Ora 02:35
Gjyla Çeliku me rekord të ri, partia e saj merr më së paku vota në historinë e zgjedhjeve parlamentare
Gjyla Çeliku, kryetare e Lëvizjes Qytetare Europiane është rekorderja e re për numrin më të vogët të votave të grumbulluara në zgjedhje parlamentare. Të mërkurën, më nivel shteti, LQE ka grumbulluar gjithsej 241 vota, pse 0.02% të trupit votues, shkruan gazeta KOHA.
Deri dje, rekordin për numrin më të vogël që ka grumbulluar vota e ka patur koalicioni i Mirjana Najçevskës dhe Janko Baçevit, konkretisht koalicioni “Partia Yte” dhe “Maqedonia Unike” e që në zgjedhjet e vitit 2020, bashkë kishin grumbulluar rreth 1900 vota.
Ora 00:08
Kovaçevski i turpëruar: Rezultati është zhgënjyes, LSDM-së iu dha goditje e rëndë
Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë, tha kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në konferencën për media në selinë e partisë rreth rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e dyfishta dhe paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe zgjedhje të reja për kryetar dhe udhëheqësi të partisë.
Ai i vlerësoi zgjedhjet si korrekte dhe të lira, të organizuara sipas standardeve evropiane dhe ky është një hap i madh përpara si rezultat i lirisë së mediave dhe paqes dhe stabilitetit që kemi vendosur në vitet e kaluara. Ai i uroi fitoren konkurrentit politik VMRO-DPMNE dhe kryetarit të tyre Hristijan Mickoski si dhe Gordana Siljanovska Davkovës për zgjedhjen si presidente duke i dëshiruar që ta kryejë funksionin sipas kompetencave kushtetuese dhe përkushtimit euroatlantik. Ai përgëzoi edhe qytetarët dhe anëtarësinë e LSDM-së ku edhe përkundër rezultateve të raundit të parë, dolën të votojnë me dinjitet dhe ndihmuan në arritjen e censusit për zgjedhjen e presidentit.
“LSDM përsëri tregoi patriotizëm dhe përgjegjësi për të qindtën herë. Më lehtë ishte që pas gjithë atyre akuzave dhe sulmeve të rreme nga VMRO-DPMNE të mos e mobilizonim anëtarësinë tonë për mosvotim në zgjedhjet presidenciale, por nuk ramë në atë kurth. Dëshmuam se Maqedonia është më me rëndësi për ne dhe kështu do të jetë gjithmonë. Rezultati i sotëm është zhgënjyes. LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët dhe mbështetësit e partisë. Në periudhën e ardhshme do të duhet më seriozisht dhe më thellë të gjejmë burimin dhe arsyet e këtij rezultati humbës”, tha Kovaçevski.
Ai paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja të të gjitha organeve partiake, duke filluar nga kryetari i partisë, udhëheqësia e deri te të gjitha organet e partisë.
“Nuk kam dyshim se shumë qytetarë sonte ndjejnë frikë, frikë nga pushteti i tepruar që ka një parti e cila njihet për shpërdorim të forcës. LSDM dhe koalicioni duhet të jenë një opozitë e fortë, e përgjegjshme dhe burrështetase”, tha Kovaçevski. Ai shtoi se viti i ardhshëm është një mundësi për vendin që të vazhdojë integrimin evropian dhe nënvizoi se nëse humbet ai shans mund të humbet edhe një dekadë, por ndoshta një gjeneratë tjetër. “LSDM do të sillet me përgjegjësi, por topi tani është në duart e qeverisë së re të udhëhequr nga Hristijan Mickoski”, tha Kovaçevski duke paralajmëruar mbi pasojat e përpjekjeve të mundshme për të bllokuar rrugën e Evropës dhe duke potencuar se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE.
Ora 00:05
Mickoski: Koha që BDI bashkë me LSDM-në të shkojnë në opozitë
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se kënaqësi e veçantë për të është që është mposhtur, siç e quajti ai, bojkoti i BDI-së, përcjell TV21. Miickoski tha se është koha që BDI bashkë me LSDM-në të shkojnë në opozitë.
“Është mposhtur edhe bojkoti i BDI-së. Kjo fitores sonë i jep kënaqësi të veçantë. Populli tregoi që nuk do të lejojë që individë të krijojnë kriza dhe përmes institucioneve të mbrojnë veten. BDI tregoi më së paku që është parti që kujdeset për Maqedoninë dhe u bë një strukturë e fuqishme kriminale, por goditën kokën dhe e bojkotuan vetveten. Është koha që bashkë me LSDM-në të shkojnë në opozitë”, theksoi Mickoski.
Ora 23:52
Ky është numri i deputetëve të fituar në gjashtë Zonat zgjedhore
Sipas projeksioneve të KSHZ-së, nga votat e numëruara deri më tani Koalicioni “Maqedonia jote” e VMRO-DPMNE-së në përbërjen e ardhshme 120 anëtarëshe të Kuvendit do të kishte 59 deputetë, koalicioni Fronti Evropian i BDI-së 19 mandate, Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 18, Koalicioni nga blloku opozitar shqiptar VLEN 13, E majta 6, Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë pesë deputetë.
Në NJËSINË E PARË ZGJEDHORE, Koalicioni “Maqedonia jote” i VMRO-DPMNE-së do të kishte 10 deputetë, Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 3 mandate, E majta, koalicioni Fronti Evropian i BDI-së dhe Koalicioni i bllokut opozitar shqiptar VLEN nga 2 deputetë dhe Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë një deputet.
Në NJËSINË E DYTË ZGJEDHORE, Koalicioni “Maqedonia e jote” e VMRO-DPMNE-së do të kishte 9 deputetë, koalicioni Fronti Evropian i BDI-së katër mandate, Koalicioni nga blloku opozitar shqiptar VLEN 3 deputetë, Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 2 mandate, përderisa E majta dhe Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë nga një deputet.
Në NJËSINË E TRETË ZGJEDHORE, Koalicioni “Maqedonia e jote” i VMRO-DPMNE-së do të kishte 14 deputetë, Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 4 mandate, ndërsa E majta dhe Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë nga një deputet.
Në NJËSINË E KATËRT ZGJEDHORE, Koalicioni “Maqedonia e jote” e VMRO-DPMNE-së do të kishte 13 deputetë, Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 5 mandate, përderisa E majta dhe Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë nga një deputet.
Në NJËSINË E PESTË ZGJEDHORE, Koalicioni “Maqedonia jote” e VMRO-DPMNE-së do të kishte 10 deputetë, koalicioni Fronti Evropian i BDI-së – 4 mandate, Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 3 mandate, E majta, Koalicioni i bllokut opozitar shqiptar VLEN dhe Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë nga një deputet.
Në NJËSINË E GJASHTË ZGJEDHORE, koalicioni Fronti Evropian i BDI-së do të kishte nëntë mandate, Koalicioni nga blloku opozitar shqiptar VLEN 7 deputetë, Koalicioni “Maqedonia e jote” i VMRO-DPMNE-së 3 deputetë dhe Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM një deputet.
Ora 23:46
Nisin dorëheqjet e para, Bytyqi braktis postin e nënkryetarit të LSDM-së
Pas disfatës së madhe të sotme në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, Fatmir Bytyqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të LSDM-së, ndërsa priten edhe dorëheqje tjera ditëve në vijim.
Ndryshe, LSDM ka pësuar humbjen më të madhe të saj në historinë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa e njëjta rrezikon të mbetet me vetëm 19 deputetë.
Postimi i plotë i Fatmir Bytyqit në Facebook:
“Jam këtu para jush si falënderues dhe me ndjenjë që shkon përtej rezultateve të zgjedhjeve parlamentare. Vota juaj për listën e deputetëve të LSDM-së dhe Koalicionin për Ardhmërinë Evropiane, ku unë isha bashkëbartës në Njësinë Zgjedhore Nr. 2, nuk është thjeshtë një numër, por është shprehje e besimit të jush ndaj nesh, me ç’rast shprehi respekt të madh.
Votat që morëm janë dhe një obligim i madh. Obligim të vazhdojmë misionin tonë politik, të forcojmë dialogun dhe t’i dëgjojmë nevojat e bashkëqytetarëve tanë. Por, një pjesë e përmbushjes së këtij obligimi kërkon edhe përgjegjësi politike, kërkon ndryshim. Si nënkryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, i përkushtuar për vlerat etike dhe demokratike, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të partisë. Dorëheqja ime do të jetë plotësisht efektive kur të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe pjesa tjetër e shokëve të mi që përbëjnë kryesinë e partisë – nga i pari deri tek i fundit.
Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam kërkuar përgjegjësi personale nga të gjithë faktorët – dhe ky akt është pikërisht ai. Dhe dorëheqja e udhëheqësisë është një hap i domosdoshëm drejt rikthimit të besimit të qytetarëve dhe hapjes së rrugës drejt suksesit të ardhshëm politik.
Dorëheqja nuk paraqet akt politik të humbjes së idesë socialdemokrate, por mesazh dhe sfidë për përmirësimin dhe rishqyrtimin e LSDM-së. Pranimi i përgjegjësisë politike nuk do të jetë shenjë e dobësisë, por shprehje e pjekurisë demokratike personale dhe partiake, si dhe gatishmëri për t’u ndryshuar dhe rritur – dhe t’i japim përparësi interesit kolektiv mbi ambiciet personale.
