Gjatë Lufta së Dytë Botërore, trojet shqiptare nën pushtim jugosllav, siç dihet u ndanë në tre zona okupuese: zona okupuese gjermane; zona okupuese italiane dhe zona okupuese bullgare. Shkupi dhe disa krahina tjera shqiptare i takuan zonës okupuese bullgare. Ky okupator posa vendoset në këto vise shqiptare, ndërmori një sërë masash represive si: vrasje, plaçkitje, maltretime, fyerje etj., me çka e irritoi tej mase popullatën shqiptare. Si rezultat i këtij gjenocidi, me iniciativë të disa veprimtarëve të njohur shqiptarë, në Shkup themelohet “Lëvizja për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë”
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Është me interes të theksohet fakti se në zgjedhjet e para të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, të cilat u mbajtën më 31 maj 1937, Sait Hoxha nuk u rreshtua përkrah listës së Ferhat Dragës, e cila mbështetej nga Qeveria Mbretërore Shqiptare, por u kandidua në listën e Fejzi Haxhiamziq-it. Lidhur me këtë, kryekonsulli shqiptar në Shkup, Sheremet Xhuxhuli, në raportin dërguar më 20 maj 1937 ministrit të Jashtëm, Ekrem bej Libohovës, shprehte keqardhje që grupi i Dragës nuk kishte mundur të arrij një marrëveshje me “Z. Hoxhë Seitin”, i cili siç theksohet në raport “ka qenë përkrahës i qëllimeve kombëtare të ndjekura prej kësaj Kryekonsullate Mbretnore. Antagonizma e ekzistuar, vazhdon raporti, midis disa personave të grupit shqiptar bëri që Z. Hoxhë Seiti të pranojë vënjen e kandidaturës në favor të listës te Naib Fevziut për në Shkup…”. Më 22 qershor 1937, Sh. Xhuxhuli i raportonte E. Libohovës për epilogin e zgjedhjeve të përgjithshme në Mexhlisin e Ulemasë së Shkupit dhe përpjekjet e tij që Sait Hoxha ti bashkohet grupit të Dragës.
“…Nga bashkëfjalimi që pata me Z. Seid Hoxhën, shkruante Xhuxhuli, që kurdoherë eshtë sjellur korekt dhe ka ndihmuar kete Kryekonsullatë Mbretnore në veprimet e saj kombëtare, pa asnjë shpërblim, me gjith së i j-anë propozuar shuma të konsiderueshme, kuptova se ky do të kishte bashkëpunuar me grupin e Z. Ferhat Dragës po të mos kishte konstatuar, siç thotë vetë, se, me atë grup do të bashkëpunonin njerëz si Z. Qemal Osmani dhe Hasan Rebaci, që kur ka qenë direktor i Vakufeve në Shkup ka bërë abuzime dhe me sjelljet e tij të paudhëshme ka ftohur popullin. Me gjit këtë, masi eshtë duke çmuar rëndësin e situatës me siguroj se për tash nuk do të përdorë influencën e tij kundër këtij grupi por, në rast se do të shikojë që veprimi i tyre do të puqet me interesat kombëtare do t’a ndihmojë në çdo çështje. Ndershmënija dhe moderasioni, theksohet më tej në raport, si edhe atdhedashurija e Z. Sait Hoxhës janë disa garanci të cilat do t’i shtronin grupit të kryesuar prej patriotit Z. Ferhat Draga një sukses të veçantë në veprimet e tij, por intrasizhenca e këtyre të fndit bënë që ta kenë Z. e tij kundërshtar në zgjedhje…”.
Gjatë Lufta së Dytë Botërore, trojet shqiptare nën pushtim jugosllav, siç dihet u ndanë në tre zona okupuese: zona okupuese gjermane; zona okupuese italiane dhe zona okupuese bullgare. Shkupi dhe disa krahina tjera shqiptare i takuan zonës okupuese bullgare. Ky okupator posa vendoset në këto vise shqiptare, ndërmori një sërë masash represive si: vrasje, plaçkitje, maltretime, fyerje etj., me çka e irritoi tej mase popullatën shqiptare. Si rezultat i këtij gjenocidi, me iniciativë të disa veprimtarëve të njohur shqiptarë, në Shkup themelohet “Lëvizja për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë”. Së shpejti kreu i kësaj lëvizje në Shkup organizon demonstrata antibullgare, ku mijëra shqiptarë me plisa të bardhë marshuan nëpër Çarshinë e Vjetër e deri te Komanda gjermane.
