Jo vetëm dyfishimi i ilaçeve të listës pozitive, por dhe shumëçka tjetër në shëndetësi, është “e pjekur” për reformim, dhe prej dikah duhet nisur…
Nga Daut DAUTI
Sigurisht shumë njerëz, si unë, kanë pyetur si është e mundur…? Si është e mundur që në shëndetësinë falas, të ketë aq shumë shpenzime për ilaçe për terapi më të zakonshme?
E kisha biseduar me një nga ministrat e shëndetësisë me një rast që ka aq shumë ilaçe që nuk i mbulon Fondi dhe pata marrë një përgjigje duke mos e marrë vesh shkakun. Dukej disi e komplikuar kur u përpoq t’më shpjegojë se si bëhet buxheti i shëndetësisë, ndoshta unë nuk isha në gjendje ta pranoja si arsyetim. Por atij i dhashë shembuj që t’i ketë parasysh për ndonjë reformë të ardhshme në të mirë të pacientëve. I tregova rastin e një pensionisti i cili merrte një terapi mujore e cila atij i kushtonte hiq më pak se diku 8000 denarë. Ilaçe privatisht. Kishte problem me një tension kronik tejet të lartë dhe ato i kishte patjetër t’i marrë. Pensioni i tij si ish-shërbëtor shkolle, atë kohë ishte diku te 12.000 denarë dhe tri të katërtat(3/4) e pensionit e ndante për këto ilaçe! Ministri lojti kokën sikur të thotë se s’ka ç’bën. Unë i thashë se çka të bëhet: në vend të këtyre qindra milionave për përmendore të Shkupit 2014 të dedikohen për nevojat e shëndetësisë, sigurisht qytetarët do të kishin shëndetësi “më falas”!
Kjo anekdotë m’u kujtua menjëherë posa dëgjuam ministrin aktual të Shëndetësisë me ambiciozitetin që së shpejti do të ketë numër dyshifror të ilaçeve të reja në listën pozitive. Edhe pse “tajmingu” kur e paralajmëroi (fundi i vitit dhe i mandatit, në periudhën kur vështirë se bëhen ndryshime), edhe mënyra se si e paralajmëroi(jo në konferencë shtypi, por ashtu në këmbë, në mënyrë oficiale), të bën të marrësh me rezervë këtë paralajmërim. Por meqë këtë ua tha gazetarëve, dhe atë e përcollën mediumet, do të duhet që ta inkurajojmë ministrin që atë që e tha, edhe ta realizojë. Sepse, shtimi(dyfishimi, siç e tha ai) i numrit të ilaçeve në listën pozitive, është automatikisht dyfishi i uljes së shpenzimeve për ilaçe, që për një kategori jo të vogël qytetarësh (pensionistë, punëtorë me rroga të ulëta, të papunë…), është një lehtësim i madh. Çka do të thotë kjo s’është dëshmi rastësore ajo e pensionistit të sipërpërmendur, por çdo pacient që bën një kontroll rutinor dhe del nga ordinanca me një grumbull recetash, prej të cilave, më shumë se gjysma janë ilaçe që duhet paguar privatisht!
Këtë gjë e përjetova para ndonjë muaji edhe vetë pas një fotografimi të shpinës. Më kishte lëvizur ndonjë unazë dhe një ortopede në Çair, pos terapisë fizikale, m’i shkroi edhe një grumbull ilaçesh, diçka për muskuj, diçka për sistemin nervor, diçka për eshtra dhe më ngushëlloi me fjalët: “Merri këto, se të ndihmojnë mjaft!” Por shtoi: “janë pak të shtrenjtë”! Sapo dola prej ordinancës, ktheva djathtas te barnatorja ngjitur me Poliklinën e Çairit dhe isha kureshtar pikërisht të dija sa do të kushtonin. Kur shitësja nisi t’m’i tregojë çmimet, vetëm me tri nga këto ilaçe, kaloi shumën e 6000 denarëve, ndërkaq kisha edhe dy të tjera, që bashkë u bënë mbi 7500 denarë! Çfarë janë këto ilaçe kaq të shtrenjta?!
