Nga Parku Kombëtar Mali Sharr njoftojnë për përgatitjen e dokumenteve të vitit të kaluar që do të përcaktojnë sipërfaqet dhe metodat e detajuara për pyllëzim
Urim HASIPI
Tetovë, 26 mars – Prerja e druve në Malin Sharr, zjarret e shumta por edhe vërshimet kanë dëmtuar sipërfaqe të mëdha të masës drurore në Malin Sharr. Me këtë rast, do të duhet një kohë e gjatë që të ripërtërihen sipërfaqet e dëmtuara. Së këndejmi, për të ripërtërirë këto sipërfaqe, parkut kombëtar Mali Sharr i është dhënë donacion fidane të reja për pyllëzim nga ana e me organizatës holandeze “Green Stays”.
Drejtori i Parkut Kombëtar Mali Sharr, Ibrahim Dehari tha se me këtë rast ato sipërfaqe të shkatërruara do të pyllëzohen dhe nuk do të pritet që vet natyra të bëjë procesin e saj. Kësisoj, me nënshkrimin e marrëveshjes, Parku Kombëtar i Malit Sharr filloi bashkëpunimin me organizatën holandeze “Green Stays”, e cila duhet të rezultojë me dhurimin e fondeve për pyllëzimin e pyjeve të dëmtuara në territorin e zonës së mbrojtur malore. Pyjet nëpër malin Sharr kanë nevojë për rigjallërim, thonë nga Parku Kombëtar, kështu që kjo është e mirëseardhur.
“Parku Kombëtar në kuadër të përcaktimeve të tij planifikuese si dhe dokumenteve të miratuara për përmirësimin e kushteve me ekosistemet, do t’i kushtojë vëmendje të veçantë rivitalizimit të ekosistemeve pyjore. Falë donacionit të partnerit holandez, po fillojmë një periudhë të re, një angazhim të ri duke ndërhyrë për të arritur që të kemi pyje më të mira, më të qëndrueshme ekologjikisht dhe në momente ku e gjithë popullata jo vetëm e Malit Sharr por më gjerë, e do të gëzojë përfitimet që ofron pylli”, tha Milorad Andrieski, shef i Departamentit për shfrytëzim të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Sipërfaqe më të vogla do të ripyllëzohen gjatë vitit 2024. Bëhet fjalë për vende të dëmtuara nga zjarret në pyje. Nga Parku Kombëtar Mali Sharr njoftojnë për përgatitjen e dokumenteve të vitit të kaluar që do të përcaktojnë sipërfaqet dhe metodat e detajuara për pyllëzim. “Diku gjendja është e kënaqshme, diku kemi sipërfaqe pyjore që janë në gjendje të mirë, por në disa vende ku prerjet ilegale dhe disa praktika të papërshtatshme pyjore në të kaluarën si dhe dëmet nga zjarret në pyje janë tepruar, dëmi është vërtet i madh. Aty është e nevojshme intervenimi njerëzor, duhet dorë eksperti për të marrë masa për rivitalizimin e tyre”, tha Andrieski.
Ruud Van Bruijn nga Organizata Holandeze Green Stays tha se ata janë të vendosur për bashkëpunim afatgjatë me parkun kombëtar. “Ne jemi shumë krenarë që fillojmë bashkëpunimin me parkun kombëtar, jemi të lumtur dhe të privilegjuar që mund të punojmë dhe të ndihmojmë ambiciet e menaxhmentit për ta bërë Malin Sharr një zonë të bukur në Maqedoni, për të ndihmuar me pyllëzimin që do të shndërrohet në një vend të pasur me pyjet dhe diversiteti biologjik”, tha Ruud Van Bruijn. (koha.mk)