Rol të rëndësishëm në këto lëvizje të mëdha që ndodhën në qytetin e Shkupit, padyshim se pati Shaban Efendiu, i cili nëpërmjet mikut të tij të vjetër, Hasan Shukriu, arriti t’i bashkojë të gjitha rrymat që ekzistonin deri në atë periudhë kohore në këtë qytet të lashtë shqiptar. Në fakt, Hasan Shukriu me ndihmën e Qemal Rustem Beun, bëri bashkimin e dy personaliteteve me peshë dhe me ndikim jashtëzakonisht të lartë, jo vetëm në Shkup, por edhe më gjerë, Ataulla Hoxhën dhe Sait Hoxhën, të cilët gjatë kohë mbanin qëndrime armiqësore ndërmjet veti, e që kjo ishte reflektuar edhe te popullata e gjerë shqiptare, sidomos në qytetin e Shkupit. Për afrimin e këtyre dy figurave, ndikimin e vetë e luajti edhe Hamit Kokollari, i cili së bashku me Hasan Shukriun, Qemal Rustem Beun, Nevzat Maksutin etj., mbajtën disa takime me Sait Hoxhën dhe Ataulla Hoxhën, derisa këta u bindën për qëllimet e “Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë”.
Bashkimi i dy krahëve politik më me ndikim solli edhe bashkimin e rrymave tjera më të vogla, që faktikisht tashti Shkupi u bë qendra kryesore e “LpBTSH”. Lidhur me këtë, shërbimet policore bullgare njoftonin se: “Konsullata italiane në Shkup, nëpërmjet Sait Hoxhës, Ataulla Hoxhës, Qemal Rustem Beut dhe Hasan Shukriut, dëshirojnë t’i bashkojnë të gjitha viset shqiptare në territorin e Maqedonisë, duke e zgjeruar idenë se Shkupi është qytet shqiptar dhe se duhet t’i bashkëngjitet Shqipërisë”.
Në nëntor të vitit 1941, krerët e Lëvizjes në Shkup organizojnë një mbledhje të zgjeruar, me pjesëmarrje të shumë personaliteteve të njohura, si: Shaban Efendiu, Sait Hoxha, Qemal Rustem Beu, Hasan Shukriu, Shefki Ramizi etj. Pjesëmarrësit sipas një dokumenti të UDB-ës, hartojnë një Memorandum, ku përshkruhet gjendja e mjerueshme e shqiptarëve nën pushtimin bullgar. Memorandumin në fjalë ia dorëzojnë Hamit Kokollarit, si edhe Myftiut të Lartë Arab, i cili në këtë kohë ishte arratisur në Romë. Lidhur me këtë, policia gjermane nga Shkupi njoftonte se: “Myftiut të lartë para disa dite, nëpërmjet konsullit italian në Shkup, i është dorëzuar një Memorandum, në të cilën është përshkruar gjendja e rëndë e myslimanëve, ku ashpër është kritikuar pushteti bullgar. Memorandumi është nënshkruar nga shumica e udhëheqësve shqiptar dhe turk…”.
Gjithnjë duke u mbështetur në burimet e policisë gjermane, iniciativa për dërgimin e këtij Memorandumi ka ardhur nga Sait Hoxha, i cili, siç thuhet: “ një periudhë të gjatë ka jetuar në Arabi dhe i ka njohur të gjithë udhëheqësit e lartë arabë, mes të tjerëve edhe Faisalin. Ai qëndron shumë mirë me Myftiun e lartë, i cili para pak kohësh është arratisur në Romë.”. Më tej dokumenti do të shtojë: “Se a thua e ka urdhëruar konsullata italiane, deri tash nuk kemi mundur të konstatojmë..”.
