Mes shumë lojtarëve të rinj në pronësi të Milanit, që po dalin në plan të parë mes “Primavera” dhe ekipit të parë, sigurisht që ka një që, pavarësisht se nuk është stërvitur në akademinë e kuqezinjve, është aset kryesor i klubit për vitet e ardhshme. Ky është Alejandro Jimenez, mbrojtës i krahut të djathtë, tani i “punësuar” përgjithmonë në të majtë, i lindur më 2005 dhe me kombësi spanjolle.
Djaloshi spanjoll ka bërë tashmë shumë njerëz të flasin për cilësinë dhe personalitetin e treguar, pavarësisht se ka debutuar si profesionist këtë sezon. Shumë lojëra të nivelit të lartë, teknikë në fazën sulmuese, vendosmëri, aftësi në goditje dhe dëshirë e madhe për të pasur ndikim me lojëra jo të parëndësishme.
Dhe është thuajse normale që, për një lojtar që ka treguar tashmë shumë gjëra të mira në ndeshjet e kufizuara me ekipin e parë, Real Madrid dëshiron ta mbajë kontrollin mbi të. Jimenez, në fakt, është te Milani në huazim, me të drejtën e blerjes.
Marrëveshja lejon kuqezinjtë ta bëjnë të tyrin për 5 milionë euro, por ka edhe klauzolën e kundërblerjes në favor të klubit të Florentino Perezit, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025. Megjithatë, situata është e destinuar të ndryshojë së shpejti, sepse Milani dëshiron të fokusohet menjëherë te Jimenez.
Sipas asaj që raportohet nga “Sky Sport”, në fakt, Milani ka arritur një marrëveshje me Real Madridin për ta blerë lojtarin në fjalë me një çmim pak më të ulët, por që me bonuset mund t’i tejkalojë 5 milionët e rëna dakord më parë, me mundësinë “Los Blancos” për ta ruajtur të drejtën e riblerjes me çmime shumë më të larta se ato të rënë dakord verën e kaluar. Kjo me shumë gjasa do të ndodhë pas Pashkëve, në një takim me agjentin e tij.