Patriot LUMANI
Strugë, 1 shkurt – Një nga rrugët me një bilanc negativë, sa i përket aksidenteve të trafikut në Strugë, po rezulton rrethi në rrugën në afërsi të Euro-Hotelit, ku nuk kanë munguar edhe viktimat. Për shoferët e kontaktuar nga gazeta KOHA, arsyet se pse vjen deri te kjo situatë, janë të shumta duke filluar nga mungesa e ndriçimit apo mos sinjalizimit se në rrugë ka një rreth-rrotullim. Ata të thonë se pavarësisht që prej kohësh është bërë evidente nevoja për një ndërhyrje të autoriteteve në funksion të evitimit të rrethanave rënduese që sjellin aksidentet, deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Vetëm gjatë muajit janar në këtë aks rrugor kanë ndodhur më shumë se pesë aksidente me pasoja të rënda shëndetësore dhe materiale, ndërkohë vitin e kaluar pati edhe viktima.
Nga policia e Strugës për gazetën KOHA nënvizojnë se deri te autoritetet përkatëse kanë ngritur shqetësimin se për të evituar aksidentet në këtë aks rrugor, janë të domosdoshme disa ndërhyrje emergjente. Valon Hani, komandant i policisë në Strugë, nënvizon se duke nisur nga aksidentet e shumta dhe pasojat që kanë pasuar për pjesëmarrësit në trafik, gjatë vitit 2016 në rrugë zyrtare kanë njoftuar autoritetet vendore se është i domosdoshëm ndriçimi i kësaj rruge dhe vendosja e një sinjalistike paralajmëruese. “Ne këtë shqetësim kemi ngritur edhe në rrugë zyrtare, duke informuar organet përkatëse për nevojën urgjente që të ndërhyhet në mënyrë që të reduktohen aksidentet aty. Deri tani është faktuar që numri i aksidenteve në atë rrugë ka ardhur edhe si rezultat i mungesës së ndriçimit të rrethit dhe mungesës së sinjalistikës përkatëse. Me sa jam informuar, kjo rrugë është në kompetencë të “Makadonija Pat”, përfundon ai. Prej kohësh, si rezultat i parkimit pa kriter dhe shkeljes së kodit të qarkullimit rrugor me të dyja këmbët nga shoferët në disa segmente rrugore në brendësi të qytetit të Strugës, komunikacioni po zhvillohet me vështirësi të madhe. Një faktor tjetër që ka ndikuar në këtë situatë, është edhe fakti që një pjesë e autobusëve nga qytetet e tjera të Maqedonisë udhëtarët nuk i zbresin në stacionin qendror të komunikimit ndërurban, ashtu siç edhe janë licencuar, por pa respektuar asnjë kriter futen në brendësi të qytetit, duke krijuar pa nevojë rrëmujë në trafik. Pothuajse për çdo ditë në kryqëzimet e rrugëve të brendshme të qytetit të Strugës, reprizohet pamja e kolonave të gjata të makinave, të cilat me minuta të tëra qëndrojnë të bllokuara në pamundësi që të lëvizin.