Përderisa pushtuesit fashistë bullgar, respektivisht forcat policore të saj, kryenin represalie ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare, në anën tjetër po ky pushtues i dërgon një “Notë protestuese” qeverisë shqiptare, në të cilën veç tjerash nënvizohej se autoritetet e qeverisjes lokale “në Tetovë kryejnë terror mbi popullatën bullgare…”. Menjëherë pas kësaj, qeveria shqiptare e dërgon në Tetovë një delegacion të kryesuar nga Koço Tase, i cili së bashku me kryetarin e bashkisë, Xhefer Sulejmanin, organizojnë një konferencë me pjesëmarrje të përfaqësuesve shqiptarë, bullgarë dhe serbë. Në konferencë, të gjithë pjesëmarrësit, pa përjashtim, ankesën bullgare e hedhin poshtë si të pavërtetë, madje ata japin deklaratë me shkrim në të cilën theksojnë se: “në Tetovë nuk ka pasur terror nga pushteti shqiptar mbi popullatën bullgare”.
Meqë, kjo Notë e qeverisë bullgare u hodh poshtë si e pavërtetë, autoritetet bullgare do të përdorin edhe një metodë tjetër, e cila nuk ishte asgjë tjetër, vetëm se një lloj presioni dhe kërcënime mbi krerët shqiptarë nën pushtimin e tyre.
Kështu, gjenerali i divizionit të ushtrisë bullgare në Shkup, Pop Dimitrov, e urdhëron myftiun e Shkupit, Sait Hoxhën, që ky i fundit “të thërras një konferencë në Myftininë e Shkupit”, ku do të merrnin pjesë, siç thuhet në një dokument të UDB-ës, “myslimanët më me ndikim të këtij qyteti”. Ashtu siç qe paralajmëruar, në të marrin pjesë një numër i madh i personaliteteve shqiptare, shumica e të cilëve tash më ishin anëtarë të “LpBTSH”, ndërsa prej pushtetit, në konferencë ishte dërguar Dimitar Açkov. Sipas deklaratës së Sait Hoxhës, Açkovi, ka kërkuar që: “Në këtë konferencë myslimanët të zgjedhin një delegacion, i cili do të dërgohet në Tetovë dhe Gostivar te shqiptarët, për të ndërmjetësuar që shqiptarët ta ndërpresin terrorin ndaj ortodoksëve nën territorin e tyre, ndërsa në të kundërtën pushteti bullgar do të zbatojë masa të rrepta ndaj shqiptarëve myslimanë nën pushtetin bullgar”. Gjithnjë duke u mbështetur në deklaratën e Sait Hoxhës, shohim se: “Myslimanët me këtë propozim nuk janë pajtuar dhe kanë kërkuar nga Açkovi që të ofrojë argument konkret për terrorin ndaj ortodoksëve nga ana e pushtetit shqiptar. Meqenëse Açkovi nuk ofroi asnjë argument, konferenca u mbyll pa sjellë as çfarë vendimi”.
Shkupi me rrethinë, pas tërheqjes së ushtrisë bullgare, kontrollohej nga forca të ndryshme politiko-ushtarake. Në veri, perëndim dhe jug-perëndim të Shkupit, shtriheshin forcat vullnetare të “Lidhjes II të Prizrenit”, në juglindje dhe verilindje qëndronin forcat partizane maqedonase, në vendbanimet serbe në veri dhe verilindje shtriheshin çetnikët, ndërsa në qytet qëndronin gjermanët. Krahas gjermanëve, Shkupin e kontrollonin edhe Komiteti i VMRO-së, si edhe paria shqiptare, respektivisht Myftinia e Shkupit, që i prinin myftiu Sait Hoxha, Hasan Shukriu-drejtor i Vakëfit, Emin Beu, Ismail hoxhë Kaçaniku etj. Paralel me tërheqjen e trupave bullgare nga Shkupi, gjermanët organizojnë një konferencë, me qëllim të themelimit të një komiteti maqedonase-shqiptare, i cili do ta merrte pushtetin në duart e veta. Në këtë konferencë ishin ftuar një numër i madh i maqedonasve, ndërsa nga paria shqiptare merrte pjesë vetëm Sait Efendiu. Konferencën e udhëhiqte një gjerman me emër Dirigell, i cili do të kërkojë nga myftiu i Shkupit, që t’i “përfaqësojë myslimanët e këtij qyteti”. Mirëpo, duke e pasur parasysh se pjesëmarrja e myslimanëve ishte tejet simbolike, në krahasim me krishterët, Sait Efendiu, refuzon të emërohet në këtë komitet. Ai në fjalimin e tij, veç tjerash, potencon se do të mbajë një konferencë nga krerët më me ndikim të myslimanëve, duke shtuar se: “këtu do të vendoset se cilët persona do të futen në komitet, të cilët do të mund ta udhëheqin punën, individ të rij që e njohin punën dhe që do të mund të vrapojnë e ngjashëm…”.