Sërish le të kthehemi në mesin e qytetarëve, të dëgjojmë pulsin e tyre dhe t’i kuptojmë nevojat e tyre të cilat janë vlerat tona socialdemokrate. Vetëm në këtë mënyrë mund të dalim me ide, qasje dhe energji të reja që mund ta forcojnë vizionin dhe strategjinë e LSDM-së, ashtu që të kthehemi kokë lartë në arenën politike për të fituar betejën për Maqedoninë evropiane – një premtim që ua dhamë qytetarëve dhe që ua kemi borxh t’ua përmbushim atë.
Në fund: le të jetë ky një fillim i ri që do të bashkojë të gjithë shokët e sinqertë në idenë e socialdemokracisë, në idenë e bashkëjetesës, në idenë e një shoqërie për të gjithë ku mbretëron drejtësia, solidariteti dhe barazia.
Për një LSDM të fortë dhe unike!
Ora 23:40
Fronti Europian dhe VLEN mbeten me 0 deputet në Njësinë 3 dhe 4 zgjedhore
Në Njësinë 3 Zgjedhore dhe Njësinë 4 Zgjedhore, Fronti Europian dhe koalicioni VLEN kanë mbetur pa asnjë deputetë.
Koalicioni “Maqedonia e jote” i VMRO-DPMNE-së në Njësinë 3 zgjedhore, sipas rezultateve preeliminare, do të ketë 14 deputetë, koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 4 mandate, ndërsa E majta dhe Lëvizja ZNAM nga 1 deputet.
Në Njësinë 4 Zgjedhore, Koalicioni “Maqedonia e jote” e VMRO-DPMNE-së do të ketë 13 deputetë, koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 5 mandate, përderisa E majta dhe Lëvizja ZNAM nga 1 deputet.
Ora 23:35
Festë e madhe para selisë së VMRO-DPMNE-së
Para selisë së VMRO-DPMNE-së në Shkup ka nis festë e madhe dhe po tubohen mbështetës në pritje të rezultateve të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare.
Rezultatet e para nga rrethi i sotëm i dytë i zgjedhjeve presidenciale të cilat Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i publikon në ueb-faqen e saj, tregojnë se nga gati gjysma e fletëve të votimit të përpunuara, prin kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova me 235.552 vota të fituara (63,42 për qind), ndërsa Stevo Pendarovski nga LSDM ka 111.703 (30,07 për qind).
Përderisa, rezultatat e para nga zgjedhjet e sotme parlamentare të cilat KSHZ i publikon në ueb-faqen e saj, tregojnë se nga 54,36 për qind të votave të përpunuara nga vendvotimet, Koalicioni “Maqedonia e jote” e VMRO-DPMNE-së ka fituar 188.616 (39,14%), Fronti Evropian i BDI-së 84.156 (17,46%), Koalicioni i bllokut opozitar shqiptar VLEN 69.445 (14,41%), ndërsa Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 63.641 (13,21%).
Ora 23:15
Ahmeti: Fronti Europian është forca e dytë në shtet
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në paraqitjen e tij para mediave në selinë e partisë në Tetovë, tha se Fronti Europian është forca e dytë në shtet pas zgjedhjeve të djeshme. Ai tha se preferon të priten rezultatet zyrtare, pasi siç u shpreh, akoma finalja nuk është e deklaruar nga KSHZ si i vetmi organ legjitim që shpall rezultatet dhe pasi të shpallen zyrtarisht, tha Ahmeti, pastaj mendojmë për punët që na presin më tutje.
“Legjitimitetin na e kanë dhënë qytetarët. Legjitimitetin e kemi si forcë e dytë në shtet. Shtetit i duhet paqja, stabiliteti, duhet të respektohet vota e shumicës së komunitetit shumicë në vend dhe për këtë duhet të mbajnë llogari të gjithë. Shumica e shqiptarëve dhe komuniteteve të vogla si turqit, boshnjakët dhe romët të cilët i falënderoj dhe është hapi i parë drejt stazave të gjata të Frontit Europian deri në anëtarësim të plotë në BE”, tha ai.
Sipas Ahmetit, sot shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë dhe mbledhjeve ndërqeveritare për fillim zyrtar të anëtarësimit në BE. “Mbetemi fronti i fortë i misionarëve deri në realizimin e qëllimeve finale për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.
Ora 23:00
Kasami: Prej nesër fillojnë negociatat për qeverinë e re
Koalicioni VLEN doli fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Nga nesër fillojnë negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve, deklaroi Bilall Kasami nga Lëvizja BESA. Kjo, sipas Kasamit është rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë.
“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj ju them 100 mijë herë ‘faleminderit, faleminderit, faleminderit!’ të gjithë atyre që erdhën dhe bënë ndryshimin në atdhe!”. Prandaj në emër të 100 mijë votave koalicionit VLEN ju themi faleminderit”, tha Kasami.
Sipas analizave që kemi, Kasami tha se me gjasë do të dalin me të njëjtin numër deputetësh sa koalicioni i BDI-së. “Diferenca në vota nuk do të kalojë 10 mijë”, thekson Kasami.
Ora 22:45
Siljanovska Davkova: Do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve
Unë them se do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve. Kjo domethënë e të gjitha grupeve etnike, e të gjithë anëtarëve të partive, e atyre që nuk janë në parti, sepse nuk mundet asnjë president të kërkojë unitet, nëse ruan vija partiake, deklaroi kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova. Në konferencën e sotme për media në Shtabin Qendror Zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, Siljanovska Davkova tha se portat e, siç tha, “zyrave të huazuara qytetare” janë të hapura për të gjithë.
“Atë që e premtova në fushatën para zgjedhjeve, duke filluar nga zyrat popullore, përmes paraqitjeve në Parlament, përmes personaliteteve në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Sigurisë, se do t’i kryej në bazë të profesionalizmit, kompetencës dhe nuk do ta harroj diversitetin”, tha ajo. Siç shtoi, duhet të bëjmë përpjekje t’i japim fund ballkanizimit, t’i ndihmojmë njëri – tjetrit, të jemi politikanë.
“Për këtë duhet të fillojmë të kuptohemi mes vete, të ndihmohemi, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje”, tha ajo, duke shtuar se rrugët e saj prijnë së pari në Ballkan, ndërsa Brukseli, siç shtoi, nuk lihet anash. Siljanovska Davkova potencoi se do t’i mbrojë interesat shtetërore dhe kombëtare.
Ora 22:25
Koalicioni “VLEN” feston në Tetovë
Koalicioni “VLEN” sonte festoon edhe në Shtabin zgjedhor në Tetovë. Të pranishëm janë tre liderët Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Afrim Gashi nga Alternativa dhe Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike. Në konferencën e parë për media në Shkup pas mbylljes së kutive të votimit, Mexhiti tha se “VLEN” është faktori i ri politik që do t’i përfaqësojë denjësisht shqiptarët.
Nga ana tjetër, shefi i Shtabit zgjedhor të Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI, Arbër Ademi sonte në konferencën e dytë për media në Tetovë tha se nga gjysma e votave të përpunuara, prijnë me më shumë se 30 mijë vota kundrejt koalicionit “VLEN”.
Ora 22:20
Pendarovski e pranon humbjen: Rezultatet janë të qarta, koncepti im nuk mori mbështetje
Rezultatet janë të qarta dhe nuk kam për qëllim që në hollësi t’i sqaroj, dua t’i uroj fituesit dhe tu dëshiroj punë të suksesshme në katër, gjegjësisht pesë vitet e ardhshme, deklaroi sonte në konferencë për media kandidati për president i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni i cili garoi për mandat të ri, Stevo Pendarovski.
“Koncepti im për Maqedoni multietnike plotësisht e integruar në strukturat euro-atlantike për fat të keq nuk mori mbështetje dhe jam i bindur thellë se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e sukseshme”, tha Pendarovski.
Jam i bindur thellë, vazhdoi Pendarovsi, se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e suksesshme, dhe ndërgjegjja ime është e pastër, por nuk besoj se e kanë të pastër ata të cilët penguan mijëra qytetarë që ta marrin edhe fletën e dytë dhe të votojnë për zgjedhjet presidenciale, duke iu referuar bojkotit të zgjedhjeve presidenciale. Pendarovski i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që mundësuan që kjo ditë zgjedhore të zhvillohet në atmosferë demokratike, ndërsa për disa shkelje, theksoi ai, ua lëmë institucioneve kompetente që ta zgjidhin këtë.
Ora 22:15
VMRO trefish më shumë sesa LSDM
VMRO-DPMNE njëjtë sikurse kandidatja e saj për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, para LSDM-së ka trefish më vota. Konkretisht, nga 75.24% e kutive të numëruara, VMRO ka marrë 310.231 vota (42.33%), LSDM 105.780 vota (14.43%), Fronti Europian 108.114 vota (14.75%), VLEN-i 86.375 vota (11.78%), ZNAM i Dimitrievskit 37.783 vota (5.16%), ndërsa Levica 50.163 vota (6.84%). Përllogaritjet e para tregojnë se LSDM nuk do ta kalojë numrin prej 20 deputetëve maksimumi, ndërkohë që VMRO do të ketë 58 deputetë!
Ora 21:50
Siljanovska Davkova me 200 mijë vota para Pendarovskit
Rezultatet e para të raundit të dytë të sotëm të zgjedhjeve presidenciale që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i publikon në ueb faqen e vet, tregojnë se nga rreth 70 për qind e votave të numëruara, kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova udhëheq me 382.739 të fituara (64,52%) nga 70 për qind të kutive të numëruara, ndërsa Stevo Pendarovski nga LSDM ka gjithsej 174.538 ose 29%).
Sipas të dhënave të KSHZ-së, Siljanovska Davkova udhëheq në 67 komuna, ndërsa Pendarovski në 12.
