Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 janar – Grosha e Tetovës, orizi i Koçanit, çaji i Ohrit, uji natyror “Badarjan”, janë vetëm një pjesë e 18 emërtimeve të mbrojtura gjeografike, shkruan gazeta KOHA. Në procedurë e sipër janë edhe disa prodhime dhe përpunime të tjera bujqësore dhe ushqimore që të fitojnë shenjën mbrojtëse për prejardhje, shenjën mbrojtëse gjeografike apo shenjën për specialitetin e garantuar tradicional. Shfrytëzimi i emërtimeve gjeografike për shënimin e prodhimeve specifike të një hapësire të caktuar, ka filluar të rritet ngadalë në Maqedoni, por akoma ka hapësirë për rritjen e këtij trendi. Emërtimet e mbrojtura gjeografike, sipas kritereve për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e tij, i udhëzojnë konsumatorit se ato prodhime kanë veçori të dallueshme dhe paraqesin garanci për cilësi. Njohësit e bujqësisë thonë se çdo rajon në Maqedoni ka prodhime me veçori karakteristike që dallohet edhe për kah cilësia. Andaj, sugjerohet një angazhim më i madh i bujqve, blegtorëve, por edhe biznesit, me qëllim që të krijojnë brende që nesër shumë më lehtë do të mund t’i shesin edhe në tregjet rajonale dhe botërore, duke ndjekur shembujt e shteteve të ndryshme. Bile, mjaft shtete kanë edhe një ofertë shumë më të varfër të prodhimeve të njohura bujqësore, sidomos kur bëhet fjalë për ushqim të shëndoshë cilësor dhe organik, por megjithatë falë një strategjie afatgjate për eksport, kanë arritur të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare . Agronomët thonë se prodhuesit e ushqimit dhe prodhimeve bujqësore në Maqedoni sa vjen e më shumë do të ballafaqohen me presionin e madhe të konkurrencës, si në tregun vendor ashtu edhe atë jashtëm në BE. Andaj, në periudhën e ardhshme nevojitet që sektori bujqësor-ushqimor t’i afrohet sa më shumë standardeve të prodhimit dhe cilësisë të definuar me rregullativën e përbashkët bujqësore evropiane.
“Bujqit tanë nevojiten të bashkohen dhe të mbrojnë prodhimet e tyre autoktone, për shkak se blerësit në perëndim, kur blejnë prodhime të caktuara, dëshirojnë të dinë prejardhjen gjeografike të një prodhimi të caktuar bujqësor apo blegtoral si djathi, mjalti dhe më shumë prodhime të tjera. Kjo ndoshta kërkon një angazhim lidhur me dokumentacionet e ndryshme, kontrollet si dhe pas fitimit të shenjës për cilësisë, edhe angazhimin për një prodhimtari të standardizuar që garanton prodhim të sigurt dhe cilësor. Por, në këtë mënyrë një prodhim bëhet edhe sinonim për një hapësirë të caktuar gjeografike si dhe të shtetit në përgjithësi, dhe siguron shitje më të lehtë”, thotë për KOHA eksperti i bujqësisë, Lulzim Fejzullahu.
Subjektet që kanë brenduar prodhimin e caktuar fitojnë afër 5000 euro subvencione për prodhim që janë parashikuar për kofinancimin e harxhimeve në procesin e mbrojtjes së cilësisë dhe përkrahje të prodhuesve që përdorin emërtime të mbrojtura të Maqedonisë. Me 80 për qind mbulohen harxhimet që realizohen për vendosjen e shenjës mbrojtëse për cilësi si dhe për përgatitjen e elaboratit të prodhimit që konfirmon cilësinë dhe mënyrën e prodhimtarisë, analizat, harxhimet për kontroll dhe verifikimin. Iniciativën për mbrojtjen e një prodhimi bujqësor apo ushqimor mund ta parashtrojnë një grup i prodhuesve apo përpunuesve që prodhojnë të njëjtin prodhim bujqësor apo ushqimor. Nga Ministria e Bujqësisë theksojnë se procedura për mbrojtjen e një prodhimi, sipas prejardhjes gjeografike është e thjeshtësuar nga një vit në një muaj. Kjo kohë nevojitet që të përgatiten dokumentet e nevojshme, të dorëzohet elaborate në ministri dhe i njëjti të shqyrtohet nga ana e komisionit të përzier nga përfaqësuese të Ministrisë së Bujqësisë, Fakultetit të Bujqësisë dhe ekspertëve të tjerë. Komisioni gjatë shqyrtimit të elaboratit, analizon se a bëhet fjalë për prodhim autokton, shikon truallin ku rritet ajo bimë, ditët me shi dhe diell, e kështu me radhë.