Nuk vonoi shumë dhe Sait Hoxha thërret një konferencë me krerët shqiptarë të Shkupit. Konferenca mbahet në sallën e myftinisë. Interesimi do të jetë shumë i madh, saqë një numër i madh ngelën jashtë sallës. Ndër personalitetet më të njohura, pjesëmarrës të kësaj konference, krahas Said Efendiut, duhet veçuar: Emin Beun, Ismail hoxhë Kaçanikun, Riza Aga-Kaçaniku, Feta efendi Raufin, Hafëz Irfanin, Hafëz Aliun, Besim Sahatçiun, Reshit Xhavitin, Ali Nexhipin, Halit Berberin, Nuri Fetahun etj. Në konferencë flet Sait Hoxha, i cili më gjerësisht i informon pjesëmarrësit rreth themelimit të Komitetit myslimane-krishtere, dhe se siç thekson: “duhet të zgjedhën disa personalitete të cilët do të hynë në komitet, me qëllim që bashkëpunimi i ynë të rezultojë në ruajtjen e rendit në qytet.”. Kërkesa e Sait Efendiut u përkrah nga pjesëmarrësit, të cilët më pas si përfaqësues të tyre në Komitetin myslimane-krishtere zgjodhën: Emin Beun, Feta efendi Raufin, Qani Jusufin, Nuri Fetafun dhe Reshit Xhavitin. Kryetar i Komitetit maqedono-shqiptar u zgjodh Stefan Stefanov, ndërsa zëvendës kryetar u zgjodh Emin Beu. Menjëherë pas formimit të Komitetit, me sugjerimin e Dirigelit, u zgjodh kreu i policisë së Shkupit. Për kryeshef u zgjodh Stefan Sefanov, ndërsa për komandant të policisë Emin Beu. Gjithashtu, Qani Jusufi mori postin e komandant të policisë për lagjen Jahja Pasha, ndërsa Reshit Xhaviti u zgjodh në udhëheqësin e shëndetësisë së Shkupit.
Ndërkohë, pasi themelohet Komiteti krishterë-mysliman, në Shkup vjen Mefail Zajazi bashkë me Arif Kapedanin, të cilët në “Bojali Han” mbajnë një takim me krerët shqiptarë. Qëllimi i ardhjes së tyre në Shkup ishte: “që të konsultohen me parinë e Shkupit për vendosjen e pushtetit shqiptar në qytet”.
Në mbledhje ishte ftuar edhe Sait Efendiu, mirëpo për arsye të panjohura nuk do të merr pjesë. Meqenëse krerët shqiptarë të Shkupit pa pëlqimin e Sait Efendiut nuk dëshironin të sjellin asnjë vendim, në konferencë u vendos që një delegacion i udhëhequr nga Mefail Zajazi, Arif Arifi dhe imami i xhamisë së Jahja Pashës, Hamdi Nuha, të takohen me Sait Efendiun. Takimi mbahet në shtëpinë e myftiut, mirëpo edhe përkundër insistimeve nga ana e Mefailit që Shkupin ta marinë në duart e veta shqiptarët, myftiu nuk u pajtua. Ekziston mundësia që refuzimi i Sait Efendisë të jetë i lidhur drejtpërsëdrejti me disa lëvizje pro anglo-amerikane, të iniciuara nga Hamit Kruja. Burimet e UDB-ës jugosllave njoftojnë se në gushtë të vitit 1944, Kruja vendoset në Shkup “me detyrë që të vendos lidhje me anglezët në Greqi dhe krijimin e Komitetit shqiptaro-maqedonas.”. Që këto lidhje të vendosen sa më parë “Hamidi dërgon një njeri për Manastir”, por në atë kohë pushtetin në këto vise e marrin forcat partizane jugosllave dhe lidhja nuk u vendos”.
Informata e plasuar nga shërbimi sekret jugosllav përputhet me ngjarjet që do të zhvillohen më pas rreth organizimit politik të shqiptarëve në qytetin e Shkupit, ku rol vendimtarë do të kenë pikërisht dy personalitetet e lartpërmendura. Falë angazhimit të tyre, pas shumë përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve, siç do të shohim më poshtë, edhe në Shkup themelohet Komiteti i “Lidhjes II të Prizrenit”. Iniciativa fillimisht rrodhi nga takimi i myderrizit të Tetovës, Hafëz Xhemil Efendiut, me Sulë Hotlën, Xhemë Gostivarin, dy Mefailat dhe Aqif Reçanin, mbajtur në afërsi të Tetovës, ku Sulë Hotlës i jepet si detyrë: “që me 50 vetë të futet në Shkup dhe për Bajramin e Madh ta ngrejë flamurin kombëtarë.”. Mbështetur në këtë vendim, Sulë Hotla në Gjilan takohet me Hamit Krujën, të cilin e informon për vendimin e marrë. Sipas deklaratës së Sulë Hotlës, kuptojmë se: “Hamit Kruja personalisht do ta merr përsipër themelimin e komitetit” dhe se gjatë udhëtimit për Shkup Sulë Hotla “ do t’i ofrojë atij një numër të konsiderueshëm të ushtarëve”, të cilët do të angazhohen “në ruajtjen e rendit”. Ndërkohë, përderisa bëheshin parapërgatitjet për marrjen e këtij qyteti të lashtë shqiptar, KQ i “Lidhjes II të Prizrenit” dekreton Hamit Krujën prefekt të prefekturës së Shkupit.
Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve të njëpasnjëshme, Hamit Kruja, i shoqëruar prej rreth 15 ushtarëve, në pjesën e dytë të shtatorit udhëton për në Shkup. Gjatë bisedës që pati me myftiun e Shkupit, Sait Hoxhën, vendosi të organizohej një konferencë më e zgjeruar, në të cilën do të “ftohen personalitetet më me ndikim të qytetit”. Mbështetur në këtë, myftiu të njëjtën ditë e ftoi parinë e atëhershme shqiptare të Shkupit. Konferenca u mbajt në sallën e myftinisë, me një pjesëmarrje tejet të madhe. Ja se si e përshkruan mbajtjen e kësaj konference Sait Efendiu:
“Salla ishte e stërmbushur, ndërsa merrnin pjesë këta figura: Emin Jashari beu, Daut Ali-këpucëtari, Hafëz Nuhiu, Hafëz Mamut Ymeri, Halit Tregtari, Gani Selimi, Esad Doko nga Ohri etj”.
Në konferencë fjalë rasti mban prefekti i porsazgjedhur i Shkupit, Hamit Kruja, i cili veç tjerash kërkon që të themelohet Komiteti i “Lidhjes II të Prizrenit”, i cili Komitet “do të angazhohet që në pushtetin e porsaformuar t’i mbrojë interesat e myslimanëve, shqiptarëve dhe turqve”, kjo për Krujën është e domosdoshme, për shkak se, siç thekson, “sepse edhe ju jeni komb dhe se duhet t’i keni të drejtat e njëjta me krishterët në shtetin e ri, të cilin e krijojnë gjermanët.”. Pas Krujës fjalën e merr Sait Efendiu, i cili në tërësi pajtohet me parafolësin, me çka vendosin të themelohet “Komiteti i Lidhjes II të Prizrenit”. Meqenëse Emin Beu më parë mbante postin e nënkryetarit të Komitetit myslimanë-krishterë, ai zgjidhet kryetar i “Komitetit të Lidhjes II të Prizrenit” për qytetin e Shkupit, ndërsa veç tij në të zgjedhën edhe: Ismail Hoxhë Kaçaniku, Feta efendi Raufi, Riza Aga-Kaçaniku, Gani Selimi etj. Pasi i përfundon punimet konferenca, krerët e porsazgjedhur të “Lidhjes II të Prizrenit”, bashkërisht me Hamdi Krujën, mbajnë një takim me udhëheqësin e Komitetit të VMRO-së. Duhet shtuar këtu se gjatë mbajtjes së konferencës, para ndërtesës së myftinisë u vendos flamuri kombëtarë.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Sait Hoxha tërhiqet nga të gjitha aktivitetet politiko-fetare. Mirëpo pushteti “popullor” maqedonas, nuk lejoi që vitet e fundit të jetës së tij t’i kalojë në gjirin e tij familjarë. Nën akuzën e njohur komuniste: “veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit”, me 3 janar të vitit 1949 arrestohet nga ana e UDB. Njëkohësisht, ky shërbim, si “person të padëshirueshëm për shtetin”, e depërtojnë me dhunë familjen e tij (bashkëshorten dhe dy vajzat) për Turqi.