Për president në raundin e dytë të votimeve do të zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave, nëse për të kanë votuar mbi 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar, gjegjësisht 725.727 votues përcaktuar sipas Kodit zgjedhor dhe 362.864 zgjedhës. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski sonte deklaroi se sipas të dhënave të marra deri në orën 18:30 dalja në zgjedhjet për president të shtetit ka qenë 46,34 për qind.
KSHZ-ja i publikon rezultatet fillestare të votimit në mënyrë elektronike dhe të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet e procesverbalit nga KKZ-ja në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve. Rezultatet përfundimtare KSHZ-ja i publikon në afat prej 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre.
Ora 21:36
Ademi thotë se Fronti Evropian ka mbi 30 mijë vota më shumë se VLEN-i
Shefi i Shtabit zgjedhor të Frontit Evropian, Arbër Ademi sonte në konferencën e dytë për media bëri të ditur se nga gjysma e votave të numëruara, koalicioni “Fronti Evropian” prin me mbi 30 mijë vota kundrejt koalicionit “VLEN”.
“Nga 50 për qind e votave të numëruara, sipas rezultateve preliminare, diferenca mes Frontit Evropian dhe opozitës është mbi 30 mijë vota. Jemi në avantazh pothuajse në të gjitha komunat. Në Dibër 2:1, në Strugë më shumë se 2:1, Kërçovë 5:1, Vrapçishtë më shumë se 2:1. Në avantazh jemi edhe në Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Likovë…”, deklaroi Ademi. Vlerësimet e koalicionit janë se do të kenë mbi 20 mandate deputetësh.
Ora 21:20
Këto janë rezultatet fillestare: VMRO 33.19%, BDI 23.41% , VLEN 19.55%, LSDM 11.19%, ZNAM 3.63%, E Majta 5.08%
Rezultatet fillestare nga zgjedhjet e sotme parlamentare të cilat Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i publikon në ueb-faqen e saj, tregojnë se nga 21 për qind e vendvotimeve të përpunuara, Koalicioni “Maqedonia e jotja” e VMRO-DPMNE-së ka fituar 47.196 (33,19%), Fronti Evropian i BDI-së 33.284 (23,41%), Koalicioni i bllokut opozitar shqiptar “VLEN” 27.792 (19,55%), ndërsa Koalicioni për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM 15.908 (11,19%).
E majta ka 7.228 (5,08%), Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë 5164 (3,63%). Partitë dhe koalicionet e tjera të cilat morën pjesë në zgjedhje kishin nën një për qind vota. Të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare kishin 1.815.350 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore. U votua në bazë të modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Votimi për zgjedhjet parlamentare në diasporë nuk u realizua sepse nuk pati numër të mjaftueshëm të qytetarëve të regjistruar.
Në Njësinë e Parë Zgjedhore ka 313.183 votues, në të Dytën 321.087, në të Tretën 275.034, në të Katërtën 278.721, në të Pestën 310.216 dhe në Njësinë e Gjashtë Zgjedhore 317.109 votues. KSHZ rezultatet e para të votimit të mara në mënyrë elektronike i publikon vazhdimisht, ndërsa rezultatet nga procesverbalet nga KKZ në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve KSHZ i publikon në afat prej 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre. Këto janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare që nga pavarësia e shtetit.
Ora 20:40
Dashtevski: Kemi pasur zgjedhje të suksesshme, korrekte dhe demokratike
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) Aleksandar Dashtevski sonte në konferencën për media vlerësoi se zgjedhjet e sotme të dyfishta – raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare ishin korrekte dhe demokratike dhe se ato ishin realizuar me sukses dhe profesionalizëm. “E drejtë e barabartë e votës u është dhënë të gjithë qytetarëve. Ata votuan me vullnetin e tyre”, theksoi Dashtevski duke falënderuar të gjitha organet zgjedhore për punën e tyre, mediat për raportimin pozitiv, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
Sipas tij, sot janë konfirmuar vlerësimet e organizatave ndërkombëtare dhe vendore për zgjedhje të organizuara pa ndërprerje në kushte kur zhvillohen dy palë zgjedhjesh.
Dashtevski informoi se është arrit censusi për zgjedhjet presidenciale. Kështu që deri në orën 18:30 nga të dhënat e përpunuara nga 3.186 vendvotime, dalja është 46,31 për qind, ndërsa dalja më e madhe ka qenë në Novaci 72,76 për qind, ndërsa më e ulëta në Likovë, 7,35. Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare është 53.30 për qind nga 3.186 për qind të votave të përpunuara, ku për të votuar kanë dalë 887.767 qytetarë. Dalje më të madhe ka pasur në Novaci 74,85 për qind, ndërsa më e ulëta në Qendër Zhupë 18,62 për qind.
Pjesëmarrja në Njësinë e parë zgjedhore është 59,32 për qind, në Njësinë dy 52,39, në Njësinë e tretë 57,77 për qind, në Njësinë e katërt 58,36 për qind, në Njësinë e pestë 50,91 dhe në Njësinë e gjashtë 40,0 për qind. Gjatë ditës janë paraqitur 490 ankesa mbi të drejtën e votës, nga të cilat 263 janë pranuar, 33 janë hedhur poshtë, 88 janë refuzuar dhe të tjerat janë në procedim. Votimi, siç ka thënë Dashtevski do të vazhdojë në vendvotimet në Zelenikovë, Gazi Babë, Qendër dhe Koçan. Pritet që KSHZ-ja të dalë me rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve më së voni në orën 23:30.
Ora 20:00
Deri në orën 18:30, jehona është 46.34 për qind për presidenciale, 53.15 për qind për parlamentaret
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski sot pasdite deklaroi se ka dalje solide. Deri në orën 18:30 në zgjedhjet presidenciale dalja është 46.34 për qind, ndërsa në zgjedhjet parlamentare 53.15 për qind. Dalje më të madhe për zgjedhjet presidenciale ka në Novaci, me 72.76 për qind, ndërsa dalja më e ulët për zgjedhjet presidenciale është në Likovë, me 7.35 për qind.
Krahasuar me raundin e dytë të Zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019, kemi rritje të daljes prej 1.84 për qind, njoftoi KSHZ.
Deri në orën 18:30, kanë arritur të dhëna për daljen e votuesve për Zgjedhjet parlamentare prej 1.906 vendvotime. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar i votuesve 953.903 në këto vendvotime, kanë votuar 507.040 respektivisht 53.15 për qind. Dalje më e madhe për zgjedhjet parlamentare ka në Krivogashtan 82.43 për qind, ndërsa dalja më e ulët për zgjedhjet parlamentare është në Qendër Zhupë me 18.62 për qind.
Dalja sipas njësive zgjedhore për zgjedhjet parlamentare është kjo: Njësia Zgjedhore Një 59.14 për qind, Njësia Zgjedhore Dy 48.61 për qind, Njësia Zgjedhore Tre 57.87 për qind, Njësia Zgjedhore Katër 57.49 për qind Njësia Zgjedhore Pesë 53.45 për qind Njësia Zgjedhore Gjashtë 37.36 për qind.
Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 490 ankesa për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore. “Prej tyre 262 ankesa janë miratuar dhe zgjedhësve u është mundësuar ta realizojnë të drejtën e tyre të votës, 33 ankesa janë hedhur poshtë si të parregullta, ndërsa 88 ankesa janë refuzuar. Ankesat e tjera janë në përpunim e sipër”, thonë nga KSHZ.
Ora 19:30
Ademi: Fronti Europian sonte do të dëshmojë fitoren historike
Zëdhënësi i Shtabit Qendror të Fronti Europian, Arbër Ademi, në paraqitjen e para mediave sapo u mbyllën kutitë e votimit, tha se Fronti Europian sonte do të dëshmojë fitoren historike në këtë Referendum popullor, me çka do të vuloset e ardhmja europiane e vendit. Ai, pasi ka falënderuar çdo votues që sot realizoi të drejtën e votës, ka thënë se procesi i votimit u zhvillua i qetë dhe pa ndonjë incident që do të mund të ndikonte ndjeshëm në procesin e votimit
Konferenca e plotë e Frontit Europian:
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë të Maqedonisë së Veriut,
Kutitë e votimit tashmë janë mbyllur, ndërsa konstatojmë se procesi i votimit u zhvillua i qetë dhe pa ndonjë incident që do të mund të ndikonte ndjeshëm në procesin e votimit.
Më lejoni që në emër të Shtabit Qendor zgjedhor të Frontit Europian të falënderoj çdo votues veç e veç që zgjodhi të ardhmen europiane të vendit dhe dënoi tentativat e opozitarëve, të cilët nëpërmjet propagandës, lajmeve të rreme dhe dezinformatave, dëshiruan të mbjellin frikë dhe panik te qytetarët që sot, megjithatë, nuk ranë pre e provokimeve.
Njëkohësisht, Fronti Europian falënderon të gjithë vëzhguesit për vullnetarizmin dhe përkushtimin e tyre për vëzhgimin e zgjedhjeve Parlamentare dhe Presidenciale të ditës së sotme. Është ky shpirt vullnetarizmi që mundësoi realizimin me përpikmëri të së drejtës qytetare për votim të qetë dhe demokratik.
Fronti Europian sonte do të dëshmojë fitoren historike në këtë Referendum popullor, me çka do të vuloset e ardhmja europiane e vendit. Kthim mbrapa nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë, sepse vullneti dhe verdikti i qytetarëve është mbi të gjithë. Më 24 prill dhe sot, populli e tha fjalën e tij dhe Fronti Europian do t’i qëndrojë besnik përgjithmonë vullnetit të votuesit. Sonte, fitorja është e jona, e të gjithë juve që i thatë JO Rusisë dhe PO Europës.