Këto përvoja të pacientëve i dinë autoritet shëndetësore. Edhe ministrat. Ja publikisht po i jap ministrit këto shembuj që të ketë një pasqyrë se si reflektohen shumë ilaçe që i shkruajnë mjekët me “lehtësi”. E them pak me ironi, por në të vërtetë, këto nuk janë sa për t’i shkruar, por për nevoja të pacientëve. Kjo dhe është çështja. Nëse këto janë pjesë e pandashme e terapisë për shumë sëmundje, ndërkaq ne si shoqëri me shëndetësi falas (kjo mund të ketë mbetur vetëm si frazë) duhet t’ua sigurojmë qytetarëve, në praktikë situata është krejt ndryshe.
Shumëkush prej nesh është ballafaquar me situata nga më të ndryshmet edhe në spitale. Një situatë tipike me të cilën ballafaqohen qytetarët, është kur dikush operohet dhe kur shkojnë familjarët, mjekët ua japin listën e ilaçeve që duhet t’i blejnë në barnatore për pacientin! Ndodh që ato të jenë ilaçe të shtrenjta, ose madje dhe të rralla për të cilat duhet vrapuar nga barnatorja në barnatore për t’ia çuar spitalit për terapinë e pacientit të tyre! Në vend se këto ilaçe, t’i ketë në depon e vet spitali, pasi ato ilaçe nuk janë ndonjë gjë e re që dalin te një pacient, por te shumica.
Kur i përshkruajmë këto situata me të cilat ballafaqohet shëndetësia jonë në këto tri dekadat “e reformave”, jemi të prirë të bëjmë krahasimet me sistemin e kaluar, kur çdo ilaç ka qenë i mbuluar nga fondi. Ndaj dhe kur një ministër i shëndetësisë, në rastin tonë Fatmir Mexhiti, bën përpjekje për të korrigjuar diçka nga këto absurde, duhet të ketë përkrahjen e gjithë Qeverisë, sepse ai vetë asgjë nuk mund të bëjë me dëshirë. Nuk mund të merrem me shifra, se për këtë duhet të jesh ekspert i fushës, por bie fjala, nëse një pjesë nga këto 600 milionë e ca nga pakoja e fundit sociale, të orientoheshin nga shëndetësia, qytetarët do ta ndjenin një lehtësim të problemeve të çdoditshme me terapitë që i kanë të rregullt, çka për shkak të sëmundjeve të moshës, çka për shkak të sëmundjeve kronike. Është e vërtetë se shpenzimet buxhetore për shëndetësi janë enorme, dhe shërbimet falas na dalin për hunde me ilaçe privatisht ose me participime të larta (një pako “ibuprofen” në “Zegin” kishte çmimin 215 denarë, kurse participimi për të ishe 175, ndërkaq në një barantore tjetër 10 denarë më shtrenjtë!) por kjo fushë duhet të rregullohet, nëse jo menjëherë, të paktën në faza.
Është edhe një çështje tjetër, që për pasojë kemi shpenzimet e larta, edhe biznesi në farmaci dhe shpesh më shumë mbahet llogari për grupacionet e interesit, se sa për interesin e qytetarëve. Por këtu është Fondi i Shëndetësisë, buxheti i së cilës duhet të shtohet për t’i mbuluar. E mjetet për të, kuptohet, duhet të jenë pjesë e një vendimi politik, gjegjësisht, e një politike më sociale. Ndoshta këtu duhet të merret shembull ndonjë përvojë e ndonjë shteti tjetër, sikundër që kjo gjendje e tashme, është poashtu sipas reformave jo të duhura në shtetet në tranzicion. Prandaj, ta inkurajojmë Fatmir Mexhitin, që atë që e tha edhe ta vejë në veprim ndonjë reformë në shëndetësi,të paktën të fillojë nga ilaçet, ndonëse nuk është vetëm aty problemi, edhe pse dihet se sa vështirë mund të realizohet ndonjë reformë ku janë në pyetje mjete buxhetore.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)