Ai në rrethana të panjohura deri tash vdiq në vitin 1950 në burgun e Idrizovës. Për vdekjen e tij nuk informohet asnjë anëtarë qoftë të familjes më të ngushtë që tash më jetonin në Turqi e as ndonjë farefis më i afërt i tij. Të brengosur thellë për fatin e babait të tyre, dy vajzat në vitin 1968 e autorizojnë kryetarin e atëhershëm të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Haxhi Bedri Hamidin për marrjen e një informate zyrtare rreth fatit të tij. Ky i fundit, nëpërmjet një letre i drejtohet drejtorisë së burgut, e cila ka këtë përmbajtje: “Në atë shtëpi ka qenë në vuajtje dënimi Sait Idrizi nga Shkupi dhe atje ka vdekur përafërsisht kah mbarimi i vitit 1949 ose fillimi i vitit 1950.
Unë, në cilësinë e të autorizuarit nga vajza e tij e cila tash jeton në Turqi, sinqerisht ju lusë që të ma dorëzoni një vërtetim, se ka vdekur në atë shtëpi gjatë vuajtjes së dënimit i ndjeri Sait Idrizi nga Shkupi.”. Në përgjigjen që e dërgon kjo drejtori thuhet: “Vërtetojmë se Sait Idriz Sait gjatë periudhës 21. VII. 1949 ishte në vuajtje të dënimit në Shtëpinë për Dënim dhe Përmirësim – Idrizovë. I njëjti ka qenë i dënuar nga gjyqi i Qarkut – Shkup, me dënim të rëndë në kohëzgjatje prej 10 vjet për vepër penale “Kundër Popullit dhe Shtetit sipas nenit 170 të Ligjit për Kundërvajtje.
I njëjti ka vdekur në SHDP-Idrizovë / gjatë vuajtjes së dënimit/ më 15. II. 1950 / Diagnoza mjekësore, respektivisht arsyet për vdekjen, gjakderdhje në tru”.
Për sa u tha më sipër, mund të konstatojmë se figura e Sait Hoxhës me pa të drejtë është lanë anash nga historiografia shqiptare. Pesha politike e Sait Hoxhës pati një rëndësi të posaçme, sidomos gjatë Kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Ai gjithashtu e afirmoi politikën diplomatike të LpBTSH-së dhe falë tij kjo lëvizje arriti ta ndërkombëtarizojë dhunën dhe terrorin bullgar ndaj popullatës shqiptare. Roli i Sait Hoxhës gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, për dallim nga periudha e pushtimit serb, tashti ishte tejet i madh, ku me përjashtime të vogla, kryesisht mund të konsiderohet si konstruktive. Si rezultat i tërë kësaj, nomenklatura komuniste maqedonase figurën e Sait Hoxhës e shikonte si të rrezikshme për regjimin e tyre, prandaj ata e arrestuan. Vdekja e tij me siguri ishte si pasojë e dhunës dhe terrorit që u përdor ndaj tij nga ana e organeve të UDB-së, të cilët pamëshirshëm i torturonin të burgosurit politik shqiptar, e që Sait Hoxha për shkak moshës dhe shëndetit të dobët nuk arriti t’i përballojë.
(Fund)