Fronti Europian është garanci se, ashtu sikurse sot në këtë Referendum – pjesëmarrja aktive dhe masive e qytetarëve në proceset politike do të jetë vendimtare në avancimin e mëtejshëm të demokracisë në Maqedoninë e Veriut.
Bashkë në fitore të tjera
Ora 19:20
Escobar: Pavarësisht zgjedhjeve, integrimi në BE duhet të vazhdojë
Në konferencën e fundit për media, Gabriel Escobar, i cili largohet nga pozita e zëvendësndihmës sekretarit shtetëror për Evropë dhe Euroazi, tha se pret që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e integrimeve evropiane pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të sotme.
Pas tre vitesh Gabriel Escobar largohet nga posti i Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Në daljen e fundit para gazetarëve, Escobar deklaroi se ende shpreson për përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe, siç tha ai, zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, që duhet të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve. Escobar nuk harroi të përmendte pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe ai ishte i qartë për pritshmëritë e Uashingtonit nga vendi pas përfundimit të zgjedhjeve të dyfishta të sotme.
“Për pjesën tjetër të rajonit, dua të them gjithashtu se një nga gjërat që jemi shumë të lumtur që kemi arritur është se ne që disa vende nga Ballkani Perëndimor janë solide në rrugën e integrimit euroatlantik, veçanërisht ato që janë anëtare të NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat janë plotësisht të angazhuara në të gjithë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kam besim dhe shpresoj se pavarësisht zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ajo rrugë drejt Evropës do të vazhdojë”, tha Gabriel Escobar.
Edhe pse po largohet, ai ka besim se politikat dhe programet që janë vendosur në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit do të ndihmojnë rajonin dhe në fushën e pajtimit dhe në fushën e integrimit euroatlantik të vendeve.
Ora 17:58
Arrihet censusi prej 40% për presidencialet
Deri në orën 17 kanë mbërritur të dhëna për jehonën e votuesve për Zgjedhjet presidenciale nga 2 040 vendvotime. Nga gjithsej 1 069 021 votues të regjistruar në këto vendvotime, kanë votuar 452 412 gjegjësisht 42,32 për qind, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Jehonë më të madhe për momentin, për Zgjedhjet presidenciale ka në Novaci 66,47 për qind, ndërsa jehonë më të vogël për Zgjedhjet presidencial ka në Likovë, me 6,48 për qind.
“Në krahasim me rrethin e dytë të Zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019 kemi rritje të jehonës prej 7,19 për qind në këto zgjedhje, përderisa në krahasim me rrethin e parë të Zgjedhjeve presidenciale 2024 kemi rritje prej 0,01 për qind”, theksoi në konferencën e pasdites për media kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Deri në orën 17 kanë mbërritur të dhëna për jehonën e votuesve për Zgjedhjet parlamentare nga 1 920 vendvotime. Nga gjithsej 1 003 459 votues të regjistruar në këto vendvotime, kanë votuar 470 950 qytetarë, gjegjësisht 46,93 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Jehonë më të madhe për momentin, për Zgjedhjet parlamentare ka në Krivogashtan, me 79,73 për qind. Jehona më e vogël për Zgjedhjet parlamentare është në Mavrovë dhe Rostushë, me 22,93 për qind.
“Në krahasim me Zgjedhjet parlamentare në vitin 2020 kemi rritje të jehonës prej 8,15 për qind në këto zgjedhje”, sqaroi Dashtevski.
Jehona sipas njësive zgjedhore për zgjedhjet parlamentare është si në vijim: Njësia Zgjedhore 1 – 53.22 për qind, Njësia Zgjedhore 2 – 41.83 për qind, Njësia Zgjedhore 3 – 51.49 për qind, Njësia Zgjedhore 4 – 48.49 për qind, Njësia Zgjedhore 5 – 47,45, Njësia Zgjedhore 6 – 34.71 për qind.
“Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 450 ankesa për mbrojtje të të drejtës së votës. Prej tyre 228 janë miratuar dhe votuesve u është mundësuar që ta realizojnë të drejtën e tyre të votës, 22 ankesa janë refuzuar si të parregullta, ndërsa 67 ankesa janë refuzuar. Ankesat e tjera janë duke u përpunuar”, thotë kryetari i KSHZ-së.
Ai përkujtoi se këtë ditë zgjedhore e ndjekin 1 303 vëzhgues vendorë dhe 860 vëzhgues ndërkombëtarë, si dhe 83 gazetarë të huaj. Aktiv është edhe numri falas i telefonit 0800 555 44 në të cilin qytetarët e interesuar mund të parashtrojnë pyetje ose të paraqesin parregullsi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Gjithashtu aktive është edhe qendra e thirrjeve 076 488 360 përmes së cilës qytetarët me probleme në të dëgjuar dhe të folur gjatë ditës së zgjedhjeve përmes video thirrjes të parashtrojnë pyetje në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të marrin përgjigje në gjuhën e shenjave.
Ora 17:41
Voton Ali Ahmeti
Kryetari i BDI-së dhe udhëheqësi i Frontit Europian, Ali Ahmeti ka uruar që këto zgjedhje të jenë të pranueshme për të gjitha palët dhe se duhet ti çojmë proceset përpara.
“Shfrytëzova të drejtën e votës sot në Zajaz për të ardhmen e sigurt dhe europiane të vendit tim. Uroj që procesi të shkojë mirë, në paqe dhe sipas të gjitha standardeve demokratike, të jenë këto zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët dhe të mos kemi devijim nga kursi euroatlantik i vendit. Le t’i çojmë të gjitha proceset përpara për më shumë paqe, për më shumë stabilitet dhe pa probleme me fqinjët, kjo është ajo që dua të triumfojë në këto zgjedhje!”, ka theksuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ora 17:36
Në Ohër deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 38% të votuesve
Procesi zgjedhor në komunat Ohër dhe Debërcë deri në orën 15 zhvillohet pandërprerë dhe pa kurrfarë parregullsi. Deri në orën 15 në votimin nga rrethi i dytë i Zgjedhjeve presidenciale dhe Zgjedhjet parlamentare në Ohër të drejtën e tyre të votës e kanë realizuar 38,41 gjegjësisht 38,86 për qind e personave me të drejtë vote, informojnë nga KKZ.
Në Ohër votohet në 87 vendvotime, ndërsa në Listën zgjedhore janë regjistruar 51.717 votues për zgjedhjet presidenciale, përderisa për ato parlamentare 51.865 persona.
Jehona në Debërcë deri në orën 15 për Zgjedhjet presidenciale është 36,80 përderisa për zgjedhjet parlamentare është 36,74 për qind, tregojnë të dhënat e KSHZ-së.
Në Debërcë votohet në 23 vendvotime, ndërsa në Listën Zgjedhore për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 4001 persona, përderisa për zgjedhjet parlamentare 4009 persona.
Ora 17:18
Në Veles deri në ora 15:00, dalja për parlamentaret 39.80%, për presidencialet 39.22%
Në Veles dhe rrethinë në të gjitha 84 vendvotimet deri në ora 15 në votim në rrethin e dytë për zgjedhje të presidentit janë regjistruar 44.858 në Listën e vetme zgjedhore për president kanë votuar 17.593 persona ose 39,22 për qind. Në Listën e vetme zgjedhore nga 44.954 të regjistruar për zgjedhje të deputetëve në Kuvend deri në ora 15 kanë votuar 17.888 persona ose 39,80 për qind të votuesve, informoi për MIA-n, Rebeka Bajdeska Gjosheva nga KKZ Veles.
Nga KKZ Veles u bëjnë thirrje votuesve deri në ora 19 që të dalin në vendvotimet dhe ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votimit. Në komunën e Gradsko, në 11 vendvotime nga 3019 qytetarë të regjistruar në Listën e vetme zgjedhore për zgjedhjen e Presidentit, deri në orën 15:00 kanë votuar 1257 persona ose 41,64 për qind e votuesve , ndërsa nga 3.024 në listën për deputetë deri në ora 15 kanë votuar 1258 ose 41,60 për qind e votuesve, infirmoi për MIA-n, Meri Sedmakova Dimovska, kryetare e KKZ-së Gradsko.
Ora 16:34
Në Kumanovë për presidencialet dalja deri ora 15:00 është 30.89%, ndërsa për parlamentaret 36.39%
Sipas të dhënave të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve (KSHZ) në Kumanovë për zgjedhjet presidenciale dalja deri ora 15 është 30,89 për qind, ndërsa për ato parlamentare 36,39 për qind. Në Likovë, sipas KSHZ-së, dalja për zgjedhjet presidenciale është 5,14, ndërsa për ato parlamentare 28,18 për qind. Në Nagoriçan të Vjetër, megjithatë për zgjedhjet presidenciale dalja është 34,77 për qind, ndërsa për ato parlamentare është 35,15 për qind.
Në Kumanovë, sipas të dhënave të KKZ-së, të drejtë vote për zgjedhjet presidenciale kanë 93.508, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 93.635 votues, të cilët do të votojnë në 167 vendvotime. Në Likovë, për zgjedhjet presidenciale janë evidentuar 26.030 votues, për zgjedhjet parlamentare 26.024 votues, të cilët votojnë në 36 vendvotime, kumtuan nga KKZ Likovë. Në Nagoriçan të Vjetër ka 3.043 votues për zgjedhjet presidenciale, ndërsa për ato parlamentare 3.046 të cilët votojnë në 38 vendvotime, prej të cilave dy janë të bashkuara, respektivisht i shërbejnë 36 këshilla zgjedhorë.
