Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe njëkohesisht kryetar i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dje, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Konferencën “Strong Cities Network Global Summit 2017”, që këtë vit po mbahet në Aarhus të Danimarkës. Me rreth 500 delegatë nga e gjithë bota, kjo konferencë e përmasave globale ka mbledhur së bashku një numër të madh ministrash dhe kryetarë qytetesh e komunash, për të diskutuar dhe ndarë përvoja në fushën e përballjes me ekstremizmin e dhunshëm.
Punimet e kësaj konference filluan me fjalimet e Ministrit të Drejtësisë të Danimarkës, Soren Pape Poulsen, kryetarit të Qytetit Aarhus, Jacob Bundsgaard, kryetarit të Qytetit Chattanooga – SHBA, Andy Berke, kryetarit të Qytetit Anahei – SHBA, Tom Tait, CEO i Institute for Strategic Dialogue, Sasha Havliçek etj. Ndryshe, në samitin inaugural te Strong Cities Network të mbajtur në maj të vitit 2016 në Antalia të Turqisë, fjalë përshëndetëse mbajti ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri.