Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviç, ka mohuar në mënyrë kategorike raportimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovës – më saktësisht në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut dhe në fshatin Oslare të Bujanovcit.
Siç ka pretenduar Staroviç, raportimet e Kurtit janë trillime në atë mënyrë për të “vazhduar represionin” ndaj komunitetit serb.
“Duke përdorur një skenë të një pushtimi imagjinar për të krijuar një perde prej tymi, Kurti po dëshiron vazhdimin e keqtrajtimit dhe represionit institucional të serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka pretenduar Staroviç, në platformën sociale, X.
Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, tha se autoritetet kosovare kanë vërejtur se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut. dhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.
Kurti ndër të tjera ka potencuar se autoritetet kosovare janë duke vëzhguar me kujdes mos ushtria e Serbisë do të përpiqet të kalojë kufirin.
“Ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar Kurti.