Ora 16:12
KSHZ: Deri në orën 15:00 më shumë dalje për parlamentaret
Deri në orën 15:00 janë marrë të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare 2024 në Maqedoninë e Veriut. Dalja e votuesve është 32.12% për zgjedhjet presidenciale, ndërsa për parlamentaret është 36.84%, njoftoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).
Ora 16:07
Në Demir Kapi mbi 46 për qind dalje deri në orën 15:00, në Negotinë mbi 42 për qind
Në Demir Kapi është regjistruar 46,15 për qind dalje në zgjedhjet presidenciale dhe 46,03 për qind dalje në zgjedhjet parlamentare, deri në orën 15. Në Negotinë, deri në atë periudhë, është evidentuar dalja prej 42,04 për qind të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Për këtë informuan nga komisionet komunale të zgjedhjeve.
Në Negotinë votohet në 28 vendvotime, njoftoi zëvendëskryetarja e KKZ-së, Elena Kuzmanova. Në Demir Kapi, siç njofton Bllagoja Jovanovski, kryetar i KKZ-së, votohet në 11 vendvotime.
Ora 15:34
Avokati i Popullit ka pranuar 30 telefonata për shkelje të së drejtës së votës
Zyra e Avokatit të Popullit njoftoi se kanë pranuar 30 telefonata dhe një person i ka kontaktuar personalisht. Shumica e ankesave janë për atë pse u pyetën nëse dëshironin të votonin për zgjedhjet presidenciale apo parlamentare.
Disa persona thirrën dhe u ankuan nga shtëpitë e të moshuarve se nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ankesa ka edhe nga punonjës të sektorit privat të cilët nuk janë liruar sot nga detyra. Avokati i Popullit njoftoi se nga ora 07:00 deri në 19:00 qytetarët do të mund të paraqesin çdo shkelje të së drejtës së votës në linjën telefonike falas 0800-543-21 ose personalisht në zyrat në Shkup, Strumicë, Kërçovë, Tetovë. Manastir, Shtip dhe në Kumanovë.
Ora 15:13
Dalja në zgjedhjet parlamentare deri ora 13:00 është 25.84%, për presidencialet 23.95%
Deri në orën 13:00, të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve për zgjedhjet presidenciale u morën nga vendvotimet 2472. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar 1.261.526 në këto vendvotime, kanë votuar 302.158 respektivisht 23.95 për qind, kumtoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
Dalje më të madhe deri më tani për zgjedhjet presidenciale ka në Kriva Pallankë, me 46,44 për qind. Dalja më e ulët për zgjedhjet presidenciale është në Likovë, me 3,28 për qind. “Krahasuar me raundin e dytë të Zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019 kemi rritje të daljes prej 3,49 për qind në këto zgjedhje. Ndërsa, krahasuar me raundin e parë të Zgjedhjeve presidenciale 2024 kemi ulje prej 0,7 për qind”, njofton KSHZ.
Deri në orën 13:00, kanë arritur të dhëna për daljen e votuesve për Zgjedhjet parlamentare prej 2348 vendvotime. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar 1.207.922 në këto vendvotime, kanë votuar 312.070 respektivisht 25,84 për qind.
Dalje më e madhe për momentin për zgjedhjet parlamentare ka në Krivogashtan, me 48,65 për qind. Dalja më e ulët për zgjedhjet parlamentare është në Mavrovë dhe Rostushë, me 11,91 për qind. “Krahasuar me Zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, kemi rritje të daljes prej 2,03 për qind në këto zgjedhje”, njofton Komisioni.
Dalja sipas njësive zgjedhore për zgjedhjet parlamentare është kjo: Njësia Zgjedhore 1 – 31,18 për qind, Njësia Zgjedhore 2 – 23,91 për qind, Njësia Zgjedhore 3 – 29,18 për qind, Njësia Zgjedhore 4 – 26,40 për qind, Njësia Zgjedhore 5 – 25,04 për qind, Njësia Zgjedhore 6 – 16,71 për qind.
Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 313 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore. Prej tyre, 105 kundërshtime janë miratuar dhe zgjedhësve u është mundësuar ta realizojnë të drejtën e tyre të votës, nëntë kundërshtimet janë hedhur poshtë si të parregullta, ndërsa 40 janë refuzuar.
Kundërshtimet e tjera janë në përpunim e sipër. Kjo ditë zgjedhjesh vëzhgohet nga 1.303 vëzhgues vendor, 860 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 83 gazetarë të huaj. Aktiv është edhe numri i telefonit pa pagesë 0800 555 44, ku qytetarët e interesuar mund të bëjnë pyetje apo të denoncojnë parregullsitë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Aktive është edhe linja e video thirrjes në numrin 076 488 360, përmes së cilës qytetarët me dëmtime të dëgjimit dhe të folurit do të mund t’i drejtojnë pyetje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve gjatë ditës së zgjedhjeve përmes video thirrjes dhe të marrin përgjigje në gjuhën e shenjave.
Ora 14:49
Deri në orën 13:00 në Prilep kanë votuar 31.41 për qind për presidencialet dhe 31.31 për qind për parlamentaret
Zgjedhjet e dyfishta në Prilep zhvillohen pa probleme dhe pa ndërprerje, informojnë nga Komisioni komunal i zgjedhjeve. Deri në orën 13 në votim kanë votuar 31,41 për qind nga zgjedhësit e regjistruar për zgjedhjet presidenciale, ndërsa 31,31 për qind për zgjedhjet parlamentare. Përqindja e daljes në orën 13 është pothuajse e njëjtë me jehonën në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill.
Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 62 169, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 62 271 qytetarë me të drejtë vote. Votohet në 142 vendvotime.
Ora 14:37
Voton Arben Taravari
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, pasi shfrytëzoi të drejtën e votës tha se sot në Maqedoni fillon historia e re.
“Sot fillon Historia e Re! Kjo ditë do të mbahet mend gjatë!”, ka shkruar shkurt në rrjetin social Facebook, Arben Taravari.
Ora 14:31
Voton Artan Grubi
Zëvendëskryeministri Artan Grubi pasi shfrytëzoi të drejtën e votës, ka theksuar se qytetarët duhet të dalin të votojnë lirshëm dhe sa më masovikisht. Mes tjerash tha se le të fitojë e ardhmja europiane e vendit.
“Ditë e bukur sot, ditë demokracie. Qytetarët po shprehin lirshëm vullnetin e tyre, pa asnjë presion. Bashkë me Albinën dhe Herën shfrytëzuam të drejtën tonë të votës për t’i shërbyer perspektivës europiane të vendit. Uroj proces të qetë zgjedhor dhe në frymë tërësisht europiane, ftoj qytetarët që masovikisht të votojnë në këto zgjedhje parlamentare që janë referendum mbi përcaktimin tonë euro-amerikan. Le të fitojë e ardhmja europiane e vendit!”, ka potencuar Grubi.
Ora 14:25
Voton Izet Mexhiti
Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës dhe ka bërë apel që qytetarët të dalin sa më shumë në votime për të shprehur zërin e tyre.
“Të dashur qytetar, sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë. Ju lutem të merrni pjesë në zgjedhje dhe të shprehni zërin tuaj për të ardhmen e vendit tonë. Kjo është një detyrë ndaj vetes dhe të tjerëve. Në këtë ditë të mrekullueshme dhe demokratike, mos harroni se secila votë ka rëndësi”, ka theksuar Mexhiti.
Ora 14:21
Mediat belge për zgjedhjet: Kyçe për rrugën integruese të vendit
Rethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që po mbahen sot në Maqedoninë e Veriut mund të ketë një ndikim kyç në shpresat e këtij vendi ballkanik për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vlerësojnë mediat belge në lajmet lidhur me zgjedhjet në vend.
Shërbimi belg i transmetimit publik në gjuhën franceze RTBF thekson se “kthimi në pushtet i opozitës së djathtë” mund të rinovojë tensionet me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje, veçanërisht me Sofjen, e cila vendos kushtet e veta për përparimin e Maqedonisë së Veriut në negociatat e anëtarësimit.
“Partia nacionaliste e djathtë VMRO-DPMNE, kandidatja e së cilës Gordana Siljanovska-Davkova kishte një avantazh të madh në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, është në rrugë të mbarë drejt fitores edhe në rrethin e dytë, por edhe në zgjedhjet parlamentare”, thekson RTBF.
Sipas televizionit, lideri i partisë Hristijan Mickoski refuzon të njohë emrin e ri të vendit – Maqedonia e Veriut, e përcaktuar nga “marrëveshja historike e nënshkruar në vitin 2018 me Greqinë për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes afatgjatë midis Shkupit dhe Athinës”. “Ai premtoi gjithashtu qëndrim të vendosur në qor-sokakun midis Shkupit dhe Sofjes, i cili në dy vitet e fundit bllokoi negociatat për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, shton transmetuesi frankofon belg.
Portali “Politiko” i Brukselit, nga ana tjetër, vlerëson se “ndryshimi i ardhshëm i qeverisë në Maqedoninë e Veriut” rrezikon të ringjallë tensionet me Bullgarinë dhe Greqinë, ” duke e komplikuar shtesë rrugën tashmë të vështirë të vendit drejt anëtarësimit në BE”.
Në tekstin kushtuar zgjedhjeve, kujtohet se në vitin 2018 vendi pranoi ndryshimin e emrit me Marrëveshjen e Prespës në këmbim të fillimit të negociatave me BE-në dhe anëtarësimit në NATO, por që nga ajo kohë “qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë bërë gjithnjë e më të frustruar nga ngadalësia e procesit të anëtarësimit, ndërsa mbështetja publike për BE-në ka rënë ndjeshëm”.
