Shkup, 21 nëntor – Në prag të 8 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe 108 vjetorit të krijimit të Alfabetit të gjuhës shqipe, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, të hënën në Shkup në një ceremoni zyrtare ka dekoruar mbi 100 personalitete nga Maqedonia që kanë kontribuar në pavarësimin e Kosovës si dhe strehimin e shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998 – 99, raporton gazeta KOHA. Me mirënjohjen më të lartë të Presidencës së Kosovës u dekoruan, politikanë, ish ushtarë të UÇK-së, dëshmorë, poet, shkrimtarë, të burgosur politik, sportistë, gazetarë si dhe shume veprimtarë të tjerë që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës. Presidenti i Kosovës Thaçi gjatë ceremonisë së ndarjes së dekoratave deklaroi se pa kontributin, sakrificën dhe ndihmën vëllezërve shqiptarë të Maqedonisë, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot-shtet i pavarur. Presidenti i Kosovës Thaçi gjatë ceremonisë së ndarjes së dekoratave deklaroi se pa kontributin, sakrificën dhe ndihmën vëllezërve shqiptarë të Maqedonisë, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot – shtet i pavarur. Qysh në fillim të ceremonisë së dorëzimit të mirënjohjeve, presidenti Thaçi ka theksuar se ndjehet krenar që këto dekorata ndahen në prag të përvjetorit të 108- të të themelimit të Alfabetit të sotëm shqip në Kongresin e Manastirit. “Sot jam i lumtur dhe i privilegjuar që gjendem në mesin tuaj. 108 vite më herët, shqiptarët ende duke mos qenë të pavarur, vendosën që t’i japin kombit një orientim të qartë politik, historik, kulturor e civilizues. Ata, duke përzgjedhur një alfabet latin, edhe pse ende pjesë e Perandorisë Osmane, vendosën që të jenë me Perëndimin”, ka shtuar ai. Presidenti Thaçi ka thënë se atëherë, burra e gra, patriotë e intelektualë nga të gjitha viset që flisnin këtë gjuhë të vjetër indoevropiane, vendosën që ta standardizojnë me një alfabet perëndimor e evropian. Sipas tij, orientimi nga një e ardhme perëndimore, i zgjedhur me guxim e mençuri nga paraardhësit tanë, fatbardhësisht na mban dhe frymëzon edhe tash. “Ishte kështu edhe 90 vite pas Kongresit të Alfabetit, kur Kosova zgjodhi një rrugë të qartë, të dhimbshme, por edhe krenare duke luftuar për ruajtjen e ekzistencës së saj”, ka thënë presidenti Thaçi. Ai ka thënë se shumë shpejt do të behën 8 vite qëkur Kosova shpalli pavarësinë e saj, dhe kjo e arritur e madhe e jona e përbashkët nuk ishte e lehtë dhe e thjeshtë. Sipas tij, ajo ishte vazhdimësi përpjekjesh liridashëse e gjeneratave të tëra. Presidenti Thaçi ka thënë se në fund të mijëvjeçarit që shkoi, Kosova arriti ta krijojë organizatën politiko-ushtarake më të suksesshme të shekullit XX, projektin më të rëndësishëm kombëtar- Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas tij, falë pikërisht orientimit të qartë perëndimor, arriti përkrahjen e merituar të Perëndimit dhe u bë bazament i lirisë, i çlirimit dhe i pavarësisë së Kosovës. Para më shumë se 100 personaliteteve në Maqedoni, ai ka thënë se kjo e arritur e madhe jona nuk do të ishte fare e mundur pa ju, pa sakrificën dhe pa ndihmën tuaj të pakursyer vëllazërore. “Ceremonia e sotshme e dhënies së urdhrave dhe medaljeve nga institucioni më i lartë i Republikës së Kosovës, në fakt është vetëm një shënim i kësaj kujtese falënderimi dhe mirënjohjeje. Ceremonia e sotme është shenjë falënderimi për luftëtarët dhe ushtarët që dhanë jetën në betejat e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ata që e bënë luftën dhe rezistencën në radhët e saj”, ka shtuar ai. Në fjalën e tij, presidenti ka falënderuar edhe ata që me vite të tëra kaluan në burgjet jugosllave duke kërkuar liri, emancipim dhe të drejta për shqiptarët kudo që janë. Ai ka thënë se është mirënjohje për veprimtarë e politikanë që me kohë patën vizionin e duhur, sensin dhe gatishmërinë që të orientohen drejt për mbrojtjen e interesave kombëtare. “Ceremonia e sotshme këtu është edhe një akt falënderimi për të gjithë atë gjeneratë të hershme mësimdhënësish, intelektualësh, veprimtarësh kulturorë e shkencorë, që kontribuuan në institucionet tona akademike, shkencore e kulturore. Për intelektualët që u rreshtuan me fatin e kombit të tyre. Për gazetarë, shkrimtarë dhe artistë”, ka theksuar ai. Thaçi