Para dy vitesh u miratuan ndryshimet e Ligjit për cilësinë e prodhimeve bujqësore, që ka thjeshtësuar procedurën e mbrojtjes së cilësisë dhe ka harmonizuar atë me rregullativat e reja evropiane. Që të fitohet shenja për kualitet, duhet të parashtrohet elaborat që do të konfirmojë cilësinë dhe mënyrën e prodhimtarisë. Nëse ndonjë subjekt dëshiron të shfrytëzojë sërish shenjën e fituar më parë të cilësisë, i njëjti subjekt duhet të parashtrojë kërkesë për përdorim që përfshin përgatitjen e elaboratit se ai prodhim do të prodhohet në bazë të standardeve të përcaktuara. Gjithashtu në vitin e kaluar janë miratuar edhe aktet nënligjore për udhëheqjen e regjistrave për shenjat mbrojtëse dhe regjistrat për shfrytëzuesi t e shenjave mbrojtëse.
Në vitin 2016, janë realizuar nga përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, edhe më shumë takime me përfaqësues të bujqve dhe kooperativa bujqësore që të informohen për kushtet e aplikimit për mbrojtjen e cilësisë së prodhimeve bujqësore.
Sipas dispozitave ligjore në Maqedoni, janë definuar shenjat mbrojtëse për cilësi të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore dhe atë përmes shenjës mbrojtëse për prejardhje, shenjës mbrojtëse gjeografike dhe specialitetit të garantuar tradicional. Shenjat mbrojtëse nuk paraqesin garanci vetëm për cilësinë, por edhe për atë sa është një prodhim autentik, që do të thotë se konsumatorët mund të jenë të sigurt se nuk do të blejnë prodhim me emërtim të falsifikuar. Ai shënon emrin e rajonit, vendit specifik apo në raste të caktuara edhe emrin e shtetit që shfrytëzohet për shënimin e prodhimeve bujqësore apo bujqësore .Nga ana tjetër, specialiteti tradicional i garantuar shënon emrin e prodhimit bujqësor apo ushqimor për prodhimin e të cilit përdoret lënda e parë tradicionale apo është i prodhuar në mënyrë tradicionale të prodhimit apo përpunimit.
Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për cilësinë e prodhimeve bujqësore që u miratuan në verën e 2015-ës, synohet lehtësimi i qarkullimit të mallrave, përmes përcaktimit të cilësisë minimale dhe standardeve të tjera për cilësi të prodhimeve bujqësore që vendosen në qarkullim, rritja e cilësisë dhe konkurrencës së prodhimeve dhe përpunimeve bujqësore, realizimi i mundësisë së ndjekjes dhe informimit më të mirë të konsumatorëve për natyrën dhe prejardhjen e prodhimeve dhe përpunimeve bujqësore. Definohet në aspekt ligjor edhe formimi i bazës së të dhënave dhe përgjegjësia për vendosjen e tyre, mirëmbajtjen, ruajtjen dhe respektimin si bazë për planifikimin, administrimin, ndjekjen dhe kontrollin e politikave dhe masave në këtë fushë, si dhe punën e institucioneve që i realizojnë të njëjtat si dhe realizimin e mbikëqyrjes ndaj prodhimeve bujqësore dhe ushqimore që vendosen në qarkullim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.