Sipas “Politiko”, anketat tregojnë se VMRO-DPMNE udhëheq dhe pritet ta zëvendësojë “partinë socialiste LSDM”, e cila qeverisë me vendin që nga viti 2017, edhe pse do të ketë nevojë për koalicion.
Ora 14:13
Në Gostivar, më shumë votues për zgjedhjet parlamentare, më pak për presidencialet
Në komunën e Vrapçishtit në Gostivar procesi po vijon në rregull dhe pa probleme njofton TV21. Besnik Ameti, kryetari i Komisionit komunal tha se prej orës 7 janë hapur të gjitha vendvotimet pa asnjë incident dhe shpreson se deri në mbyllje të vazhdojë në këtë mënyre.
“Procesi zgjedhor deri në këto momente shkon ashtu siç është paraparë prej orës 7 janë hapur të gjitha vendvotimet pa asnjë incident dhe vazhdon të jetë krejt në rregull. Sa i përket daljes së votuesve kemi 1418 të dhënat e orës 13 për president që i bie 5.38 % dhe 3234 që i bie 12.06% për zgjedhje parlamentare. Nga përvoja e dimë se dalja nga ora 13 deri në 16 është më e madhe, fluksi është më i madh deh pritet të dalin më shumë”, tha Besnik Ameti.
Ora 14:08
Bajrami: Asnjë parashtresë në Prokurori për parregullsi në zgjedhje
“Në përputhje me informacionet e marra nga prokuroritë publik në gjithë shtetin, dita e sotme zgjedhore në të cilën votohet për zgjedhjet parlamentare dhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë deri në këtë moment është duke kaluar gjeneralisht qetë dhe pa shkelje të mëdha të procesit zgjedhor. Nga fillimi i votimit në mëngjes, deri te prokuroritë publik dhe në adresën e veçantë elektronike në [email protected] nuk janë paraqitur incidente dhe parregullsi në vendvotime të cilat kanë elemente të veprës penale”.
Kështu ka njoftuar kryetari i Komisionit të Prokurorisë Publike për ndjekjen e shkeljeve eventuale në zgjedhje, Xhelal Bajrami. Bajrami ka shtuar se gjatë ditës së djeshme ka pasur parashtresa në Prokurorinë Publike Themelore Veles, me dyshimin për ryshfet dhe është gjetur armë dhe municion për çfarë është formuar edhe lëndë për hetim
“Gjatë ditës së djeshme, tashmë kemi njoftuar se është parashtruar kallëzim në PPTH Veles me dyshime për blerje votash dhe është gjetur dhe marrë municion, për çfarë është formuar lëndë në PPTH Veles për dy persona. Për një person tashmë ka procedurë urgjente me propozim për paraburgim për sasi të madhe të armëve dhe municionit të cilat janë gjetur tek ai. Për personin e dytë lënda do të shkojë në procedurë të rregullt, kurse në të njëjtën kohë, PPTH Veles tashmë ka ndërmarrë për të vërtetur dyshimettë cilat kanë të bëjnë me blerje votash”, qëndron në njoftimin e Bajramit.
Bajrami ka bërë të ditur se denoncime ka pasur edhe në Ohër dhe Kriva Pallankë, por për këto ngjarje nuk janë parashtruar kallëzime penale. Bajrami përfundon se edhe përskaj këtyre dyshimeve, mund të “përfundohet se cikli zgjedhor është duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe pa shkelje të mëdha”.
Ora 13:36
ODIHR me mbi 300 vëzhgues në zgjedhje
Misioni i ODIHR-së për vëzhgim të zgjedhjeve ka më shumë se 300 vëzhgues në vendvotime në shtet për ndjekjen e procesit në rrethin e dytë të Zgjedhjeve presidenciale dhe Zgjedhjeve parlamentare.
Xhilian Stirk, e cila e udhëheq misionin e ODIHR-së, pas vizitës në vendvotimin në shkollën fillore “Johan Hajnrih Pestaloci” në Qendër, deklaroi se konkludimet do t’i kumtojnë pasi t’i marrin rezultatet nga vëzhguesit e tyre të sistemuar nëpër shtet dhe se misioni i ODIHR-së i vlerëson zgjedhjet në pajtim me obligimet ndërkombëtare dhe legjislaturën e vendit. “Vendvotimi ku jemi në mëngjes është gjithsesi vetëm një nga shumë në vend. Do t’i shqyrtojmë rezultatet tjera siç arrijnë nga tërë vendi, e pastaj do t’i marrim konkludimet tona të bazuara në vëzhgimet, të cilat janë siguruar nga vëzhguesit tanë të shumtë”, deklaroi Stirk.
Rezultatet e para nga vëzhgimi, misioni do t’i kumtojë nesër në ora 15:00 në hotel “Aleksandar Pallas”.
Përfaqësuesja e ODIHR-së me ekipin e saj është në Shkup nga 20 marsi dhe, siç tha, kanë edhe vëzhgues afatgjatë të sistemuar në vend në nëntë lokacione të ndryshme, duke i ndjekur të gjitha aspektet në përgatitjet e këtyre zgjedhjeve.
Ora 13:29
Votimi në përgjithësi po zhvillohet qetë dhe pa probleme
Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani nuk ka regjistruar shkelje më serioze të rendit dhe qetësisë publike gjatë votimit, i cili në përgjithësi po zhvillohet qetë dhe pa probleme, informoi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
“Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 11 janë regjistruar dy paraqitje për stand të vendosur të një partie politike në afërsi të vendvotimit në Shuto Orizarë, si dhe për ngjitje të plaketave dhe shpërndarje të fletushkave në rajonin e Çairit në Shkup. Po ndërmerren masa për ndriçim të rasteve. Gjithashtu kemi paraqitje për agjitim në Tetovë, Shkup, Kumanovë fshatin Banicë, rajoni i Strumicës dhe Bogovinë, por pas masave të ndërmarra nga ana e nëpunësve policorë ato deri më tani nuk janë konfirmuar”, deklaroi Angellovski.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në zgjedhje edhe në pjesën tjetër të votimit, të përmbahen nga incidentet. Dhe tha nëse ka çfarëdo lloj shkelje të procesit zgjedhor, qytetarët menjëherë ta nmjoftojnë policinë në numrat 192 dhe 112, apo të paraqesin në stacionin më të afërt policor.
Ora 13:19
Haraçinë, forca të shtuara të policisë në krahasim me vendvotimet tjera
Në Haraçinë ka fluks të madh të banorëve të cilët kanë dalur për të votuar, por për atë se a po votojnë për zgjedhje presidenciale apo vetëm për parlamentare nuk deshën të prononcohen para kamerave, njofton TV21.
“Siguruam disa informacione se 84 persona kanë dalur për të votuar edhe për zgjedhjet presidenciale ndërsa 180 janë edhe për ato parlamentare dhe presidenciale. Ajo çfarë bie në sy këtu në Haraçinë është një numër i madh i policisë në krahasim me vendet e tjera, ndërsa për çështjet teknike na thanë se gjithçka ka shkuar në rregull dhe nuk ka pasur probleme”, raporton gazetarja Fazile Halili nga TV21.
Ora 13:04
Dalja deri ora 11:00 në Tetovë, 7.04 për presidencialet, ndërsa 10.81 për parlamentaret
Në komunën e Tetovës nga 86.405 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet presidenciale, deri ora 11 kanë votuar 6.077 njerëz ose 7,04 për qind. Në komunat rurale dalja deri ora 11 është: Bogovinjë 2,24 për qind, Bërvenicë 8,15 për qind, Zhelinë 3,07 për qind, Jegunovc 7,79 për qind, Tearcë 5,20 për qind.
Për zgjedhjet parlamentare dalja deri ora 11 në Komunën e Tetovës është 10,81 për qind, respektivisht prej 86.550 qytetarëve, kanë votuar 9.349 njerëz. Në komunat rurale deri ora 11 për zgjedhjet parlamentare dalja është Bogovinjë 5,61 për qind, Bërvenicë 9,77 për qind, Zhelinë 7,24 për qind, Jegunovc 9,69 për qind, Tearcë 9,28 për qind.
Ora 12:53
Në Dibër deri në orën 11:00 kanë votuar 4 për qind për presidencialet dhe 6 për qind për parlamentaret
Rrjedha e votimit në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare në Dibër dhe Qendrën Zhupë po zhvillohet normalisht, me dalje të rritur të qytetarëve të cilët e realizojnë të drejtën e tyre qytetare, konfirmojnë nga komisionet komunale zgjedhore.
Në komunën e Dibrës, deri në orën 11 kanë votuar 802 persona apo 4 për qind nga gjithsej 19.269 votues të regjistruar për zgjehdjet presidenciale, përkatësisht 1184 persona apo 6 për qind e 19.334 votuesve tër egjistruar për zgjedhjet parlamentare. Në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill dalje ishte 5 për qind. Dalje e shtuar është vërejtur edhe në komunën Qendër Zhupë, ku deri në orën 11 në zgjedhjet presdienciale, nga gjithsej 7368 vitues të regjistruar kanë votuar 345 apo 4,67 për qind. Në rrethin e parë, më 24 prill, dalja ishte 4,47 për qind.
Në zgjedhjet parlamentare të drejtën e votës në Qendrën Zhupë e shfrytëzuan 349 apo 4,73 për qind nga 7383 persona, sa janë në listën zgjedhore.
Në komunën e Dibrës ka 27 vendvotime dhe 16 në komunln fqinje Qendër Zhupë.
Ora 12:49
MPB me informacione për parregullsi të regjistruara në heshtjen parazgjedhore
Parregullsi në lidhje me heshtjen parazgjedhore gjatë ditës së djeshme regjistroi Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa një pjesë prej tyre ndau edhe ministri teknik Pançe Toshkovski.