ka shtuar se ky është një kthim borxhi edhe ndaj institucioneve akademike të Kosovës, ku për decenie të tëra janë formësuar elitat intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë. Ai kë thënë se në këtë listë gjenden edhe ata maqedonas që me kontributin e tyre profesional e intelektual, mbajtën gjallë komunikimin tonë shpirtëror e kulturor, për çka ne i respektojmë posaçërisht. “Sot nderojmë edhe disa nga biznesmenët dhe ndërmarrësit që me kontributin e tyre u shquan para e gjatë luftës, por shquhen edhe sot për punën e mirë që bëjnë drejt zhvillimit ekonomik të shoqërisë shqiptare me rritjen e mirëqenies sociale dhe krijimin e vendeve të punës. Edhe sot shfrytëzojmë rastin për t’i falënderuar”, ka theksuar Thaçi. Ai ka pasur një mesazh edhe bashkëluftëtarët e tij, që me guxim, trimëri, iniciativë e përkushtim na ndihmuan në çastet më të vështira, në çdo moment të përpjekjes sonë të përbashkët liridashëse. “Shumë nga ta më strehuan, përcollën, rrezikuan së bashku me mua dhe shokët e mi, në një përpjekje fisnike për të qenë të lirë. Lista me personalitete që ne nderojmë këtu është simbolike. Në fakt, përmes jush nderojmë qindra e mijëra vëllezër, pa të cilët ne nuk do të ishim ku jemi sot si Kosovë. Me këtë ceremoni sot, unë personalisht, por edhe i gjithë populli i Kosovës, dëshiron të ju falënderoj dhe nderoj nga zemra”, ka thënë presidenti Thaçi. Për kontribut të jashtëzakonshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës u dekoruan Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Nuri Bexheti, Bardhyl Mahmuti, Fazli Veliu, Agim Vinca, Arben Ratkoceri, Tome Serafimovski, Branko Manojlovski, ish pjesëmarrës të luftës së Kosvës dhe Maqedonisë, familjarë të dëshmorëve dhe shumë personalitete të tjera. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij falënderues ka bërë një retrospektivë të veprimtarisë për çështjen e Kosovës, duke theksuar synimin e përbashkët për anëtarësim në NATO dhe BE. “I nderuar president i republikës së Kosovës, kemi kaluar tërë veprimtarinë nëpër shtëpitë ku na prisnin atdhetar të përkushtuar gjithmonë jemi takuar në legale dhe ilegale e asnjëherë nuk e kemi menduar se do takohemi nëpër pallate se rruga ka qenë e vështirë, me respektin më të lartë duhet kujtuar miqtë tanë mbase asnjë nga djemtë nuk janë shmangur rrezikut, por koha e deshi dhe unë jam me fat që një bashkëveprimtarë sot të jetë në krye të shtetit të Kosovës që aq shumë ka sakrifikuar, gjenerata të tëra por brezi ynë ishte ai që të gjitha ato qëllime ideale t’i jetësojë, shqiptarët sot më mirë se kurrë, institucione të pavarura, misioni ynë nuk ka mbaruar se Kosova duhet të jetë në NATO dhe BE, misionet tona të përbashkëta nuk kanë mbaruar as për mua e as për ty e as për ju të pranishëm këtu”, ka thënë mes tjerave lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Ndërkaq, kreu i PDSH, Menduh Thaçi, duke bërë krahasim mes luftës në Kosovës dhe saja në Maqedoni, theksoi se shqiptarët këtu nuk kanë arritur objektivat e tyre. “Është dekorate e cila më bën shumë emocione. Ju premtoj që këtë dekoratë kur s’do ta keqpërdor për qëllime politike. Ne shqiptarët e Maqedonisë nuk po arrijmë t’i përmbushim objektivat tona. Ne nuk guxojmë që edhe më tej shqiptarët të jenë pjesë e copëzave që maqedonët u japin shqiptarëve. Pushteti i vërtetë duhet të jetë i barabartë si për maqedonasit ashtu dhe për shqiptarët. Vlera e vërtet e Hashim Thaçit është se ai diti të mos lejon që shqiptarët e Kosovës t’i ndanë në ata që luftuan dhe ata që s’kanë luftuar. Hashim Thaçi është mentor i një shteti që nuk e ndau nga ata që luftuan dhe që nuk luftuan. Kjo njehërit do të ishte një model i mirë për gjithë liderët shqiptarë”. tha Menduh Thaçi.
Ratkoceri: Nuk kursyem asgjë për Kosovën
Një ndër të dekoruarit nga presidentit i Kosvoëës është edhe njëri nga botuesit e gazetës“KOHA”, Arben Ratkoceri. “Kjo ishte diçka e papritur për mua, por shumë e mirëpritur. E vlerësoj si një mirënjohje, jo vetëm të angazhimit tim në dy dekadat e fundit dhe kontributi modest në shtetëformësimin e Kosovës, por edhe të shumë e shumë kolegëve të tjerë nga Maqedonia, që asgjë nga vetja nuk kanë kursyer për atë që Kosova të jetë aty ku është sot”, tha Ratkoceri.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.