill 1999 tha se “kjo organizatë është kundër depërtimit për arsye humanitare”. Një qëndrim të tillë ai e mbështeti me faktin se, shumë anëtarë të familjeve të cilët pritnin për të hyrë në Maqedoni, tashmë ishin vendosur në ndonjë familje shqiptare dhe nëse këta nuk do të hynin në Maqedoni, por do të deportoheshinn në ndonjë shtet tjetër, atëherë do të humbnin gjasat për bashkimin e anëtarëve të familjes.
Kundër deportimit të popullsisë shqiptare të Kosovës të dëbuar me dhunë nga forcat pushtuese ushtarako-policore serbe, në një farë mënyre ishte edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Serxhio Balancinon, i cili më 6 prill 1999 qëndroi në Shkup, me ç’rast, para gazetarëve deklaroi se “nuk është dakord që refugjatët të depërtohen larg vendeve ballkanike, sepse atëherë më vështirë do të pranojnë të kthehen në Kosovë”. Balancion e shoqëronte, nënkryetarja e Qeverisë së Maqedonisë, Radmilla Kiprijanova, e cila i njoftoi gazetarët se për momentin në Maqedoni kishte 130.000 refugjatë, prej të cilëve 81.000 ishin të regjistruar. Më tej ajo tha se ishte në funksion e sipër “ura ajrore”, dhe se brenda dy ditëve ishin depërtuar 1.500 vetë për në Turqi, ndërsa nga kampi i Stenkovecit për në Turqi priten të depërtohen edhe 1.500 të tjerë, si dhe 600 vetë për Norvegji. Lidhur me këtë, “Flaka” e përcillte deklaratën e zëdhënësit të NATO-s, Xhemi Shea, dhënë gazetarëve me 6 prill 1999 në Bruksel, ku ndër të tjerave shprehet se, vendet e NATO-s, do të strehonin 100.000 shqiptarë nga Kosova. “Vendet e NATO-s, thekson Shea, kanë shpallur edhe kontingjentet e njerëzve që ata do të strehojnë përkohësisht: Gjermani 40.000, Shtet e Bashkuara 20.000, Turqia 20.000, Norvegjia 6.000, Kanadaja 5.000 dhe Greqia 5.000”.
Menjëherë pas kësaj deklarate, situata në Bllacë sikur filloi të normalizohej. Gazetarët e “Flakës” që qëndronin në këtë pikë kufitare, më 6 prill 1999 raportonin për një situatë më të relaksuar. “…Për dallim nga ditët tjera, theksohej në raport, kur kishim fluks të vazhdueshëm të refugjatëve, sot ka proces tjetër: mungon presioni për hyrje nga territori kosovarë, kurse ata të cilët e kanë kaluar kufirin, intensivisht po barten me autobus për Stenkovec, prej nga pas kontrolleve mjekësore, vazhdojnë për aeroport ku i presin aeroplanët për Turqi, Norvegji dhe vende tjera evropiane…”. Dy ditë më vonë, gazeta në fjalë, duke u mbështetur në burimet zyrtare dhe jozyrtare, njoftonte opinionin se nga data e djeshme (7 prill), në zonën neutraler “Maqedoni – Hani i Elezit nuk ka pasur asnjë refugjatë nga Kosova”. Këtë e pohoi edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Muharem Nexhipi, i cili i deklaroi gazetarit të “Flakës” se në zonën neutrale më nuk kishte asnjë qytetarë shqiptarë nga Kosova. “Tani, shprehet ai, situata është krejtësisht më e relaksuar. I shpëtuam më të keqes-paraqitjes dhe shpalljes së epidemisë. Vënia eventuale në karantinë e gjithë këtyre, do të kishte pasoja të paparashikueshme për fatin e tyre”.
Ndonëse situata në Bllacë, falë ndërhyrjes së shpejtë të NATO-s, po normalizohej, sikur kjo nuk i kënaqte apetitet e disa partive opozitare maqedonase, të cilat krahas “urës ajrore”, kërkonin të hapen edhe “korridore tokësore”, përmes së cilave të dëbuarit shqiptarë të Kosovës, do të depërtoheshin nga Maqedonia. Një kërkesë të tillë e paraqiti nënkryetari i Partisë Liberale Demokratike, Jovan Manasievski, i cili në konferencën për shtyp që e mbajti më 6 prill 1999, ndër të tjerave tha se “stabiliteti dhe siguria kombëtare e shtetit” ishte “rrezikuar” nga vala masive e refugjatëve nga Kosova. Sipas tij, katastrofa humanitare përbënte një dramë të vërtetë, e cila çonte kah “destabilizimi i shtetit dhe rajonit”, duke shtuar se partia e tij, ishte e dëshpëruar nga reagimi i ngadalshëm i ndërkombëtarëve ndaj krizës së refugjatëve, dhe se numri prej 100 mijë refugjatësh që do të strehoheshin nga vendet e NATO-s “nuk ishte i mjaftueshëm”, prandaj kërkoi që përveç korridorit ajror, të hapeshin edhe “dy korridore tokësore që do t’i depërtonin refugjatët kosovarë në drejtim të Durrësit dhe Selanikut”, me arsyetimin se përreth kufirit të Maqedonisë “presin edhe 240 mijë refugjatë dhe një valë tjetër që pritet të arrijë”.
Çuditërisht, në të njëjtën ditë kur J. Manasievski e shpalosi kërkesën e partisë së tij, autoritetet qeveritare maqedonase organizuan bartjen e mira refugjatëve shqiptarë të Kosovës për në Shqipëri. Këtë informatë para gazetarëve, e paraqiti me 8 prill 1999, nënkryetarja e Qeverisë së Maqedonisë, R. Kiprijanova, e cila tha se “prej parmbrëmë nga vendkalimi Bllacë dhe qendra e pranimit në Stenkovec, me 119 autobusë për në Shqipëri janë bartur 9.200 refugjatë. Një pjesë e tyre janë vendosur në Pogradec, ndërsa pjesa tjetër në Korçë”.
(vijon nesër)