“Gjatë ditës së djeshme kemi disa veprim të kundërligjshme në territorin e Republikës së Maqedonisë të raportuara në MPB”, deklaroi Toshkovski sot pas votimit në SHKF “Johan Hajnrih Pestaloci ” në komunën Qendër.
Ai informoi për parregullsitë në territorinë e SPB Ohër, SPB Kumanovë, SPB Veles.
“Në kuadër të SPB Ohër kemi konstatuar veprime të kundërligjshme nga dy anëtarë të këshillave zgjedhorë, të cilët kanë keqpërdorur të dhënat e qytetarëve. Kanë keqpërdorur fletë voime të qytetarëve, kanë ndarë në grupe, ndërsa gjithashtu aktivitetet e tilla të kundërligjshme janë përdorur për të informuar një parti të caktuar politike, kush e ka ushtruar të drejtën e votës dhe për kë është shfrytëzuar e drejta e votës”, deklaroi Toshkovski. Për këtë rast konkret, siç tha, po veprohet në koordinim me prokurorin publik kompetent dhe po ndërmerren veprimet e duhura me qëllim të zbardhjes së rastit.
Aktivitete të kundërligjshme kishte në zonën e SPB Kumanovë, përkatësisht në Kriva Pallankë ku kishte korruptim të votuesve në interes të një partie të caktuar politike.
Pas informacioneve operative të marra nga SPB Veles, me urdhër të prokurorit publik , është kryer bastisje në shtëpinë e një personi të lidhur me një parti të caktuar politike.
“Në shtëpinë e tij janë gjetur disa armë, të cilat i ka mbajtur ilegalisht dhe i janë gjetur rreth 20.000 euro. Janë gjetur edhe lista të personave të cilët, supozohet se është dashur të futen në mënyrë të kundërligjshme në kuadër të disa aktiviteteve të kundërligjshme, përkatësisht të korruptohen për të dhënë të drejtën e votës kundër dëshirës së tyre, informon Toshkovski. Ai shtoi se për këtë rast gjyqtari i procedurës paraprake ka shqiptuar masën më të rreptë të sigurisë, ose më saktë personi ndodhet në paraburgim.
Gjatë ditës së djeshme në territorin e SPB Ohër, në qytetin e Kërçovës, janë vërejtur disa automobila të drejtuara nga persona të cilët jepnin ryshfet në interes të një partie të caktuar politike. Toshkovski shtoi se MPB-ja po vepron edhe për këtë rast.
Toshkoski informoi edhe për një rast në Negotinë, në kuadër të SPB Veles, ku një deputet nga një parti e caktuar politike, duke shfrytëzuar të dhëna të caktuar që duhet të jenë sekrete, gjegjësisht të dhëna që kanë të bëjnë me mjetet e ndarja në kuadër të programeve IPARD, është lajmëruar të personat që kanë qenë përfitues të mjeteve të tilla.
MPB përmes kumtesës informoi se dje (05.07.2024) E.D. nga Krnjeva ka raportuar se tre persona nga KSHZ-ja kanë ardhur në shtëpi me qëllim që gjyshi i tij të ushtrojë të drejtën e votës nga vendvotimi nr. 2828.
“E.D. dyshoi se nuk ishin personat e KSHZ-së për shkak se ata nuk ishin njoftuar paraprakisht dhe duhej të ishin të pranishëm pesë persona. SPB Shkup po ndërmerr masa dhe aktivitete për pastrimin e ngjarjes, thuhet në kumtesën.
MPB informoi se në koordinim me PTHP Kumanovë janë ndërmarrë aktivitete në lidhje me ngjarjen se një person nga Kriva Pallanka, disa qytetarëve nga Kriva Pallanka u ka shpërndarë kupona për mbushje të benzinës në stacionin e benzinës. Dje në ora 18:25 në rrugën “Marshal Tito” në Tetovë, A.K. (24) nga fshati Strimnicë ka raportuar se janë dëmtuar dy pankarta me material reklamues të një partie politike, të cilat ishin vendosur në rrethrrotullimin nga rruga “V.S.Bato” me tt. “Marshalli Tito” në Tetovë.
“Gjatë heshtjes zgjedhore janë raportuar edhe disa raste për gjoja agjitacion dhe ofertë ryshfeti, por pas masave të marra nga zyrtarët policorë, ato pretendime deri më tani nuk janë vërtetuar”, qëndron në kumtesën e MPB-së.
Ora 12:39
OSBE-ja vëzhgon zgjedhjet, nëse ato zhvillohet sipas standardeve evropiane
Koordinatori special i OSBE-së, Nikoloz Samkharadze, së bashku me shefen e misionit të Asambles Parlamentare të OSBE-së, Karina Odebrik, vizituan vendvotimet në sh.f. “Kiro Gligorov” në lagjen Kapishtec në Shkup. Ai theksoi se aktivitetet e tyre janë në kuadër të misionit të përbashkët të Asamblesë Parlamentare të OSBE, ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës.
“Jemi këtu në qendër të Shkupit, duke vëzhguar një vendvotim në një shkollë fillore. Ne gjithashtu do të bëjmë vëzhgime në të gjithë vendin, në zonat rurale dhe urbane dhe të gjitha vërejtjet dhe vëzhgimet tona do t’i themi nesër në një konferencë për shtyp në orën tre”, tha Samkharadze.
Karina Odebrik, shefe e misionit të AP të OSBE-së, informoi se kanë mbi 300 vëzhgues, ndërsa nga Asambleja Parlamentare ka 56 vëzhgues nga 25 vende.
“Ajo që është e rëndësishme gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve është që të mbledhim të gjitha vërejtjet dhe t’i vendosim në një deklaratë të përbashkët”, shpjegoi Odebrik.
Ora 12:17
Denoncohen tre persona në polici, dyshohen se janë paraqitur si anëtarë të rrejshëm të KSHZ-së
MPB njofton se një person ka paraqitur se persona të dyshuar kanë ardhur në shtëpinë e tij të cilët janë paraqitur si anëtarë të KSHZ-së.
“Më datë 07.05.2024 E.D. nga Krnjeva ka raportuar se tre persona nga KSHZ-ja kanë ardhur në shtëpi, me qëllim që gjyshi i tij të ushtrojë të drejtën e votës nga vendvotimi nr. 2828. E.D. ka dyshuar se nuk ishin personat e KSHZ-së, sepse ata nuk ishin njoftuar paraprakisht dhe duhej të ishin të pranishëm pesë persona”, thonë nga MPB. SPB Shkup merr masa dhe aktivitete për pastrimin e rastit.
Ora 12:09
Kavadari me 16.10 për qind dalje deri në orën 11:00
Kavadar, Rosoman 8 maj 2024 (MIA) – Kavadari ka 16.10 për qind dalje deri në orën 11. Në Rosoman, 12,56 për qind është dalja për parlamentarët dhe 12,62 për qind për zgjedhjet presidenciale. Për këtë informuan nga KKZ-të.
Në Kavadar votohet në 60 vendvotime, votohet për president të shtetit dhe mandat të deputetëve, informoi kryetarja e KKZ-së, Emilia Petrovska. Janë regjistruar gjithsej 31.982 votues për zgjedhjet parlamentare, 31.926 për presidnecialet, me të drejtë vote në Kavadar. Në Rosoman votohet në dhjetë vendvotime. Kryetari i KKZ-së, Zoran Kostov, njoftoi se gjithsej 3.300 votues janë evidentuar në listën e votimit në zgjedhjet e sotme në Komunën e Rosomanit.
Ora 11:59
Dashtevski: Nuk ka bojkot, të gjithë ata që kanë shkuar në zgjedhjet parlamentare kanë votuar edhe për presidenciale
Nuk ka bojkot për zgjedhjet presidenciale, të gjithë ata që kanë shkuar në zgjedhjet parlamentare kanë votuar edhe për presidentin, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
“Nuk ka bojkot për zgjedhjet presidenciale, të gjithë ata që kanë shkuar në zgjedhjet parlamentare kanë votuar edhe për president”, thotë Dashtevski. Deri ora 09:00 dalja për zgjedhjet presidenciale është 4.17%. Në disa vende janë shfaqur probleme teknike, të cilat ndërkohë po zgjidhen, aty votimi do të vazhdojë në mënyrën e vjetër me llambë UV dhe sprej dhe nëse korrigjohen mangësitë teknike do të vazhdojë me pajisje teknike. Vende të tilla ka në Koçan, Ohër, Kumanovë, Tetovë dhe Gazi Babë. Siç shton ai, ka paraqitur edhe 15 ankesa për të drejtën e votës, ndërsa vetëm tre prej tyre janë refuzuar.
Ora 11:55
Dalja në zgjedhjet parlamentare deri ora 11:00 është 13.69%
Kryetari i KSHZ-së, Aleksadnar Dashtevski tha se deri orën 11:00 dalja në zgjedhjet presidenciale është 12.87%.
Jehona më madhe për zgjedhjet presidenciale është në qytetin e Probishtipit 21.85%, ndërsa jehonë më të vogël ka në Likovë 1.67%. Dashtevski poashtu njoftoi se deri ora 11:00 jehona e votuesve për zgjedhjet parlamentare është 13.69%. Jehonë më të madhe ka në Krivogashtani 28.38%, ndërsa jehonë më të vogël ka në Vrapçishtë 5.2%.
Kryetari i KSHZ-së shtoi se nëse bëjmë krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, dalja në këto zgjedhje është 2.69% më e lartë.
Ora 11:34
Voton Talat Xhaferi
Kryeministri Talat Xhaferi ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës. Ai ka shprehur bindjet se kjo ditë do të kalojë në rend shumë të mirë dhe se do të jetë ditë feste për demokracinë.
“Sot e shfrytëzova të drejtën në votë në zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet për deputetë në Kuvend. Jam i bindur se edhe dita e sotme zgjedhore do të kalojë në rend shumë të mirë dhe se sot do të jetë ditë feste për demokracinë dhe vazhdimin e rrugës sonë evropiane”, theksoi Xhaferi.
Ora 11:26
Deri në orën 9 në Strugë për president dalja është 1.9 për qind, për parlamentaret 2.8
Për zgjedhjet parlamentare në Strugë dhe rrethinë në orën 9 kanë votuar 2.8 për qind e qytetarëve të regjistruar në listën e vetme zgjedhore, ndërsa për raundin e dytë të zgjedhjeve presidencialet të drejtën e tyre të votës e kanë realizuar 1.9 për qind e votuesve, njofton për MIA-n kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Minir Zhuta.
Sipas tij, votimi në të gjitha 101 vendvotime po rrjedhë pa ndërprerje.
Në Vevçan gjithashtu, siç deklaroi kryetarja e KKZ-së, Menka Kukoska deri në orën 9 dalja është 6.42 për qind dhe për të dyja ciklet zgjedhore edhe për zgjedhjen e presidentit dhe për deputetë.
Vendvotimet në të dyja komunat në mëngjes janë hapur në orën 7 dhe votimi rrjedhë pa ndërprerje.
Ora 11:11
Toshkovski: Gjendja e sigurisë është stabile, MPB po vepron sipas kompetencave të saj
Toshkovski: Gjendja e sigurisë është stabile, MPB po vepron sipas kompetencave të sajSot gjendja e sigurisë është e qëndrueshme. Ministria e Punëve të Brendshme po vepron sipas kompetencave që i ka, deklaroi sot ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
“Sipas informacioneve që kam që nga mëngjesi, të gjitha qendrat e votimit janë të qëndrueshme, të hapura. Qytetarët mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike”, tha Toshkovski.
Ai gjatë ditës së sotme u ka dërguar një mesazh qytetarëve që të ushtrojnë masivisht të drejtën e tyre të votës dhe të mos lejojnë, siç tha ai, rrëmbimin e vullnetit të tyre nga asnjë subjekt dhe në asnjë mënyrë.
“Çdo qytetar i vendit mund të ushtrojë të drejtën e tij të votës dhe është i detyruar ta ushtrojë të drejtën e tij të votës në mënyrë të fshehtë, dhe prapa kutisë askush nuk mund të dijë se për kë votoni”, theksoi Toshkovski.
Toshkovski falënderoi gazetarët, miqtë tanë ndërkombëtarë dhe të gjithë vëzhguesit që do ta përcjellin këtë ditë zgjedhjesh.
Ora 10:37
Deri ora 09:00 dalja për zgjedhjet presidenciale është 4.17 për qind
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski njoftoi se deri në ora 09:00 në zgjedhjet presidenciale, nga të dhënat e gjithsej 1009 vendvotimeve, jehona e votuesve është 4.17 për qind, respektivisht kanë votuar 22.797 qytetarë. Dalja më e madhe në zgjedhjet presidenciale është në Probishtim, ndërsa më e vogla në Bogovinë. “Në krahasim me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019, kemi ulje të daljes në 1.99 në këto zgjedhje”, shtoi Dashtovski.
Ndërkohë sa u përket zgjedhjeve parlamentare dalja deri ora 09:00 është 4.45%, jehona e votuesve më e madhe është regjistruar në Krivogashtani, ndërsa më e ulët është në Bogovinë. Sipas Dashtevskit krahasuar me vitin 2019, është shënuar ulje e jehonës së votuesve.
Ora 08:16
Këto janë rregullat për votim në Maqedoni
Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, në të cilën qytetarët duhet të zgjedhin presidentin e vendit dhe përbërjen e re parlamentare.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka përgatitur edhe një udhëzim për të qenë sa më korrekt procesi i votimit. Në mesin e rregullave qartësohet edhe forma e votimit por edhe sjellja e personelit zgjedhor e votuesve në vendvotim.
Në vijim janë rregullat e parashtruara nga KSHZ.
1. Votimi bëhet personalisht në vendvotimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në PDK/KP.
2. Këshilli Zgjedhor i pyet në mënyrë të detyrueshme votuesit për çfarë lloj zgjedhjeje duan të votojnë ose nëse duan të votojnë për të dyja zgjedhjet, u shpjegon mënyrën e votimit dhe u mundëson votën.
3. Votuesi mund të paraqitet në qendrën e votimit vetëm një herë për të ushtruar të drejtën e tij të votimit.
4. Votuesi dorëzon dokumentin për identifikim personal – letërnjoftim ose dokument udhëtimi të vlefshëm, përkatësisht për Zgjedhjet Presidenciale 2024, letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën nga 24 korrik 2023 deri më 24 prill 2024, dhe për zgjedhjet parlamentare letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën nga 8 gusht 2023 deri më 8 maj 2024.
5. Votuesi vendos gjurmën e gishtit tregues të dorës së djathtë në pajisjen biometrike të identifikimit dhe nëse votuesi nuk ka gishtin tregues të djathtë, merret shenja e gishtit tregues të dorës së majtë, ose në rast se votuesit i mungojnë këta dy gishta, merret gjurmë e gishtit të rradhës të dorës së djathtë.
6. Nëse votuesi nuk ka dy duar, votuesi futet në pajisjen teknike duke kërkuar numrin e tij unik të identifikimit (NUI).
7. Nëse PIBV nuk mund të gjejë përputhjen e gjurmës së gishtit me gjurmën e gishtit të votuesit në listën elektronike të votuesve, votuesi futet në PIBV duke lexuar dokumentin personal në skanerin MRZ ose duke futur numrin unik të identifikimit (NUI) dhe atëherë votuesi lë gjurmën e gishtit në PIBV.
8. Pas konfirmimit të identitetit, votuesi vendos nënshkrimin e tij në ekstraktin përkatës nga Lista zgjedhore për llojin e zgjedhjes për të cilën ka vendosur të votojë.
9. Fleta e votimit shkëputet nga kalliri sipas rendit numerik, duhet të vuloset në pjesën e përparme në vendin e caktuar për vulë dhe më pas t’i jepet votuesit.
10. Votuesi merr fletën e votimit për zgjedhjet për të cilat ka vendosur të votojë dhe ka nënshkruar ekstraktin përkatës nga Lista zgjedhore.
11. Votuesi voton i vetëm, fshehurazi pas një ekrani votimi.
12. Votuesi voton duke rrethuar numrin rendor përpara titullit/emrit në listë me stilolaps me ngjyrë të kaltërt.
13. Votuesi vendos fletën e votimit të palosur në kutinë e votimit.
14. Votuesi merr dokumentin personal të identifikimit.
15. Votuesi që ka aftësi të kufizuara fizike ose është analfabet dhe për rrjedhojë nuk mund të votojë në mënyrën e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka të drejtë të sjellë me vete një person që do ta ndihmojë gjatë votimit. Nëse ai/ajo nuk sjell me vete një person që do ta ndihmojë gjatë votimit, atëherë Këshilli zgjedhor do të caktojë një person tjetër nga radhët e votuesve. Personi nuk duhet të ndikojë në vendimin e votuesit.
16. Ndalohet votimi familjar dhe në grup, si dhe votimi për një person tjetër.
17. Ndalohet fotografimi i fletës së votimit me celular ose aparat fotografik.
18. Në qendrën e votimit ndalohet mbajtja e armëve.
Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.
Ora 08:05
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut zgjedhin presidentin dhe Parlamentin e ri
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë filluar të votojnë mëngjesin e së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta. Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare. Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.
Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.
Në radhët e Frontit Evropian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.
Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse. Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.
Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje.
Gara për president mes Davkovës dhe Pendarovskit
Të mërkurën, në garë për president janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova e VMRO-DPMNE-së në opozitë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.
Në rundin e parë, Davkova i fitoi 363.000 vota, apo 40 për qind – ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski rreth 180.000 vota, apo 19 për qind.
Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore, ose rreth 725.000 votues.
Nëse plotësohet pragu prej 40 për qind për zgjedhjen e presidentit, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.
Në këtë rast, seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri do të mbahej nga deputetët në largim.
Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.
“Kandidati për president që fiton zgjedhjet, duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe, sipas Kushtetutës, mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj, presidenti i ri do ta caktojë mandatin për të formuar një Qeveri të re,” thotë Novakovski.
Çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet pragu zgjedhor?
Në rast se dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale është më e ulët se pragu prej 40 për qind – gjë që nuk ka ndodhur deri më tani – Kushtetuta parashikon që kompetencat dhe funksionet e presidentit t’i marrë kryetari i Parlamentit.
Pa pragun zgjedhor, opsion është që të caktohet mandatari për formimin e Qeverisë së re nga kryeparlamentari në largim, Jovan Mitrevski, dhe opsioni i dytë është që së pari të konstituohet Parlamenti i ri dhe kryetari i ri i Parlamentit t’i japë mandatin liderit të partisë që ka fituar shumicën prej 61 deputetëve për formimin e Qeverisë së re. Novakovski thotë se pa pragun zgjedhor prej 40 për qind, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konsideron zgjedhjet presidenciale si të pasuksesshme dhe në afat prej 40 ditësh, Parlamenti duhet të shpallë zgjedhje të reja presidenciale.
Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast. Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.